Shtyrja me një javë e nisjes së aksionit kundër informalitetit ka bërë që disa biznese të lënë mënjanë frikën dhe të hapin përgjysmë qepenat dje pas orës 15:30. Një pjesë e mirë kanë vijuar t’i mbajnë mbyllur, kurse ata që kanë pasur guximin t’i rihapin, janë ngushëlluar me faktin që administrata e mbyll punën pasdite.
Aktualisht kontrollet në terren kanë vijuar nga grupet operacionale të Tatimeve. Të paktën, gjatë një rasti prezent u konstatua se grupet kanë hyrë në barkafe në mënyrë rastësore duke kontrolluar kuponët tatimorë mbi tavolinat e lokalit dhe më pas kanë vijuar me procedurat e tjera.
Një situatë e tillë më shumë sesa me mbledhjen e informacionit nga terreni dhe konstatimin e problemeve, lidhet edhe me mbajtjen e frymës së nisjes së aksionit që u deklarua dy ditë më parë, por që u shty.
Në fakt, pjesa që konsiderohet e shtyrë është nisja e zbatimit të penaliteteve ndaj bizneseve që gjenden me shkelje. Sakaq, nisur nga kërkesat e larta për formalizim është lënë një afat prej një jave për mbylljen e procedurave.
“HILETË” E LOKALEVE
Shtrëngimi i masave duket se i ka detyruar bizneset që t’u kthehen “hileve” të vjetra të disa viteve më parë për sa iu përket kuponëve tatimorë. Kështu, një e tillë është ajo e prerjes së një kuponi dhe përdorimin e tij në disa raste. Për shembull, nëse në orën 10:00 një klient ka porositur kafe pranë një bari, i njëjti kupon për porosinë kafe i kalohet në tavolinë edhe një klienti tjetër që porosinë e bën në orën 11:30.
Kjo pa dyshim që nga administrata tatimore konstatohet, por për klientin pasja e kuponit tatimor është e mjaftueshme duke mos parë më tej specifikat. Një situatë e ngjashme si kjo është konstatuar gjerësisht gjatë 2009-s dhe 2010-s kur u vendosën pajisjet fiskale masivisht.
KONTROLLET
Administrata Tatimore, Doganore, Inspektorati i Punës dhe Hetimi Tatimor do të organizohen në grupe që do të kalojnë në skaner të gjitha bizneset në vend, nga ai i vogël tek ai i mesëm dhe i madh.
Paraprakisht në javët e fundit administratat janë trajnuar lidhur me disa specifika, si dhe iu është qartësuar përmes qarkoreve të brendshme çfarë duhet të kenë parasysh në aktin e konstatimit pas një kontrolli.
Aktualisht në terren do të jenë 600 grupe pune, të cilat kanë të ndarë hartën e zonës që do të skanojnë, si dhe bizneset që ndodhen në të. Kontrollet do të kryhen sipas një grafiku dhe fokusi do të jetë i njëjtë për të tria kategoritë e biznesit.
NERTILA MAHO