Shuhet Kristo Frashëri, libri i fundit për historinë e Çamërisë

Feb 1, 2016 | 13:36
SHPËRNDAJE

Autor i dhjetëra librave, një nga emrat më të mëdhenj të historiografisë shqiptare, akademiku Prof. Dr. Kristo Frashëri u nda nga jeta mbrëmjen e së dielës në moshën 96-vjeçare.

Deri në çastet e fundit të jetës, Prof. Frashëri ka vijuar me intensitet punën kërkimore. Vetëm pak muaj më parë, në nëntor, ai do të promovonte librin e tij të fundit mbi një nga temat më të nxehta shqiptare, çështjen çame: “Historia e Çamërisë” (botim i “UET Press”).

Kristo Frashëri
Kristo Frashëri

Ndërsa gjatë vitit 2014 ka botuar tri vepra të rëndësishme: “Principata e Arbërisë: 1190-1215”, “Jeta e një historiani” dhe “Ahmet Zogu: vështrim historik”. Me ndarjen nga jeta të Kristo Frashërit, historiografisë shqiptare do t’i mungojë një zë i rëndësishëm, autoritar, i cili zotëronte me kompetencë njohuri për një periudhë të gjerë të historisë së Shqipërisë, që nga mesjeta, deri në çlirimin e Shqipërisë. Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës u shprehën dje ngushëllimet familjarëve të historianit dhe gjithë botës akademike. Sipas njoftimit të ASH-së, homazhet në nderim të tij do të mbahen nesër nga ora 12:00-13:00 në Akademinë e Shkencave.

HISTORIANI Kristo Frashëri lindi në 4 dhjetor 1920 në Stamboll, Turqi. U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë më 1927. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike, në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në radhët partizane. Në vitet 1945–1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (Sektori i kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955). Prej vitit 1953 punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT. Më 1966 u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit, më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990). Më 1997 u emërua zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1999 përsëri në pension. Ka marrë dy herë “Çmimin e Republikës” të kl. I (1961, 1984). Është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

VEPRAT Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: antikiteti, mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe koha e sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore. Ka marrë pjesë me referate në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Si pedagog i Historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj. Puna e tij kërkuese përfshin një periudhë 77-vjeçare, qysh prej vitit 1938, kur ka botuar edhe shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, deri në “Historia e Çamërisë së Epirit”, mbështetur nga Ministria e Kulturës.

frasheri

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura