Shuhet Vilson Kilica, mjeshtri i pikturës shqiptare (FOTO)

Jul 9, 2016 | 10:17
SHPËRNDAJE

Tashmë ai është kthyer në frymë. Braktisi trupin për t’u endur hapësirave të Leningradit, rrugëve ku shëtiti kur ishte student, të prekë kodrinat e buta të Tiranës, të kthehet në erë që valëvit fustanet e vajzave me biçikleta… për të mbetur përjetësisht mes tonë.

Tabloja “Shpallja e Republikës” (1983)
Tabloja “Shpallja e Republikës” (1983)

Vilson Kilica, mjeshtri i pikturës shqiptare, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Një sëmundje e rëndë, që e mundonte prej disa vitesh, e ndau prej familjarëve, miqve, kolegëve, duke lënë pas kujtimin e një njeriu të mirë, një artisti të talentuar, një pedagogu që ndante dijen e tij me studentët.

Një emër, pa të cilin historia e artit pamor shqiptar do të ishte e mangët.

Deri në fund të jetës së vet ai i qëndroi besnik karakterit të tij, përtej pozave dhe shfaqjeve pompoze.

E tillë ishte edhe lamtumira e tij dje në orën 13:00. Ai u përcoll me një ceremoni familjare, pa shumë bujë, edhe pse Kilica meritonte të përcillej në banesën e fundit me duartrokitje të gjata.

PIKTORI

Janë me dhjetëra ato tablo, që mbajnë firmën e Kilicës. Që tek ato romantiket, e krijuara gjatë viteve të shkollës, peizazhe, portrete, natyra të qeta, kompozime me karakter heroik, siç e kërkonte koha.

Vilson Kilica gjatë viteve të studimeve
Vilson Kilica gjatë viteve të studimeve

Ndër këto të fundit është edhe “Denoncimi i traktatit të Varshavës” apo “Shpallja e Republikës” (1983), e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, që ka në qendër figurën e Enver Hoxhës dhe të tjera figura të rëndësishme të kohës (Omer Nishani, Baba Faja Martaneshi, Myslym Peza, Gogo Nushi…).

Nuk ishte e rastit që veprat e tij do të ishin më të kërkuarat nga institucionet e rëndësishme të kohës. Kështu, vepra “Punëtorët”, me të cilën ka fituar Çmimin e Republikës, pronë e Galerisë së Arteve, me urdhër të Mehmet Shehut është vendosur në Shkollën e Partisë.

“U kthefsh me lirinë”, ndodhej në vilën e Mehmet Shehut. Edhe pse të politizuara, këto të fundit, janë më të realizuarat në llojin e tyre nga ana kompozicionale.

Ndërsa “Brigadieret” është një ndër punët-simbol të tendencave moderniste në artin shqiptar në vitet ’70. Por, pavarësisht kontekstit ku u krijuan, ato ruanin individualitetin dhe vlerat artistike.

JETA

Piktori Vilson Kilica ka lindur në vitin 1932 në një familje patriotike. Gjyshi i tij, Tonç Kilica, ka qenë kryetar i Bashkisë së Fierit në vitin 1912 dhe ka ngritur flamurin e Pavarësisë në këtë qytet.

Talenti i piktorit të ardhshëm do të shfaqej hershëm dhe, në vitin 1949, do të niste Liceun Artistik “Jordan Misja”, nën drejtimin e piktorit Sadik Kaceli dhe do të përfundonte studimet me medalje ari. Në vitin 1952 do të niste studimet në Akademinë e Arteve “I. E Rjepin” në Leningrad, ku ka mundësinë të studiojë në atelienë me profesor B. V. Ioganson.

Përveçse do të shquante ndër studentë të tjerë për kompozimet dhe vizatimet e tij, do të përfundonte studimet “Shkëlqyeshëm”.

Pas diplomimit do të kthehej në Shqipëri dhe do të ishte një nga kontribuuesit kryesorë në ngritjen e Institutit të Lartë të Arteve, në mbledhjen e stafit pedagogjik dhe hartimin e programeve mësimore.

Përveçse do të ishte një nga krijuesit dhe drejtori i parë i ILA-s, sot Universiteti i Arteve, Kilica do të kishte edhe pozicione të tjera të rëndësishme drejtuese.

Pavarësisht periudhës kur janë krijuar, të gjitha veprat e tij lidhen me njëra-tjetrën nga mjeshtëria e përdorimit të ngjyrës, dritës dhe energjisë pozitive. Ka hapur shumë ekspozita personale dhe në grup.

Disa nga veprat e tij më përfaqësuese, 40 syresh, që shpalosin disa etapa të krijimtarisë së tij, por edhe të artit pamor në përgjithësi, në Shqipëri, ruhen dhe ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, ndërsa shumë të tjera ruhen në Galerinë e Arteve në Fier, në koleksionin e familjes dhe në koleksionistë privatë. Mbi 100 të tjera ndodhen në koleksione private në SHBA, Gjermani, Francë, Itali etj.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura