“Shteti-baba” dhe porno-sondazhet

Feb 27, 2021 | 14:44
SHPËRNDAJE

Agim-BaçiNGA AGIM BAÇI

“Kontrolli i mendimeve të qytetarëve çon në kontrollin e veprime të tyre”, shkruante Zhak-Zhak Rusoi në Kontratën Shoqërore. Sipas tij, gjithçka duhet të lëvizë mes konceptit “qytetari-fëmijë” dhe “shteti-baba”. Këtë koncept rusionian ka kërkuar të vërë në funksion z.Rama gjatë viteve në pushtet, sidomos kur e paraqet vetveten si “shteti i vetëm i shqiptarëve”, duke dashur të fiksojë idenë se ai është gjithçka që shqiptarët kanë dhe gjithçka që shqiptarët janë. Në fakt, të njëjtën gjë kanë bërë edhe më parë fashistët, nazistët dhe marksistët, të cilët prodhuan diktaturat gjakatare në mjaft vende, duke ndërtuar trekëndëshin vrastar të mendimit: “Gjithçka për Shtet, asgjë jashtë Shtetit, asgjë kundër Shtetit”.

Po të vëmë re me kujdes edhe deklaratat e Ramës “Është fat që më keni mua”, që më pas u bazuan me memet qesharake të këtij dimri se “Falë Ramës ra dhe kjo borë”, apo “Falë Ramës do çelin lulet në pranverë”, janë vijim i së njëjtës logjikë fashisto-marksiste. Edhe pse shumë nga shqiptarët mund të kenë qeshur me këtë këmbëngulje të z. Rama për të bindur shqiptarët se gjithçka rrotullohet rreth tij, ai po tregon se e ka shumë seriozisht kur i drejtohet shqiptarëve me refrenin se duhet të shohin te ai të vetmin shpëtimtar të jetës së tyre. Kjo edhe për faktin se ai prej kohësh investon miliona nga buxheti, nga taksat tona, jo për të kuptuar se çfarë bëjnë shqiptarët, por vetëm të dijë se çfarë mendojnë shqiptarët. Duke tentuar të ketë nën kontroll median dhe komunikimin social ai ka synuar në mënyrë të hapur ngritjen e një inxhinieringu propagande me qëllim dhënien e një versioni të vetëm socio-politik për zgjedhjet e 25 Prillit: Rama është zgjidhje për shqiptarët!

Fakt është se, ky projekt, për ndryshimin kulturor të shqiptarëve lidhur me atë që ndodh rreth tyre dhe për jetën e tyre, ka shumë vite që ka nisur në Shqipëri.

Po të shikojmë në fillesat e kësaj politike, e dallon qartësisht se projekti për një ndryshim kulturor të “modelit Rama” ka nisur fillimisht me një mbështetje të madhe që në kohën e z. Nano për të dhënë një version të ri fasade në Ministrinë e Kulturës, në Bashki e pastaj si Kryeministër. Këtë linjë indoktrinimi pasoi edhe Veliaj kur mori Bashkinë e Tiranës, i cili, me paratë e taksapaguesve, sponsorizoi vetëm për propagandë dhe kontroll mediash. Madje, me taksat e shqiptarëve ai arriti të përgatiste edhe stema ku shkruhej “lali Eri”, me qëllimin që të lidhë idetë e ndryshimeve kulturore me një përcaktim të dashur të shqiptarëve, si emërtimi “lali”- pra të një njeriu që gjithkush nga ne në vegjëli e ka parë si udhëheqës, si një njeri që i mëson rrugëtimin. Ky investim i pandërprerë nga z. Rama për ndryshimin ideologjik të shqiptarëve, ka sjellë një realitet nën një pushtet të hapur e të dhunshëm manipulimi, një realitet të cilin ai e nisi fillimisht me partinë e tij.

Kështu, z. Rama përdori nxitjen e shijes dhe nevojave të turmave dhe largoi nga PS thuajse të gjithë ata që kërkonin një marrëdhënie politike dinjitoze. Shpejtësia me të cilën ai ushqeu konformizmin në PS, bëri që sot të kemi kriter imitimin dhe duartrokitjen, ndërkohë që nuk ekziston thuajse asnjë alternativë debatuese. Rama futi, gjithashtu, kulturën e keqkuptimit apo devijimit të të dhënave zyrtare, duke bërë që të jenë në fuqi gjysmë të vërtetat apo gënjeshtrat e plota, e ku askush nuk di me siguri se çfarë dodh realisht me paratë e taksapaguesve.

Vetë Rusoi, që frymëzoi këtë devijim kulturor, këtë inxhiniering të kontrollit të shoqërive përmes shpikjes së shetit-baba, shkruante se “veset nuk janë të lindura te njeriu, por janë fryt i qeverisjes së keqe”. P.sh, a nuk inkurajoi diktatura për afro pesëdhjetë vite “Njeriun e Ri”, një njeri që kishte në qendër vetëm partinë-shtet, që harroi të afërmit, harroi idetë, humbi guximin dhe që përvetësoi vetëm artin e spiunimit dhe shpifjes? A nuk trashëguam ne nga diktatura atë njeri që përfundoi në prehërin e bindjes duke përsosur vetëm artin e tundjes së kokës për gjithçka që i udhërohej? Dhe duket se Rama po ndjek sërish këtë trend të kulturës politike, duke synuar t’u thotë shqiptarëve se nuk ka rëndësi as e drejta, as e vërteta, as ndershmëria, por vetëm bindja – bindja ndaj asaj që thotë ai vetë.

Një nga filozofët e sotëm amerikanë, Noam Çomski, shkruan se “qeveritë e bazojnë sot suksesin e tyre të inkurajimi i injorantëve që të ndjehen krenarë me padijen e tyre”. Madje Çomski duket se e ka shkruar posaçërisht për Ramën kur thotë se, kjo yshtje për të bërë krenarë të paditurit me injorancën e tyre, krijon në shoqëri ndjenjën e vetëfajësimit- pra një shoqëri ku shumë njerëz kritikojnë vetveten përse nuk shfrytëzuan rastin për të vjedhur, përse nuk u bënë të pasur me pasurinë publike apo të tjetrit kur mundeshin, përse nuk arritën të pushtonin pronën e dikujt.

P,sh, duke dashur me çdo kusht vijimin në pushtet, z. Rama ka ndryshuar edhe statusin e “të fortëve” që i ftoi në prehërin e tij politik më 2013, duke i kthyer nga klientë, në partnerë në pushtet. Pra, ata tashmë nuk përfitojnë nga ajo që u jep pushteti, por janë vetë pjesë e pushtetit dhe, duke qenë pjesë e pushtetit, e kthejnë në ligj atë që dikur quhej plaçkitje. Këtij pushteti të forcës Rama i ka kombinuar spektaklin dhe propagandën, duke tentuar kështu që kushdo të mos ketë qëllim të lexojë dhe arsyetojë mbi realitetin, por t‘i dorëzohet një realiteti të ri, të cilin z. Rama ka marrë përsipër ta ndërtojë përmes tallavasë së përditshme të komunikimit, ku përfshihen edhe porno-sondazhet e zgjedhjeve.

Si pasojë e këtij stili manipulimi, ku është synuar krijimi i një varësie sa më të madhe nga ajo që thotë Qeveria, sot shqiptarët gjenden përballë një vendimi të rëndësishëm- do të vijojnë të trajtohen kaq mizorisht si një tufë delesh që mund të kullosin në lëndinën e gënjeshtërt dhe 3D të konceptit Rama-Veliaj, apo do të zgjohen dhe do të kuptojnë se janë vetëm përballë një ekrani gjigand, që i rrethon kudo dhe që nuk i lejon as të mendojnë e as të jetojnë me dinjitet?

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

  1. Cfare keni pritur dhe prisni ti dhe Ergys Mertiri ? Qe sondazhet te nxjerrin PD-ne si parti te pare ? Me te vertete e keni ? PD s'ka qene kurre, ne jeten e saj parti e pare dhe as ka per te qene ndonjehere. Arsyet jane te shumta dhe te thella. Nese nuk i kuptoni aq me keq per ju ! A ju kujtohen sondazhet perpara zgjedhjeve te 2017 ? Te gjitha e nxirrnin PS parti te pare dhe, afersisht, me ate rezultat qe mori. Nuk jua kane fajin sondazhet.

Comments are closed.