Vrasja e Lamajt, Prokuroria nxjerr fakte të reja në Apel: Ja pse telefonat e Frrokut dalin rrugës për në Elbasan

Jun 13, 2015 | 7:30
SHPËRNDAJE

Dhjetë javë nga dita kur Arben Frroku u shpall i pafajshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe u lirua nga izolimi, një përfaqësues i Prokurorisë kërkoi dje kthimin e tij në qeli, duke renditur disa fakte e interpretime të reja.

Arben Frroku

Kërkesa e prokurorit Bujar Sheshi u artikulua në seancën e radhës të procesit gjyqësor në ngarkim të biznesmenit Arben Frroku në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. I pandehuri Frroku nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit për arsye shëndetësore, por ai u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës.

Para pesëshesh gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Fehmi Petku, prokurori pretendoi se Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda kishte gabuar kur kishte deklaruar të pafajshëm Frrokun, i dyshuar për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.

Në përfundim, Prokuroria i kërkoi Apelit ndryshimin e vendimit të 3 prillit 2015, që shpalli të pafajshëm biznesmenin, deklarimin e tij të fajshëm dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Pasi u njoh me kërkesën e akuzës, Gjykata shtyu seancën për në datë 22 qershor, kur pritet të njihen me pretendimet e mbrojtjes së biznesmenit Frroku.

DESHMITARI I MBROJTUR
Argumenti qendror i ankimit të Prokurorisë ndaj vendimit të pafajësisë së Arben Frrokut ishte mënyra e vlerësimit nga Gjykata e dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur, Arben Ndoka. Sipas prokurorit Fusha, Gjykata e Shkallës së Parë ka gabuar kur e ka konsideruar dëshmitarin si të pabesueshëm dhe kontradiktor. Para pesëshes së Apelit, prokurori tha se dëshmia e Ndokës gjente mbështetje në një sërë provash të tjera të paraqitura në proces.

Sipas tij, dëshmia e Ndokës se para ngjarjes kishte pasur një ndërprerje të dritave dhe se kishin qenë dy breshëri automatike, ishte pohuar dhe nga dëshmitarë të tjerë në proces. Në të njëjtën formë, prokurori argumentoi edhe të dhënat që Ndoka ka dhënë për llojin, ngjyrën dhe targën e automjetit të përdorur nga autorët e ngjarjes. Nga Akuza u konsideruan të përputhura me prova të tjera edhe pretendimet e Ndokës për largimin e automjetit me shpejtësi dhe vendndodhjen e tij në raport me një kabinë telefonike.

Prokurori tha se dëshmia e Ndokës mbi përpjekjet e tij për të kontaktuar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përmes dëshmitarit Ylli Memia, konfirmohet nga tabulatet telefonike të tyre. “Dëshmia e dëshmitarit Arben Ndoka është e saktë, e plotë dhe shërben për të provuar fajësinë e të pandehurit”, tha përfaqësuesi i Akuzës.

KAMERAT
Në ankimin e Prokurorisë pretendohej se vlerësimi i Shkallës së Parë në vendimin përfundimtar se dëshmitari Ndoka nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes, për shkak se shfaqej në pamjet filmike të kamerave të sigurisë 3 minuta e 50 sekonda pas ngjarjes, nuk është i arsyeshëm.

Sipas Prokurorisë, kamerat e sigurisë janë të fiksuara dhe fakti që dëshmitari nuk shfaqet në pamje nuk do të thotë se nuk është në vendin e ngjarjes, por që është jashtë fushëpamjes së kamerës. Prokuroria vlerësonte si të besueshme edhe dëshminë e bashkëshortes së dëshmitarit të mbrojtur, Liza Ndoka.

Në lidhje me analizën e qelizave telefonike të lëvizjes së Frrokut, prokurori pretendoi se telefonat janë përdorur nga një person tjetër që i ka marrë me vete dhe është nisur përpara për të krijuar alibi, ndërsa më pas i janë dhënë Frrokut pas atentatit në Tiranë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura