“Shteti kërkon 20 % TVSH të naftës që marrim në Greqi”. Peshkatarët e Sarandës: Po falimentojmë

Jul 30, 2015 | 12:53
SHPËRNDAJE

Rreth 11 peshkatarë, pronarë anijesh, siç i quajnë ata tratakoça, prej një muaji nuk punojnë dhe as nuk sjellin më peshk të freskët në qytet.

Peshkatarët e Sarandës gjatë reagimit publik
Peshkatarët e Sarandës gjatë reagimit publik

Dje ata kanë kërkuar ndihmën e medias për të zgjidhur shqetësimin, që është jetik për ta. Sipas tyre, shteti u kërkon 20 për qind TVSH, për të paguar për naftën që ata prej vitesh e blejnë në Greqi, për shkak të çmimit më të ulët se në vendin tonë. Por kjo i ka detyruar ata të mos punojnë. Peshkatarët e quajnë të padrejtë këtë pasi, sipas tyre, shteti deri tani nuk ka bërë asgjë për këtë kategori. Ata shprehen që ligji, para se të bëhej, duhej konsultuar edhe me grupet e interesit.

“Të bëhet nga terreni, nga njerëz të lagur nga deti, jo nga ata që dinë vetëm ta hanë peshkun. Jam peshkatar që nga viti 1967. I specializuar për peshkim që në 1974, vazhdoj punën edhe sot. Më parë dilnim në pension në moshën 55 vjeç, kush mbushte 18 vjet punë në det. Këto nuk i ka përfillur fare sistemi i tanishëm. Po është shumë e dëmshme për moshën time që vazhdoj të punoj akoma edhe sot”, shprehet njëri prej peshkatarëve.

Kolegë të tjerë të tij thonë se gjatë këtyre dy vjetëve naftën e kanë marrë në Greqi.

“Meqë shteti ynë nuk na e jep naftën me çmim të lirë, e marrim në Greqi. Kemi paguar të gjitha taksat portuale të Shqipërisë dhe të Greqisë, dhe disponojmë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të ushtruar këtë veprimtari. Por kemi gati një muaj pa punë, sepse shteti shqiptar na kërkon të paguajmë edhe 20 për qind TVSH nga nafta që blejmë në Greqi. Kjo është absurde. Po nxjerr ligje që, përveçse nuk na ndihmojnë, na groposin”, shprehet një tjetër peshkatar.

Sipas tyre, nuk është marrë asnjë lloj mendimi nga peshkatarët e Sarandës.

“Na është komunikuar një ligj që nuk do shkoni të merrni më naftë në Greqi pa paguar 20 për qind të TVSH-së. Me 20 % TVSH nuk ia dalim dot të mbajmë gjallë dhe veten tonë, jo më anijet që s’i mbajmë dot”, thonë ata më tej.

SARANDE/ SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura