“Shullazi” përplas Prelën me prokurorët e Krimeve të Rënda, pse nuk pranojnë shortin. Ngec pretenca

Sep 20, 2018 | 15:33
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Pas javësh zvarritje të procesit ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, duket se pretenca e shumëpritur nuk do të jepet, të paktën edhe për disa kohë të tjera.

shullazi-seance

Dosja, që deri në fazën e mbylljes së shqyrtimit gjyqësor kishte të paktën dy prokurorë, tashmë ka mbetur pa zot de facto. Elisabeta Imeraj është komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Eneid Nakuçi nuk ndodhet në Shqipëri dhe ka marrë raport.

Momentalisht, i vetmi prokuror i çështjes është Besim Hajdarmataj, i cili ka kryer katër muajt e parë veprime hetimore për “Shullazin”, por që kundërshtohet nga pala mbrojtëse. E në këto kushte, procesi merr një tjetër goditje kur drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, vendos të shtojë numrin e prokurorëve në dosjen “Shullazi”, duke përdorur shortin.

Pikërisht ky vendim i saj ka sjellë edhe përplasjen me prokurorët e tjerë. “Panorama” mëson se ditën e djeshme, Prela ka mbledhur prokurorët e Krimeve të Rënda, duke u komunikuar se do të hidhet short për vendosjen e dy prokurorëve të tjerë për dosjen “Shullazi”.

Mirëpo, prokurorët nuk kanë pranuar që shorti të hidhet, pasi, sipas tyre, kjo është e paligjshme. Ata kanë debatuar me Prelën, duke i kujtuar se dosja i ka tre prokurorë dhe në rast të tillë, të tjerët nuk mund të shortohen. Për këtë arsye, ata nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në short duke u larguar.

“Panorama” mëson se prokurorët e kanë vënë në dijeni Prelën se shortimi është i paligjshëm. Sipas tyre, ligji përcakton hedhjen në short të dosjeve, të cilat nuk kanë prokurorë. Kështu, Elisabeta Imeraj, edhe pse është komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës, vijon të jetë prokurore e çështjes.

Ajo nuk ka paraqitur dorëheqje nga dosja. Por, edhe nëse jep dorëheqjen, i takon drejtuesit të Prokurorisë të vendosë për pranimin e dorëheqjes. Gjithashtu, edhe Eneid Nakuçi, i cili nuk ndodhet në Shqipëri për momentin, vijon të jetë prokuror i çështjes “Shullazi”.

Edhe ky i fundit nuk ka paraqitur asnjë dorëheqje për dosjen në fjalë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili është aktualisht prokurori i vetëm i dosjes që u paraqit në seancën e fundit, që u shoqërua me debate të ashpra. Hajdarmataj, sipas burimeve të “Panoramës”, është prokuror i çështjes, pasi ai ka kryer veprime hetimore për rreth katër muaj për çështjen në fjalë.

Ligji parashikon që në rast se prokurorët e një çështje nuk paraqiten për të dhënë pretencën në Gjykatë, atëherë është drejtuesi i Prokurorisë ai që e merr situatën në dorë. Në këtë rast, duhej që Donika Prela dhe Besim Hajdarmataj të përfaqësonin akuzën në sallën e gjyqit dhe të japin pretencën për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Pretenca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij duhej të ishte dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që në muajin korrik.

Mirëpo, procesi gjyqësor ka vijuar të shtyhet që nga ajo kohë dhe deri tani. Asnjë prej prokurorëve të dosjes nuk ka marrë përsipër të ndërtojë konkluzionet përfundimtare, ndërsa Besim Hajdarmataj ka kërkuar më shumë kohë që të njihet me përmbajtjen e dosjes.

Për këtë çështje, ka folur edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili para largimit nga Shqipëria, tha se gjyqtarë dhe prokurorë janë shantazhuar për këtë çështje. Edhe vetë procesi ka marrë një rrjedhë të ndryshme, pasi pjesa më e madhe e dëshmitarëve që kanë akuzuar Shullazin janë tërhequr nga dëshmitë e tyre gjatë procesit gjyqësor. I vetmi që u ka qëndruar deklarimeve është dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura