Shukri Xhelili çon Ramën në Kushtetuese, apelon shkarkimin nga detyra

May 25, 2016 | 15:39
SHPËRNDAJE

Shukri Xhelili po vuan arrestin me burg pas 3 akuzave në lidhje me videoskandalin, që i kushtoi edhe shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut. Por, Shukri Xhelili po provon edhe mundësinë e fundit në hierarkinë ligjore.Shukri-Xhelili-CVAi ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave, që e shkarkoi për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve. Në të shkuarën, gjykata ka marrë vendime për dy raste të ngjashme shkarkimi, kur dy kryetarë komunash u shkarkuan nga qeveria në vitin 2011 dhe 2013, pas raporteve të deklarimit të pasurive dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Vendimet e gjykatës janë barazim. Për të parin është lënë në fuqi vendimi i qeverisë, për të dytin vendimi i qeverisë është rrëzuar dhe kryetari i komunës u kthye në detyrë.

Sido që të jetë vendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese, efekti i menjëhershëm i ankimimit është pezullimi i veprimeve që kanë lidhje me shpalljen e zgjedhjeve, sepse Kushtetuta detyron Presidentin që të presë vendimin e Kushtetueses.

Në një afat normal, gjykata ka kohë dy muaj ta marrë në shqyrtim çështjen dhe më pas nuk ka kufizim kohor se kur e shpall vendimin. Por, burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se gjykata do të ketë një vendimmarrje të shpejtë për këtë çështje, për shkak të interesit të lartë publik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura