Shumë më keq se një humbje/ Juvja ringjalli në Milano plagë të së kaluarës, përmbysja është… historike

Jul 9, 2020 | 23:22
SHPËRNDAJE

Ishin përpara me dy gola dhe dukej sikur avantazhin +10 në renditje e kishin në dorë. Gjithçka dukej aq e bukur, kur papritur, pas një terri total prej 5 minutash e sheh veten të pësosh 3 gola dhe hedh në erë një fitore të sigurt. Ky makth i vuajtur të martën në mbrëmje nuk është një rast i izoluar në historinë bardhezi.

FBL-ITA-SERIEA-AC MILAN-JUVENTUS-HEALTH-VIRUS

Trauma e ndodhur në “San Siro” ka disa precedentë, në Itali dhe në Europë. Tifozët e Torinos për shembull e mbajnë ende në zemër fitoren e famshme 3-2 të 1983-shit, kur Juvja e 6 kampionëve të botës, plus Boniekun e Platininë në formacion kryesonte me dy gola falë realizimeve të Paolo Rosit dhe numrit 10 francez, e lëshoi veten duke u përmbysur në më pak sesa 4 minuta, pas golave të Dosenës, Bonesos dhe Torrizit.

Kjo humbje, për më tepër hodhi në erë titullin kampion, pasi ranë edhe në Romë kundër ekipit të Liedholmit e Falkaos. E tmerrshme edhe humbja e pësuar në gjysmëfinalen e Champions-it 1999 kundër Mançester Junajtid. Në ndeshjen e kthimit në Torino, Juvja kryesonte me dopietën e Inzagit, kur papritur e sheh veten të mundet 3-2 me gola të Kin, Jork e Kol dhe humbin të drejtën për të luajtur finalen, që “Djajtë e kuq” do ia rrëmbenin brenda 1 minute Bajernit.

Historike, por pa pasoja edhe përmbysja në Firence, në vitin 2013. Pasi Tevez e Pogba dukej sikur i mbyllën llogaritë, Hoakin dhe një dopietë e Rosit (në fund do festonte tripletë dhe rezultati do të ishte 4-2, si me Milanin) përmbysën sfidën në vetëm 4 minuta. Një tjetër dramë, sërish nga 0-2 në 4-2, por këtë herë u desh koha shtesë, Juves i ndodhi edhe në Mynih, kundër Bajernit në Champions-in e sezonit 2015-2016.

Pas golave të shpejtë të Pogbasë e Kuadrados, erdhi përmbysja e bavarezëve pas 120 minutave lojë. 4-2 i “San Siro”-s hyn në historinë e errët të Juves edhe sepse kishte 3 vite që ata nuk pësonin 4 gola në një ndeshje, më saktë që nga finalja e trishtë e Kardifit në Champions (vitit 2017), kundër Realit të Kristiano Ronaldos, i cili atë mbrëmje realizonte dy herë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura