Shtrëngimi i masave/ Rama nxjerr videon e pacientëve nga spitali Infektiv: Kur përballesh me vendimin e gabuar për të refuzuar vaksinën

Dec 4, 2021 | 14:05
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook një video me rrëfimet nga disa pacientë të shtruar në spitalin Infektiv teksa apelon për kryerjen e vaksinës anti-Covid.

Duke iu referuar deklaratave prekëse që bëjnë të shtruarit në spital, Rama thotë se kjo është pasojë e vendimit për të mos u vaksinuara.

“Kur përballesh me vendimin e gabuar për të refuzuar vaksinën?
#VaksinohuPlotësisht?
#BëjDozënPërforcuese?
#ShëndetiMbiTëGjitha?”, shkruan Rama.

Kujtojmë që kryeministri Edi Rama paralajmëroi më 2 dhjetor se në Shqipëri do të vijë dita që nëpunësit e administratës apo ata që kanë biznese dhe qytetarë do u ndalohet të dalin apo të shkojnë në punë nëse nuk kanë kryer vaksinën anti Covid.

Ndërkohë Komiteti Teknik i Ekspertëve lajmëroi gjithashtu masat e reja kufizuese sa i takon situatës nga pandemia në vend.

Apeli i qytetarëve të shtruar në spitalin Infektiv:

“Në familjen time të gjithë janë të vaksinuar, përveç meje sepse ajo ishte zgjedhja ime. Dhe kjo zgjedhje e gabuar më çoi këtu ku jam. Dua të them që të gjithë të rinjtë pa përjashtim duhet të vaksinohen”

“Po ju them të gjithëve të vaksinohen se do të përfundoni si puna ime këtu”

“U bëj thirrje të gjithëve mos ta marrin për shaka”

“I bëj thirrje të gjithë moshës të rinjve, se 45 vjeç jam edhe më të vegjël, të vaksinohen një orë e më parë. Po të ishim vaksinuar do të ishim në shtëpi me kalamanjtë”

Masat e Komitetit Teknik të Ekspertëve:

Duke u bazuar në situatën epidemiologjike, në rritjen e qarkullimit të virusit Omicron në Europë dhe faktit që stina e dimrit rrit mundësinë për marrjen e infeksionit Sars Cov2, Komiteti ka vendosur si më poshtë:

1. Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.
2. Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.
3. Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet:
Afrikë e Jugut
Kenia
Angola
Zambia
Bostëana
Senegal
duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore.

Masat e tjera në fuqi:
Masat e tjera vijojnë si më poshtë:
-​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
-​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
•​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
•​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
•​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
•​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
•​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
-​Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
-​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura