Shqiptari i Italisë që po pret gjithçka në Botëror, njihuni me portierin që mahnit Brazilin dhe “puth” si Paljuka

Nov 4, 2019 | 19:13
SHPËRNDAJE

Prindërit e tij zbarkuan në brigjet italiane 25 vite më parë, ndërsa ai lindi në Firence në 2002-shin. Si çdo fëmijë i apasionuar pas një topi, Marko Molla nisi rrugëtimin e tij në fushat e blerta. Ai filloi si mbrojtës, por pasi pa ekipin e tij të pësonte shumë gola, i kërkoi trajnerit ta provonte në portë.  Që nga ajo ditë djaloshi e kuptoi se ku ishte habitati i tij natyror.

Marko Molla2

PUTHJA – Tashmë është 17 vjeç, luan për të rinjtë e Bolonjës dhe stërvitet nga një legjendë e portës italiane si Xhanluka Paljuka. Nga mjeshtri ka mësuar shumë hile të zanatit, por me sa duket ka kopjuar edhe puthjen ndaj topit. Të njëjtën gjë bëri disa ditë më parë me fanellën “axurre”, kur Luna i Meksikës i drejtohej pikës së bardhë.

France v Italy - 2019 UEFA European Under-17 Championship Semi-Final

Portieri 191 centimetra “joshi” sferën të cilën më pas e grushtoi për t’i mundësuar kombëtares së Italisë kualifikimin në çerekfinale, edhe pse duhet të luajë ende një ndeshje grupi. Dinamika e sfidës ishte dramatike me italianët që kaluan në avantazh, teksa bashkëmoshatarët meksikanë barazonin dy minuta pas pritjes së Mollës, që në atë ndeshje u shndërrua në makth për formacionin nga Amerika Qendrore.

mARKO mOLLA

Do të duhej një gol në minutën e 94-t për të siguruar kualifikimin, por ndonjëherë edhe kaq mjafton. Aventura e Mollës në Brazil nisi një javë më parë, me djaloshin me origjinë të dukshme shqiptare që pas disa provash me grupmoshat kuqezi, nuk i rezistoi tundimit të një Botërori (U-17) duke iu bashkuar kombëtares së Italisë në kompeticionin që po zhvillohet këto ditë në Brazil.

EMOCIONE – Deri dy vite më parë Marko Molla luante për grup-moshat e Pratos, por fiziku dhe pritjet e tij ishin nën mbikëqyrjen e disa klubeve italiane. Më e shpejta u tregua Bolonja, e cila e afroi në ekip dhe tashmë 17-vjeçari është titullar i ekipit të të rinjve kuqeblu.

marko-molla-470x538

Babai i tij Besniku është sipërmarrës dhe ka sakrifikuar shumë për ta ndihmuar të birin në rrugëtimin e tij, ashtu si e ëma Aida, e cila është shtëpiake. Emocionet e një Botërori edhe pse për 17-vjeçarë kanë kapluar zemrën e Markos, i cili duke folur për përvojën braziliane, ka pranuar: “Në ditët e fundit përpara Botërorit kam menduar shpesh për rrugëtimin tim deri këtu. Tani jam i përqendruar në ndeshjet e radhës. Kam një raport të shkëlqyer me Paljukën (U-19), por edhe me Rikardo Ferronin që më ka ndihmuar në përvojën me 17-vjeçarët e Bolonjës.

Paljuka po më përkrah shumë dhe më ka folur shpesh për përvojën e tij në Botërorin amerikan me Italinë dhe për puthjen që i jepte topit. Më erdhi spontane që ta imitoja në penalltinë që na u dha kundër me Meksikën”. Deri në kombëtaren e madhe, Molla është i grumbullueshëm si nga Italia, e ashtu nga Shqipëria. Për momentin ka zgjedhur “Axurrët”, ashtu siç më parë dëgjonte thirrjen e origjinës. E ardhmja do të flasë për të, ndërkohë le të shijojmë pritjet dhe puthjet e Marko Mollës në Botëror.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura