Shtyrja e rivlerësimit deri në korrik 2022, Shoqata e Ndërmjetësuesve: Potencial për rivlerësim me çmim të tregut, do jenë apartamentet e blera që në gropë

Jan 3, 2022 | 23:49
SHPËRNDAJE

Shtyrja e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim 3% deri në fund të muajit korrik 2022 do të rrisë transaksionet e rivlerësuara sipas çmimit të tregut për apartamentet që përfundojnë punimet në 2022, të prenotuara për blerje nga qytetarët që në fazën e parë të ndërtimit dhe për 23,000 shtëpi që janë në proces legalizimi.

pot

Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) miratuan shtyrjen e procesit deri më 31 prill 2022 dhe me mundësi pagese të tarifës deri në fund korrik 2022. Afati i rivlerësimit përfundonte më 31 dhjetor 2021.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësuesve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) pohoi për Monitor se gjitha apartamentet që përfundojnë në 2022 dhe do të pajisen me hipotekë janë potencial për rivlerwsim të pasurive me çmimin e tregut. Duke qenë se shumica e apartamenteve në Tiranë prenotohen për blerje në fazën e karabinasë të ndërtimit, rivlerësimi u jep mundësi ndërtimeve që përfundojnë në 2022 të reflektojnë çmimin e tregut.

Për 2021 ishin 23,000 shtëpi në proces legalizimi. Shtyrja e afatit të rivlersimit sipas Shoqatës të Ndërmjetësuesve u jep mundësinë edhe këtyre pronave të rivlersohen me çmimet aktuale të tregut.

Efekte pozitive shtyrja e rivlersimit do të ketë dhe në arkëtimin e të ardhurave. NAREA parashikohen të arkëtohen 25 mln euro të ardhura nga aplikimet e rivlerësimit për të cilat ende nuk është paguar tatimi 3%. Referuar të dhënave të ASHK janë 16,682 aplikime për 2021 që nuk është paguar taksa. Për totalin e aplikimeve të përfunduara në 2021 u arkëtuan rreth 30 mln euro. Nga 56,623 aplikime të 2021 u pagua tatami për 32,944. Nga ASHK mbetën të patrajtuara 2,506 aplikime dhe 4,491 prej tyre u anuluan.

Duke qenë se procesi i rivlerësimit po jep efekte pozitive në tregun e pasive të paluajtshme, NAREA pritet që shumë shpejt të propozojë një formulë që do të qëndrojë afatgjatë, duke shmangur shtyrjet e shpeshta të procesit. Metoda e re e rivlerësimit që po hartohet nga agjencitë mobiliare në bashkëpunim me MFE pritet të kategorizojë apartamentet sipas vjetërsisë, amortizimit dhe rregullave kontabël.

Kjo është hera e katërt që brenda një periudhe të shkurtër ndryshon afati i përfundimit të procesit. Ligji për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme hyri në fuqi që në 1 janar 2020, por zbatimi i tij nisi me vonesë, për shkak të mungesës së udhëzimit, i cili hyri në fuqi në fillim të muajit shkurt. Për periudhën janar-maj 2020 MFE njoftoi se numri i aplikimeve ishte i ulët dhe për këtë arsye nga 30 shtator 2020 që ishte afati i përfundimit u shty deri në fund të vitit të kaluar. Afatet e përfundimit të rivlerësimit u ndryshuan përsëri, për shkak të numrit të ulët të aplikimeve nga situata e krijuar nga pandemia, duke vendosur si afat të mbylljes të amnistisë 31 dhjetorin 2021./Monitor/

© Panorama.al

Te lidhura