Shtëpia e Gjetheve, sipas Muzeut të Stasit

Aug 25, 2015 | 11:40
SHPËRNDAJE

Tek shqiptarët ajo shpërndante të njëjtën hije tmerri si edhe Stasi në Berlin. Po edhe famën nuk e ka pasur të pakët, përderisa për ta bërë të vizitueshme ka ardhur në Tiranë Hubertus Knabe, drejtori i Berlin-Hohenschönhausen Memorial, muzeut të ngritur në kujtesë të ish-burgut famëkeq të torturave, Stasi, në Berlin.

Gjatë takimit në Ministrinë e Kulturës
Gjatë takimit në Ministrinë e Kulturës
Pas përfundimit të fazës së parë, që lidhet me rikonstruksionin e godinës së rrënuar nga vitet, Shtëpia e Gjetheve, kryeqendra e Sigurimit të Shtetit gjatë viteve të diktaturës, do të hyjë në fazën e muzealizimit, për ta kthyer në Muzeun e Përgjimeve, “Gjethi”.

Drejtori i Muzeut gjerman, ardhja e të cilit u mundësua nga Ambasada Gjermane, u prit nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe grupi i punës në MK, pjesë e të cilit janë kuratorët e projektit, shkrimtari Bashkim Shehu dhe arkitektja muzeologe Elisabetta Terragni. Knabe vizitoi ambientet e Shtëpisë së Gjetheve, ndërsa kuratorët e njohën nga afër me punën e deritanishme për mbledhjen e dëshmive materiale, objekteve që do të ekspozohen në të, por edhe rrëfimeve të dëshmitarëve të kohës.

Knabe, duke parë ato ç’ka kanë mbetur nga Shtëpia e Përgjimeve
Knabe, duke parë ato ç’ka kanë mbetur nga Shtëpia e Përgjimeve
Nga ana tjetër, drejtori Knabe ndau me palën shqiptare eksperiencën e ish-Burgut të Stasi-t, i cili vizitohet çdo vit nga më shumë se 436.000 vizitorë, ku numri i nxënësve të shkollave mendohet të shkojë deri në 200 mijë. Po dje, Knabe u takua me drejtuesit e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, të cilët janë treguar shumë aktivë gjatë procesit të hartimit të projektligjit për hapjen e dosjeve të diktaturës.

Sipas Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit dhe Berlin-Hohenschönhausen Memorial do të nisin bashkëpunimin mes dy institucioneve për ekspertizë dhe vlerësime në fushën e muzealizimit të muzeut “Gjethi” dhe në përgatitjen e projekteve të tjera për muzetë e kujtesës në Spaç dhe Shkodër, të njohur si vende të dëshmisë dhe kujtesës.

RINDËRTIMI
E ndërtuar në vitin 1931, godina është duke iu nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Faza e parë, ajo e rikonstruksionit të ambienteve të brendshme dhe çatisë, ka kushtuar rreth 16 milionë lekë të rinj. Paskëtaj pritet të fillojë rehabilitimi teknik dhe elektrik. Për këtë proces është vënë në dispozicion një shumë maksimale prej 19 milionë lekësh. Faza që ka të bëjë me ringritjen fizike të ndërtesës, pritet të përfundojë në janar të vitit 2016, kur pritet të nisë edhe muzealizimi.

Bashkim Shehu dhe Hubertus Knabe, në Shtëpinë e Gjetheve
Bashkim Shehu dhe Hubertus Knabe, në Shtëpinë e Gjetheve
Godina famëkeqe, e cila ndodhet shumë pranë qendrës së Tiranës (përballë Katedrales Ortodokse), fillimisht ka pasur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s. Menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia Politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të Sigurimit.

shtepia e gjetheve rikonstruktim.jpg-largeIdeja për hapjen për publikun të kësaj godine u prezantua në fund të muajit janar nga Kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kuratori i saj, shkrimtari Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit të (vet)vrarë Mehmet Shehu, të cilit tashmë do t’i duhet të kalojë një kohë më të gjatë në Shqipëri.

KONCEPTI
Sipas projektit fillestar, muzeu është konceptuar në strukturën tre rrathëve koncentrikë. Rrethi i parë përmban aktivitetet e zhvilluara në këtë Shtëpi: përgjimi kabllor dhe kontrolli mbi korrespondencën. Arsyeja e vendosjes së seksionit teknik dhe shkencor në këtë Shtëpi qëndron në afërsinë që ajo ka me zyrat e Postës Qendrore dhe telefonisë. Rrethi i dytë konsiston në mbledhjen e të dhënave të përgjimit nga të gjitha seksionet e tjera të Sigurimit. Rrethi i tretë konsiston në përgjimin në përgjithësi.

Ky i fundit përfshin mbi të gjitha përgjimin nëpërmjet një rrjeti të gjerë informatorësh. Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të Seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu do të përshkruajë fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut do t’i dedikohet edhe përgjuesve – mikrofonave të fshehur. Një hapësirë e dytë do t’i dedikohet “mikrofonave të gjallë”, informatorëve.

Berlin-Hohenschönhausen Memorial, Muzeu i ngritur në kujtesë të ish-burgut famëkeq të torturave, Stasi
Berlin-Hohenschönhausen Memorial,
Muzeu i ngritur në kujtesë të ish-burgut famëkeq të torturave, Stasi
Një hapësirë e tretë do t’i dedikohet “Armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranoiak. Një hapësirë e katërt do t’i dedikohet edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj, dhe do të përshkruajë përgjimin kundrejt të huajve. Një tjetër hapësirë do të tregojë ambientet e një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve 70’ me dekorime që do të shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit.

Dhe një hapësirë tjetër do t’i dedikohet laboratorit teknik dhe shkencor të Seksionit që merrej më së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete. Gjuha e muzeut do të jetë multimediale, me një theks të fortë tek autentikja: do të konsistojë në objekte origjinale të përdorura në Shtëpi, në video, në dokumente arkivorë, në grafikë të dhënash, në tekste shpjeguese, si edhe dëshmi të mbledhura nga njerëz që kanë punuar apo e kanë pësuar nga ky sistem përgjimesh. etj.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura