Shtëpia e Kadaresë muze, ideja nga studentët grevistë të 1991-shit

Jan 11, 2016 | 16:07
SHPËRNDAJE

Ishin parashikuar të përfundonin më 30 nëntor të vitit të kaluar, por punimet me sa duket do të finalizohen në limitet kohore që korrespondojnë me ditëlindjen e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Qeveria shqiptare vitin e kaluar akordoi një fond prej 114 mijë eurosh përmes UNESCO-s, të cilat po përdoren kryesisht për të përmbyllur hapat e fundit të rilindjes së banesës, e cila del në dritë, pas zjarrit aksidental të rënë në nëntorin e 1999. Aktualisht, fasada e banesës Kadare ka përfunduar dhe po punohet me ornamentikën e brendshme.

Ismail Kadare
Ismail Kadare

Gjithashtu ka përfunduar kalldrëmi në nënkalimin ku mbështet një pjesë e banesës në pjesën jugore dhe gjithçka po bëhet në përputhje me elementët karakteristikë të qytetit, pasi në këtë godinë pas djegies së saj nuk kishte ngelur asnjë element. Shtëpia Kadare është jo thjesht një projekt rijetëzimi, apo qendër muzeale dhe kulturore, por ringritja e saj synon krijimin e një modeli të ri të suksesshëm.

Dy ditë më parë, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për rijetëzimin e Qendrës “Shtëpia Kadare”. Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Odise Kote, rijetëzimi i Banesës Kadare ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm si shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, artistë etj.

“Në përvjetorin e 80-të të shkrimtarit, kjo banesë do të nisë të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistë të rinj dhe të talentuar ku do të ketë një ndikim direkt në jetën e qytetit dhe rrjedhimisht shtuar numrin e vizitorëve”, shprehet për gazetën “Panorama”, nënkryetari i Bashkisë Kote.

NGA GREVA E STUDENTËVE

Kthimi në muze i shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare, nuk është një ide e kohëve të fundit. Ajo zë fill qysh me rrëzimin e diktaturës komuniste, si një ndër kërkesat e studentëve të Gjirokastrës.

Një prej studentëve të dhjetorit 1990, Roland Bejko, si ish-student i Universitetit të Gjirokastrës 25 vjet më parë, shprehet për gazetën se ideja që shtëpia e Kadaresë të kthehej në shtëpi muze, ka qenë një nga pikat e peticionit të grevës së studentëve të Universitetit të Gjirokastrës në shkurt të 1991.

Sipas tij, një vit më vonë, i është dorëzuar kryebashkiakut të atëhershëm të Gjirokastrës, Bashkim Fino, nga Forumi Rinor i PD-së kjo ide konkrete në letër dhe vetë Fino e mbështeti iniciativën. Kjo nismë u mbështet gjithashtu edhe nga Shoqata “Miqtë e Kadaresë”, që drejtohej nga shkrimtari Sadik Bejko.

SHTËPIA

Shtëpia e Ismail Kadaresë është një aset shumë i rëndë- sishëm turistik i Gjirokastrës. Banesa dykatëshe ku ka lindur Ismail Kadare, e cila daton në vitin 1677, ishte lënë e harruar disa vite më parë, edhe pse përbën një nga ndërtesat më me vlerë që mund të shfrytëzohej në të mirë të turizmit kulturor. Faza e dytë e rikonstruksionit, e cila nisi në fillim të muajit nëntor të vitit 2007, parashikonte të gjitha punimet e brendshme, me vlerë 80 mijë euro. Ndryshe nga faza e parë, në të dytën, ishte parashikuar të ruheshin të gjitha detajet që janë zbuluar gjatë rimëkëmbjes së banesës.

Gjatë fazës së parë u zbuluan disa “afreske” të rëndësishme që vërtetonin historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore. Këto elementë detyruan komisionerët e UNESCO-s të ndërprisnin punimet, duke përfituar kohë për ndryshimin e projektit fillestar. Në nëntor të vitit 1999, banesa e Kadaresë u shkrumbua si pasojë e një zjarri aksidental. Në këtë banesë jetonin me qira prej dy dekadash dy familje gjirokastrite. Tre muaj pas djegies, në fillim të vitit 2000 qeveria shqiptare akordoi 3.5 milionë lekë për ringritjen e banesës. Pavarë- sisht fondit, punimet në këtë objekt nuk filluan asnjëherë duke qenë ende mister vlera monetare se ku përfundoi.

Cilësia e punimeve deri tani është brenda standardeve të parashikuara nga projekti, ndërkohë struktura e çatisë është ndërtuar me dru gështenje. Sipas projektit të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, ky investim do të shërbejë si një qendër atraksioni, e cila do të shndërrohet në një qendër pelegrinazhi për artdashësit e letrave shqipe.

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura