HISTORIA/ Si i vrau Saliman Barçi dy shokët e tij për 6 milionë lekë

May 22, 2016 | 18:01
SHPËRNDAJE

Një shqiptar i dënuar nga drejtësia e vendit tonë me 25 vjet burg për vrasje të dyfishtë në vitin 1997 ka marrë nënshtetësi britanike.

BarciLajmin e ka publikuar “Daily Mail” dhe bëhet fjalë për Saliman Barçin, i cili u arratis në Britani 20 vjet më parë, pasi kreu vrasjen e dyfishtë.

Ai tashmë është 40 vjeç dhe po lufton kundër ekstradimit në Shqipëri, teksa ka marrë edhe nënshtetësinë britanike me emrin Samir Berisha, duke u hequr si refugjat lufte nga Kosova.

Ai pretendon se në Shqipëri do ta vrasin për shkak të gjakmarrjes dhe thotë se sistemi gjyqësor është i korruptuar.

Gjithashtu, Barçi u ka thënë autoriteteve britanike se një nga nipat e tij është vrarë pikërisht prej vrasjes së dyfishtë që ai ka kryer.

Në këtë mënyrë, vrasësi kërkon që t’i shpëtojë drejtësisë dhe të ndalë ekstradimin.

VRASJA E DYFISHTE

Saliman Barçi u akuzua dhe dënua për vrasjen me paramendim të dy të rinjve, Përparim Ibrahimi e Artur Gjikola. Çështja është hetuar nga prokurori Sabri Kastrati, i cili pas rihapjes së dosjes së pluhurosur për 12 vjet, në bazë të provave të grumbulluara ka faktuar se vrasësi i dy të rinjve është Barçi.

Vrasja e dyfishtë ndodhi më 18 qershor 1997, pranë stadiumit “Liri Ballabani” të Burrelit. Sipas hetuesve të çështjes, por edhe pohimeve të të afërmve të viktimave ditën e ngjarjes dy të rinjtë kanë qëndruar së bashku me të pandehurin Saliman Barçi.

Organi i akuzës ka faktuar me prova dhe dëshmitarë të shumtë se rreth orës 23:00 të asaj dite shtetasit Barçi, Gjikola dhe Ibrahimi qëndronin në banesën e këtij të fundit.

Barçi u ka thënë atyre se kishte 6 milionë lekë të reja, të cilat sipas prokurorisë i kishin grabitur. Të tre kanë dalë nga shtëpia, por në orët e para të mëngjesit dy të rinjtë janë gjetur të pajetë, të vrarë me armë zjarri.

Çështja ishte pezulluar për mungesë provash, për t’u rihapur në mars të këtij viti nga Prokuroria e Matit. Të afërmit e Ibrahimit kanë deklaruar gjatë hetimit se Përparimi është vrarë nga Barçi dhe pak ditë pas vrasjes në shtëpinë e tyre kanë mbërritur “misionarë” për pajtimin e familjeve.

Kjo nuk arrihet dhe vëllai i Përparim Ibrahimit vret pak më vonë nipin e Sali Barçit. Sërish pas kësaj vrasje kërkohet pajtim mes palëve në konflikt. “Unë kam vrarë Përparimin, ju më keni vrarë Gencin”, thuhet se është shprehur autori i krimit të dyfishtë, duke u rrekur të mbyllen të dyja vrasjet me Kanun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura