Shqiptarët nuk jetojnë dot pa internet, shikoni sa njerëz navigojnë çdo ditë

Nov 16, 2019 | 15:10
SHPËRNDAJE

Të paktën 87.1% e përdoruesve të internetit  hyn çdo ditë duke “lundruar” përmes celularit, laptopit apo tabletëve. Në një anketë të Institutit të Statistikave që ndalet në përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Familje dhe nga Individët 2018-2019 rezulton se në vitin 2019, 68,6 % e popullsisë nga 16 – 74 vjeç e përdorin internetin në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, prej të cilëve 87,1 % e përdorin atë në baza ditore.

“Në vitin 2019, 98,6 % e individëve të moshës 16 – 74 vjeç kanë përdorur aparat celularë / telefona smart për të hyrë në internet. Ky tregues ka shënuar rritje prej 5,0 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018. Ndërkohë 23,7 % dhe 6,8 % e popullsisë në studim e përdorin internetin nëpërmjet laptopit dhe tabletit. Tregues të cilët kanë pësuar rritje respektivisht 8,5 dhe 1,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018” thuhet në deklaratën e INSTAT.

Po kështu rezulton se 92.3 për qind e të intervistuarve të grupomoshës 16-74 vjeç kanë kryer thirrje përmes celularëve në aplikacione si Viber, Skype dhe Whatsapp duke u larguar kështu nga thirrjet tradicionale në celular.

Familjet me akses në internet

Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet në vitin 2019 është 82,2 %, krahasuar me 80,7 % një vit më parë. Më shumë se gjysma e familjeve (56,6 % ose 359.884 familje) kanë akses në internet me rrjet broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.). Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (telefona smart 3G ose 4G, tablet, etj.), është 88,9 %.

Përdorimi i e-blerje (blerje online)

Blerjet “online” i referohen porosive të mallrave ose shërbimeve nëpërmjet internetit, blerjen e tyre nëpërmjet internetit (e-blerje) për qëllime personale nëpërmjet çdo lloji pajisjeje (desktop, i lëvizshëm ose i dorës, përfshirë telefonin celular ose telefon smart). Blerjet “online” janë kryer nga 10,1 % e popullsisë së grupmoshës 16 – 74 vjeç në 12 muajt e fundit, nga momenti i kryerjes së intervistës. Ndër blerjet “online”, produktet/shërbimet që zënë peshën më të madhe janë pajisjet sportive, veshje 82,6 %, të cilat kanë treguar një rritje nga viti 2018 me 4,0 pikë përqindje.

Përdorimi i TIK sipas gjinisë

Në vitin 2019, përdorimi i internetit për kategorinë “gjatë 3 muajve të fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës ka shënuar rritje rreth 6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018, ku 71,2 % e burrave dhe 66,0 % e grave të grupmoshës 16-74 vjeç janë përdorues të internetit gjatë 3 muajve të fundit.

Burimi: Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura