Homazhe për Gaqo Çakon, zërin brilant të operës dhe këngës së lehtë shqiptare

Aug 2, 2018 | 7:47
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/Degën e dafinës mbrëmë e lëkundi shpirti i lehtë i Gaqo Çakos. Një nga zërat më brilant të operistikës dhe muzikës së lehtë shqiptare u shua mbrëmë, në moshën 83-vjeçare. Ashtu i qetë, i paqtë, artisti i madh i skenës shqiptare u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Tiranë, rrethuar nga njerëzit e dashur.

Lajmin e hidhur e ka dhënë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ku ai investoi vitet më të bukura dhe më të suksesshme të jetës dhe karrierës së tij të gjatë si këngëtar. “Lamtumirë simboli historik i operës dhe muzikës shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Çako. Me hidhërim të thellë bëjmë me dije se pak minuta më parë është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, simboli historik i muzikës operistike shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Çako.

Mjeshtri i madh u shua në shtëpinë e tij në Tiranë”, njofton TKOB, duke ngushëlluar familjarët. Gaqo Çako do të mbetet në historinë e muzikës operistike dhe të lehtë shqiptare, si një nga zërat më të bukur dhe një nga artistët më të përkushtuar e të dashur për publikun shqiptar.

Ndonëse i shkolluar si këngëtar lirik, me një karrierë të shkëlqyer që nisi që në vitet e shkollës në Bashkimin Sovjetik, Gaqo Çako do të kujtohet nga publiku i gjerë për interpretimin e muzikës së lehtë, e deri sa iku një nga meraket e tij të mëdha ishte pikërisht deformimi i saj prej kompozitorëve dhe këngëtarëve të sotshëm. “Kam kënduar në gati 30 festivale, këngë që këndohen ende, të krijuara nga kompozitorët tanë më të mirë.

Më i adhuruari për mua ka qenë Limoz Dizdari, i cili ka shkruar këngë të pavdekshme, që nderojnë muzikën shqiptare. Kultura shqiptare nuk mund të zhvillohet pa njerëz si Limozi, Tish Daija, Çesk Zadeja, që kanë shkruar vepra shumë të bukura. E shoh me keqardhje se si merren këngët dhe transformohen. Nëse ato këngë nuk pëlqehen, atëherë le të krijojnë të tjera, por jo t’i transformojnë”, do të thoshte Çako në një intervistë për gazetën “Panorama”, kur mbushi 80 vjeç dhe si surprizë i bënë një koncert me krijimtaritë më të mira të interpretuara prej tij.

Gaqo Çako shpenzoi një jetë të tërë me muzikën dhe për muzikën, në një familje artistësh, pranë bashkëshortes Luiza, edhe ajo këngëtare dhe të birit, kantautorit Pirro Çako. Kur dëgjon sot regjistrimet e vjetra të Çakos, kushdo, edhe një vesh i pastërvitur, do të mund të thoshte me plotë gojën, se nëse do të kishte jetuar në kohëra të tjera, Gaqo Çako do të ishte bërë një yll botëror. Dhe jo se në vitet e shkollës nuk i pati ofertat apo të tjera raste më vonë, gjatë koncerteve e turneve jashtë shtetit, por ai ishte i lidhur thellësisht me vendin e tij, ndonëse në kushte izolimi. Kur flisje me të, nuk e fshihte se e kishte vuajtur mungesën e lirisë në art.

“E kemi vuajtur shumë atë periudhë, pasi ne krijuam një stad te publiku, një stad të fillimit të kulturës së kultivuar shqiptare. Më kujtohet, unë e kam luajtur “Traviatën” rreth 70 herë, për të vijuar me “Bohemën”, “Cavalleria Rusticana” etj. E kemi vuajtur atë periudhë, sepse artisti nuk mund të këndonte atë që dëshironte. Sigurisht, asokohe u krijuan vepra me vlerë. Kompozitorët u angazhuan që të mbushnin boshllëkun që krijoi ndalimi i veprave të huaja. U krijuan opera, balete, romanca, të cilat fatkeqësisht luhen shumë pak. Edhe pedagogët shumë pak vepra shqiptare u japin studentëve”, do të thoshte Çako, me merakun e përhershëm të thatësirës muzikore të viteve të fundit.

Një artist si Gaqo Çako nuk mund të mos ishte i shqetësuar për muzikën, ndonëse ai vetë e ka kryer misionin e tij, u fali gëzim shqiptarëve edhe atëherë kur gëzimi dhe drita ishte aq e paktë dhe la pas interpretime të shkëlqyera, që do të jetojnë shumë më shumë se jeta e tij fizike.

ARTISTI

Gaqo Çako ka lindur më 24 janar 1935, është këngëtar shqiptar. Mban titullin “Artist i Popullit”. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961, ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma” etj., si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit etj., e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios. Të paharruara do të mbeten këngë si “Këputa një gjethe dafine” apo “Udhët e atdheut”.

Postimi i plotë

Lamtumire “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako!

Homazhet ne nder te Gaqo Cakos – “Nderit te Kombit”, do te zhvillohen ne hollin kryesor te Muzeut Historik Kombetar prej ores 11:00 deri ne oren 12:00 te dites se neserme.

Ne oren 12:00 do te behet nisja e kortezhit mortor nga Muzeu Historik Kombetar drejt varrezave te Sharres per te percjelle ne banesen e fundit virtuozin e skenes operistike dhe muzikes shqiptare, “Mjeshtrin e Madh” – Gaqo Cako.

38033326_1059120394241147_2204704071355465728_n

SHPËTIM SARAÇI: NË KUSHTE LIRIE DO TË ISHTE NJË YLL NDËRKOMBËTAR

Për kompozitorin Shpëtim saraçi, Gaqo Çako ishte shumë më tepër se një zë. Ishte një njeri i dashur, të cilit ai i drejtohet si të ishte dikur fëmijë. “Lamtumirë xhaxhi Gaqo. Faleminderit pafund për dashamirësinë që ke treguar gjithmonë për mua. Do mbetesh një nga baballarët më të mirë të shokëve të mi, Artisti-krenari kombëtare dhe zëri(tenori)i paharruar për shumë breza. Sigurisht që, nëse do jetoje në kohë lirie, do ishe një yll ndërkombëtar, e them me siguri. Do të kujtoj gjithmonë me nostalgji. Pushofsh në paqe”, shkruan Saraçi, i cili aktualisht jeton në SHBA. R.I.P

Ardit Gjebrea: Tenori me zërin më të bukur

Ai ka pasur fatin ta ftojë dhe ta prezantojë në skenë, ndërsa mbrëmë duhet t’i jepte lamtumirën. “Humbje e madhe për artin kombëtar – Gaqo Çako – tenori me zërin më të bukur që na dha aq emocione dhe vepra të papërsëritshme! Paqe për ty Maestro!”, shkruan kantautori Ardit Gjebrea.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura