Shtesa për pensionet e pagat, Ahmetaj: Do të indeksohen edhe këtë vit

Jun 29, 2016 | 14:30
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Qeveria arritën miratimin e marrëveshjes për zbatimin e politikave që nevojiten në kuadër të rishikimit të tetë të programit. Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se për këtë vit rritja e pagave dhe pensioneve do të bëhet sipas skemës së indeksimit.

Ahmetaj_FMN

Ministri shpjegoi se politikat për rritjen e pagave dhe pensioneve nuk kanë qenë në fokus të bisedimeve me FMN-në, pasi indeksimi kryhet automatikisht në bazë të ligjit për pensionet dhe administratën publike.

“Siç e dini, nëpërmjet taksës progresive të aplikuar që në vitin e parë të mandatit ka pasur një rritje reale të menjëhershme të pagave, afërsisht 8 për qind. Pra rritje reale të pagës për shkak të uljes së taksës. E dyta, me reformën që kemi bërë në pensione, por edhe me administratën publike, rritja e pagave dhe pensioneve bëhet e indeksuar automatikisht dhe nuk kemi pasur asnjë diskutim për rritje pagash dhe pensionesh”, shpjegoi Ahmetaj.

Ministri i Financave u shpreh se bisedimet u fokusuan kryesisht në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik dhe në adresimin e risqeve, që mund të hasim në të ardhmen. “Ne ndajmë qëndrimin e përbashkët me FMN-në se ekonomia në tërësi ka një përshpejtim të ritmeve të saj të rritjes, veçanërisht e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe nga investimet e huaja direkte. Të dhënat dëshmojmë se përshpejtimi i rritjes ekonomike ka gjeneruar punësim të konsiderueshëm në vend”, tha Ahmetaj.

SKEMA E PENSIONEVE

Nga zbatimi i skemës për indeksimin e pensioneve në 2014-n qeveria indeksoi pensionet 2 për qind, kurse në 2015-n pensionet u indeksuan 1,4 për qind. Fondi i përdorur në 2015-n ishte në vlerën e 554 milionë lekëve. Për 2016-n llogaritjet për rritjen e pensioneve po kryhen mbi fondin e transfertës për rritjen e pensioneve të parashikuara në buxhet me vlerë 1,112 milionë lekë.

Me fondin 1,2 miliard lekë, që është në dispozicion dhe nëse ai do të përdoret i gjithi për indeksim, Financat përllogarisin që rritja e pensioneve të variojë 2 deri në 3 për qind. Por, një skemë tjetër që parashikohet të ndiqet është që llogaritjet për indeksimin nga grupi i punës do të bëhen mbi vlerat e inflacionit të muajit qershor të 2015-s dhe 2016-s, ku përfitues do të jenë 600 mijë pensionistë.

TAKSA E PRONËS

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Qeveria kanë rënë dakord për vendosjen e taksës së pronës, sipas vlerës së tregut. Shefja e misionit të FMN-së, Anita Tuladhar, aplikimin e taksës së re e quajti urgjente dhe se propozimet konkrete për nivelin e saj do të shqyrtohen në diskutimet për buxhetin e ardhshëm.

“Performanca e dobët e taksave vendore thekson se sa urgjente është vendosja e tatimit mbi pronën bazuar në vlerën e saj. Për të siguruar një konsolidim të vazhdueshëm fiskal, do të jenë me rëndësi përpjekjet për zgjerimin e bazës tatimore, si edhe forcimi i administratës tatimore. Nuk kemi ende propozim konkret për nivelin e taksës së pronës. Por propozimi konkret do të diskutohet gjatë diskutimeve të buxhetit 2017”, u shpreh Tuladhar.

FMN frikë nga rikthimi i punëve të papaguara: Mos krijoni më borxhe

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi ecurinë e ekonomisë dhe përmbushjen e reformave të përcaktuara në program nga ana e qeverisë, por porositi qeverinë të mos krijojë detyrime të prapambetura në investime.

“Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet e Shqipërisë mbi politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e tetë të EFF-së. Programi ekonomik i vendit po ecën përgjithësisht në drejtimin e duhur, duke shënuar ecuri të mirë në çuarjen përpara të reformave strukturore në fusha si legjislacioni për falimentimin dhe duke përmbushur të gjitha kriteret sasiore të performancës të përcaktuara nga programi. Megjithatë, rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në qeverisjen qendrore, kryesisht në projektet e investimeve publike, paraqet një sfidë kryesore.

Qeveria duhet të rrisë përpjekjet për të parandaluar grumbullimin e detyrimeve të reja të prapambetura dhe për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e investimeve. Po ashtu, ka pasur vonesa në miratimin e planit të ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, tha Tuladhar. Për këtë, sipas FMN-së, rritja ekonomike parashikohet 3,4 për qind.

“Ekipi i Fondit pret që rimëkëmbja ekonomike të forcohet, duke parashikuar që, për vitin 2016, rritja e PBB-së të arrijë në 3,4 për qind, mbështetur nga një fluks i madh investimesh të huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjetik dhe rritje graduale e kërkesës së brendshme, ndërkohë që politika monetare vijon të jetë lehtësuese”, u shpreh shefja e misionit të FMN-së.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura