Shuhet Tonin Tërshana, takimi i fundit me këngëtarin

Sep 23, 2015 | 7:13
SHPËRNDAJE

Me një kanatiere të bardhë doli të më priste në oborrin e gërmadhës që quhej “shtëpi me qira”, në një rrugicë të humbur të një lagjeje po aq të humbur, siç është ajo sipër kodrave të Shish- Tufinës.

Tonin Tershana
Tonin Tershana

Mezi merrte frymë, ndërsa fërkonte gjoksin që i nxirrte herë ca si fishkëllima e herë si kollë të thatë. “Jam pak pa qejf”, më tha, ndërsa bashkë me të shoqen, Merin, më futën në sallonin pritës të shtëpisë.

Ky ishte takimi im i parë me Tonin Tërshanën (dhe i fundit), që do të zgjaste disa orë, teksa e intervistoja për karrierën ndër vite, jetën në emigracion, kthimin në Shqipëri dhe së fundmi, marrjen e shtëpisë së re që iu mundësua nga Bashkia e Tiranës. Ishte shumë i lumtur që më në fund do të bëhej me çati të vet, ndaj ato shtrëngimet instiktive që i bënte kraharorit me duar, më lanë përshtypjen e një artisti të mbushur me emocione dhe aspak të sëmurë.

Perceptime të gabuara nga ana ime, që ndodhën më pak se 3 javë më parë… Ato që dukeshin si emocione, kishin qenë simptomat e një infarkti që i morën jetën një prej këngëtarëve me më shumë trofe të fituar në vendin tonë, Tonin Tërshanës. Ai ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme, duke lënë pas bashkëshorten Meri dhe dy vajzat e tyre…

BISEDAT NGA TAKIMI I FUNDIT
Edhe pse 30 vite në skenë si këngëtar dhe gati 20 vite duke punuar në emigracion, 68-vjeçari që gëzonte titullin presidencial “Mjeshtër i Madh” mbahej me pension. Nuk fajësonte njeri për këtë.

“Unë i kam pasur mundësitë e mia në jetë. Fitova çmim të parë që kur isha 16 vjeç, këndova në dhjetëra festivale, por u tërhoqa shpejt nga muzika, isha 38 vjeç. Nuk e di pse u largova…”, më tha Tonin Tërshana gjatë bisedës së fundit, por jo pa pendim. Pavarësisht se pas ndërrimit të sistemit i ishin dhënë shumë mundësi që të këndonte nëpër dasma, lokale, apo aktivitete të tjera, ai preferoi më mirë që të punonte në ndërtim, se sa të bënte ahengje, siç i quante ai. “Shumë mirë bëjnë këngëtarët që këndojnë kudo që i ftojnë, por ja që unë nuk e bëja dot”, tregonte Tonin Tërshana.

E kishte fiksim që më shumë se sa vlerat për veten, të identifikonte miqtë që e kishin ndihmuar në jetë. Ndaj, biseda shkonte nga shkonte, dhe Tonin Tërshana përmendte Petrit Dumen apo Vaçe Zelën. “Ishin dy njerëz që më ngritën në karrierë, pavarësisht se unë nuk dita ta mbaj veten në muzikë pas ndërrimit të sistemit”, thoshte ai.

JETA PRIVATE
Ai e kishte mbiemrin Palushi, por një gabim teknik nga gjendja civile e regjistroi si Tërshana dhe kështu mbeti mbiemri i tij. I lindur dhe i rritur në Shkodër, Tonini u bë banor i Tiranës pas vitit 1970, pasi u martua me një vajzë nga kryeqyteti. Jeta e re nuk i rezultoi e suksesshme, edhe pse ai e quante të tillë, kur kujtonte se nga ajo martesë pati një vajzë.

Fatkeqësisht, ajo i ndërroi jetë para tri vitesh në një aksident, në moshën 32-vjeçare. Duket se kjo ishte goditja e parë e Tonin Tërshanës për fundin e afërt, edhe pse gjatë rrëfimit nuk e lëshonte veten nga dhimbja. Ai e quante veten të bekuar për dy vajzat e tjera që kishte, nga martesa e dytë me Merin.

Sapo kishte marrë lajmin dhe çelësat për shtëpinë e re që ia mundësonte Bashkia e Tiranës, megjithatë Tonin Tërshana ishte i lumtur, por edhe i menduar. Sepse shtëpi sociale nuk do të thotë se ta ka falur bashkia, por se duhet ta paguash atë. Dhe Tonin Tërshana do të duhej të paguante gati 190 mijë lekë në muaj dhe si me zor, më thoshte se është ngushtë nga lekët. “Për shtëpinë që na është dhënë duhet të paguajmë 183 mijë lekë në muaj për 20 vjet, ndërsa aktualisht për qiranë ku jetoj janë 150 mijë lekë. Si t’i përballoj?!”, qante hallin Tonin Tërshana.

I pyetur se pse nuk shkonte te shtëpia e re që ia mundësoi bashkia, ai më tha: “Do të doja, por atje nuk ka asgjë. Është komplet bosh, pa lavaman, pa banje, pa asgjë prej gjëje, pa hyrë te mobilimi. Nuk kam me çfarë t’i blej gjërat më elementare”. Dikur, familja Tërshana ka pasur një shtëpi dhomë e kuzhinë te zona e “Oxhakut”, në Tiranë. Por, ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë, edhe Tonin Tërshana e shiti shtëpinë duke lënë peng paratë në firmat piramidale, konkretisht te “Sudja”.

“Ndodhi si të gjithë që u futën në firmat piramidale, edhe unë të njëjtën gjë bëra, ndaj mbeta në rrugë. Kam pasur një shtëpi timen, por u gënjeva nga firmat dhe mbeta pa asgjë. Përveçse pa shtëpi, mbeta pa punë, pa para. Kam 20 vjet pa shtëpi. Prej 15 vitesh kam jetuar në Greqi, në emigracion dhe bëra punë nga më të ndryshmet në ndërtim, edhe hamall madje”, rrëfente ai. Këngëtari me 4 çmime të para në Festivalin e RTSH-së nuk pretendonte luks, por vetëm diçka modeste që të mund të quhet shtëpi… Një “çati” që nuk e pati deri në vdekje!

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura