Shtet me çdo kusht?

Mar 29, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

ERION KRISTO

                  Një nga artikulimet më të mprehta të qeverisjes së sotme është fraza: “Do bëjmë shtet me çdo kusht”. Dhe kjo është përkthyer në realitet në një rëndim më të madh të dorës së shtetit mbi shpatullat e qytetarit. Sot, shteti nuk e ka problem të të mbysë në gjoba, të të prishë shtëpinë apo biznesin, të të arrestojë kohë e pa kohë, madje të të dërgojë dhe kamerat aty për të përjetësuar momentin kur shteti më në fund shfaqet madhërishëm, si një Goliath i shëmtuar.

Shpesh, shteti bëhet edhe qesharak: rasti i ndalimit të një nëne me gjithë fëmijën e vet; rasti i arrestimit të një personi që lidhi energjinë se kishte fëmijën sëmurë; rasti tjetër i arrestimit të një personi që nuk kishte vjedhur energjinë, po thjesht kishte lidhur linjën e këputur; rasti kur policia rrahu dhe fëmijë që kundërshtonin shembjen e një objekti; rastet kur policët ushtronin dhunë të pamotivuar ndaj qytetarëve, kapur nga kamerat amatore; rasti i largimit nga puna të një doktoreshe dhe një drejtoreshe vetëm sepse duhej aktivizuar portali antikorrupsion etj.

Sot ekziston një përpjekje madhështore për të krijuar idenë se shteti po funksionon dhe se gjërat po përmirësohen. Problemi i vetëm është se shpesh këto përpjekje janë vetëm në mendje dhe jo në realitet; janë vetëm dëshira të mira, por jo fryte të arrira. Ndoshta ka ende kohë për të pritur, edhe pse koha është e pamëshirshme. Koha ka qenë historikisht e pamëshirshme për shqiptarët. Por le të marrim në shqyrtim disa përpjekje në terren dhe të shikojmë nëse janë përkthyer në rezultate konkrete. Së pari, krijimi i “përbindëshit” INUK.

Ky përbindësh që shkatërron njëlloj si të ishte një vorbull përpirëse, gjithçka që i del përpara, nuk po sjell ndonjë realitet më të mirë për qytetarët. INUK kaloi te rruga “Medar Shtylla”, ose thënë në gjuhën popullore “Komuna e Parisit”. Kishte shumë frikë në zërat dhe pamjen e njerëzve, pasi u lajmëruan se aty do kalonte “bajlozi” që kërkon haraç, aq sa filluan të prishnin vetë atë që mund të prishnin. Dhe me thënë të drejtën, INUK kaloi, prishi ç’gjeti dhe u largua. Por sot, me një shëtitje të thjeshtë në rrugën ku kaloi përbindëshi, mund të vësh re se gjërat janë pothuaj ashtu siç ishin më parë. Procesi i gardhimit është po aty. Trotuaret janë pak a shumë siç ishin.

Marrim procesin e pajisjes së mësuesve me dosje. U bë nami i zi për këtë çështje dhe me shpejtësi rrufeje u krijuan mijëra dosje mësuesish, që sot nuk i hyjnë në punë askujt, sepse mësuesit thjesht janë kthyer në shkrues, në skribë dhe ndihen po kaq të pasigurt në punën e tyre, sa më parë. U bë aksioni i madh kundër karburanteve dhe pikave të karburanteve. Po sot rezultatet janë të njëllojta. Sot ka disa mjedise të palicencuara që bëjnë gjëma me karburantet. Të gjithë i dinë dhe askush nuk flet. Përzihet vaji i djegur me karburant dhe cilësia e karburantit është përtokë.

Qindra karburante të shpërndara nëpër Shqipëri mund të jenë sulmuar për t’u mbyllur, po ne ende kemi një karburant skandaloz në serbatorët tanë, edhe kur janë firma prestigjioze. Diçka që kërkon gjykim të thelluar nga gjithë ata që marrin vesh nga kjo punë janë shifrat e pothuaj 100 mijë të punësuarve të rinj dhe mbjellja e 2.5 milionë fidanëve të rinj. Nuk ka qartësi. Statistikat ende nuk prodhojnë siguri te qytetarët shqiptarë. Asgjë nuk po ndodh me drejtësinë shqiptare. Sulmi mbi një gjyqtar, që kërkohej të bëhej “dash kurbani”, rezultoi një fiasko.

Dy vjet mandati kaluan dhe sistemi i drejtë- sisë mbetet po aq sfinks sa më parë. Harxhimi i parave kolosale për dy institucione të diktaturës, shitja e lulishteve të ministrive dhe Kryeministrisë si të ishin “Central Park”, rikthimi i figurës së Enver Hoxhës në hapësirën publike, shndërrimi i qeverisë në shoqëri civile pjesëmarrëse nëpër konferenca pa fund, tenderë me miliarda lekë, paketa shëndetësore që nuk i shpaketon dot, testime pa kriter, punësimi i personave me precedentë penalë, e shumë e shumë veprimtari të tjera, nuk shpërfaqin ndonjë ndryshim rrënjësor në jetën e qytetarit, që e di me saktësi se sot po paguan më shumë para për faturën e energjisë elektrike, po paguan më shumë para si tatimfitim etj., etj.

Por këto do të ishin çështje të administrimit të përgjithshëm, që mund të gjykohen edhe ndryshe nga sa janë gjykuar, sepse gjithmonë përfshijnë argumente pro dhe kundër. Po nëse sot kemi patenta me pikë, të gjithë ata që marrin vesh kundërshtojnë sistemin e pikëve. Është bërë keq, s’do shumë mend. Nuk janë pyetur njerëzit me mend. Pa le pastaj nëse flasim për sigurinë ushqimore. Ajo çka shkakton alergji te qytetarët dhe alergjia nuk është sëmundje e lehtë, ka të bëjë me faktin e shkrehjes së prangave fare lehtë në duar njerëzish që janë qytetarë të dobët.

Ndërkohë që shohim me madhështi se sistemi, i famshmi sistem që shpërdoron gjithçka dhe që është fajtor për gjithçka, ende favorizon të fortët dhe godet të dobëtit. Shteti nuk mund të jetë katil për qytetarët e vet. Shteti duhet të jetë zemërgjerë, sepse qytetarit i lejohet të çmendet, ndërsa shtetit jo. Shteti duhet të jetë i drejtë, ashtu sikurse në Kroaci dhe Greqi u falën kamatëvonesa apo pagesat, apo u dhanë para për shtresat në nevojë. Ndërkohë te ne, edhe kur ka para për shtesën e energjisë elektrike, nxirren pengesa artificiale, si p.sh. mospasja e fëmijëve në emigracion.

Pra, një shtet që bën shaka me qytetarin e vet. Nëse sot duhet vënë në dukje fakti që ka lëvizje të rëndësishme në të gjitha fushat e jetës për të sjellë një model dhe një standard të ri, kjo duhet të shoqërohet me faktin tjetër që rezultatet nuk janë kaq të dukshme, madje shpesh janë të padukshme. Është e rëndë- sishme që Policia e Shtetit gjen me vend që të kërkojë nga trupa e vet një marrëdhënie më të drejtë me qytetarin, duke mos ia shkelur të drejtat, madje duke penalizuar ata policë që abuzojnë. Po është gjithashtu e rëndësishme që Policia të garantojë edhe rendin e qetësinë, çka nuk po ndodh shumë shpesh. Prandaj, të thuash sot se shteti do të bëhet me çdo kusht, nuk është diçka e drejtë.

Nëse është e vërtetë që shteti ka munguar për një çerek shekulli, gjithashtu do të pranojnë se jemi keqedukuar për një periudhë kaq të gjatë, ndaj gjërat nuk mund të vihen në vend me një të rënë të sëpatës. Nevoja për rezultate, presioni politik dhe presioni qytetar mbi politikën, nuk duhet ta bëjnë shtetin të nxitohet, sepse shteti është gjakftohtë, shteti nuk e humbet toruan. Shteti i gjendet pranë qytetarit edhe kur ai gabon, si në rastin e përmbytjeve në Jug.

Por shteti është gjithashtu kompromis, ashtu siç është politika kompromis. Shteti edhe jep, jo vetëm merr. Shteti nuk mund të mbushë thesin e tij, duke grisur thesin e qytetarit. Shteti në fillim duhet të kontrollojë shtetin dhe abuzimin shtetëror, e më pas t’i ofrojë qytetarit modele. Por diskutimi në këtë pikë zgjat, aq sa zgjat koha dhe kërkohet gjithmonë pak durim. E në këtë pikë, të gjithë e kemi humbur durimin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura