Shumë na e ke zgjatur, shumë e kemi tepruar zoti Rama!

Oct 15, 2018 | 19:38
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ/ gjekmarkajJo e mirë duket kjo vjeshtë me diell, për të gjithë ata që kanë ndërmend të jenë kritikë me qeverinë. Le të ngrohen e të marrin rrezet e fundit të stinës. Një tjetër betejë me Kryeministrin, i cili hap fronte të reja kërcënimi, vëmendjeje, zhurme, potereje, i pret. Të drejtës së fjalës një satër i rri mbi kokë nëse Edi Rama i shkon deri ne fund premtimit, me të cilin na ka qerasur së fundmi, atë të ndalimit të fjalës së lirë nëpërmjet “dënimit të shpifjes”.

Më këtë, ai synon që debatin politik ta shndërrojë në debat gjyqësor, duke paditur kësisoj politikanët e opozitës dhe zërat e kundërshtisë publike. Merret me mend se mes Kryeministrit dhe një deputeti të opozitës, mes një ministri dhe një gazetari a publicisti, anën e kujt do të marrë gjykatësi?! Qysh nga viti 2005, kur qeveriste Sali Berisha, ekziston një traditë që hierarkët e shtetit përgënjeshtronin, por nuk padisnin asnjë media.

Kjo ka kontribuar në forcimin e idesë së një gazetë, televizion, portal apo rrjetet sociale mund të jenë një faktor në ekuilibrimin e pushtetit dhe recetë ilaçesh kur ai çmendet. Shpesh me të vërteta, e pse jo edhe me shpifje, këtë fuqi të dhënë disa prej tyre e përdorën kundër Berishës dhe në favor të Ramës, i cili tanimë kjo këmishë, që ndoshta kushton 23 apo 230 dollarë dhe jo 23 mijë sa ç’thotë opozita, i rri tepër ngushtë.

Edi Rama është i zemëruar këto orë! Por edhe i mërzitur është. Nuk po kuptohet më në është shefi i atyre që e sollën në pushtet dy herë, apo vegël në duart e tyre. Nuk e kemi fjalën për ata që e votuan me besë e shpresë, me gaz në sy e gëzim në zemër!! Ata Zoti i ndihmoftë! Një kategori tjetër mbetet ku e ku më shqetësuese.

Ata që kontrollojnë prej s’vërteti territorin. Pikërisht soji i atyre që janë mbi ligjin, mbi pronën, mbi njeriun e zakonshëm, mbi policin dhe komisariatin. Syri i tyre bie mbi ta si rrufe zhgjetare duke i djegur si acid. Ky është ai prototip e tip që sjell me hazërllëk votat e munguara, bash ato që duhen për t’i dhënë ymër e shëndet, qeverisjes.

Më pas komandon, darovit, emëron, të sheh vëngër, të shan, të merr peng krenarinë dhe ëndrrat si qytetar bashkë me kartën e identitetit ditën e zgjedhjeve se më pronën publike e kanë zgjidhur me vakt. Kur nxehen me shpejtësi vetëtime, çojnë dorën mbi xheverdare! Me gjuhë më të sofistikuar, këto quhen grupe kriminale. Bashkimi i këtij fenomeni me ideologjinë dhe të lyera me gjalpin e propagandës përbëjnë thelbin e pushtetit aktual dhe të suksesit elektoral.

Njerëzit e Edi Ramës me thonj të gjatë e gërryejnë tokën e këtij vendi me thellë se plori. Me fytyrën që as u skuqet e as u zverdhet, shqiptojnë ato djerrina retorike që lënë shtang habie edhe më të paepurit ndaj befasive. Lokomotiva e ligjërimit është gënjeshtra, ndërsa vagonët pigmente të hazdisura të saj.

Muajt e fundit vihet re një ngut, një rendje, një vrap, një dihatje e një rënkim nga Kryeministri, për t’i venë shpatullat me çdo kusht botës që po i shembet mbi kokë. Skandalet pingrojnë si tehu i murlanit monopateve. Dy të fundit, “Babalja” dhe “Xhisela”, shfaqin disa përmasa të degradimit të kësaj maxhorance dhe të banalitetit të politikës në përgjithësi.

Shteti i njësuar me pushtetin nxjerr në ekran fytyrën e tij të shëmtuar duke luajtur pisët dhe ulet me llërat në batak. Ankthi i Edi Ramës nga velja e shoqërisë dhe opinionit publik me gjithçka ndodh e sidomos me paaftësinë apo mungesën e dëshirës së Kryeministrit për të ndërruar kahje, është i justifikuar. Mënyra për të ikur e atij, të kujton Makbethin. Është e gabuara. Rama po tenton t’u mbyllë gojën atyre që trazojnë pasi poshtë ka të fortët, lart gjykatat dhe prokurorinë, i mbetet vetëm llogaria me fjalën. Një hesap që kërkon ta mbyllë. Tani, kur gënjeshtarit i thua gënjeshtar, hajdutit hajdut, horrit horr, sundimit sundim një ditë më pas duhet të shkosh në gjykatë. Gjobën që do të marrësh, do ta përdorë qeveria për të na edukuar. Kush do të na edukojë?

Kryeministri, i cili qeveris si sulltan e që ka grumbulluar rreth vetes elemente subjekte të ligjit të dekriminalizimit e mbi të gjitha vlera minimale me dinjitet maçoku? Ministrat e tij që kanë dy pamje, ose të njeriut që qesh, ose të kalorësit me fytyrë të vrerosur, kur shefi i sheh ëmbël apo hungëron, të kenë pavarësi etike?

Si zor! Ata ministra që betonizojnë Butrintin për hatër të sallamit që shembin teatrin, mbushin vendin me kanabis e kokainë, që frikësojnë dhe joshin dëshmitarët e çështjeve, ata që firmosin koncesione, që bëjnë vetëm vija mbi rrugët e vjetra pa ndërtuar asnjë kilometër të re, këta do të jenë anëtarët e komisionit të etikës që do menaxhojnë paratë e fituara nga gjyqi!? Taksidarët e fjalës së lirë po shohin një ëndërr të keqe, e cila, kur të bëhet realitet, shënon fillimin e fundit për ta.

Nuk do të mungojnë trubadurët e oborrit, ata që do të bëjnë etyde për zemërgjerësinë e sundimtarit, duke na bindur që ne shume e kemi tepruar e asi zoti Rama shumë na ka falur, por gjithçka e ka një fund. Kjo vlen edhe për shumicën e politikanëve të Shqipërisë banalë deri në fëlligështi, të bajatshëm deri në krupe, të pazotë deri në përbuzje, të paditur deri në bezdi, të rrezikshëm deri në marri, të cilët, kur bien nga pushteti, kanë vlerë sa një gazetë e para një muaji. Por, vëmendje, tani e tutje duhet t’ua vërtetojmë në gjykatë. Një miku im, shkrimin e radhës do ta fillojë, duke brohoritur “Rroftë Edi Rama!”.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura