Shtyrja e zgjedhjeve? Vasili: PD-ja nuk gjen dot kandidatë për Bashkinë e Tiranës. Reagon selia blu

Mar 27, 2015 | 21:15
SHPËRNDAJE

“Zgjedhjet e 21 qershorit nuk shtyhen. Shantazhi i Partisë Demokratike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale është qesharak”. 

Petrit Vasili

Kështu ka deklaruar sot Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat, duke iu referuar PD-së, përfaqësues të së cilës thanë se nuk do të futen në zgjedhje nëse nuk përfundon procesi i dekriminalizimit. 

Për Vasilin, zgjedhjet e 21 qershorit nuk shtyhen. Ai theksoi se kjo deklaratë është një justifikim nga ana a PD-se. 

“Partia Demokratike nuk gjen dot kandidatë për zgjedhjet vendore dhe kjo forcë politike nuk ka kandidatë për Bashkinë e Tiranës”, tha  Vasili. 

I pyetur për çështjen e dekriminalizimit dhe propozimet që PD ka bërë në Kuvend, Vasili u shpreh se PD-së “i ka dalë boja me dekriminalizimin”. 

“Mazhoranca do të zgjedhë figura me integritet. Kandidimi i të pavarurve ndihmon demokracinë”, theksoi Vasili. 

Reagon PD: LSI do përfshijë në fushatën zgjedhore kontigjentë të krimit 

Pas deklaratave të Vasilit ka reaguar Partia Demokratike e cila “dënon ashpër qëndrimin e Ilir Metës kundër procesit të dekriminalizimit para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit”.

Sipas kesaj force politike, ky qëndrim “demaskon synimet e kreut të LSI për të kandiduar dhe përfshirë në fushatën zgjedhore kontigjentë të krimit me qëllim presionet dhe blerjen e votës siç bëri edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare. Partia Demokratike është e vendosur të ecë përpara me dekriminalizimin e politikës me çdo çmim. Qytetarët shqiptarë meritojnë një politikë të pastër nga krimi dhe korrupsioni”,- thuhet ne njoftimin per shtyp.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura