“Shqiptarët na mbrojtën 6 vjet nga nazistët, ndërruam 17 shtëpi”

Jun 27, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Kanë qenë të shumtë shqiptarët që kanë treguar për historitë e strehimit të hebrenjve në shtëpitë e tyre, në rrjedhën e viteve. Është i njohur fakti që janë mbrojtur e trajtuar mirë prej tyre, mirëpo, nuk kishim pasur rastin të shihnim më parë mbresat e një vajze të vogël që dikur u nis drejt një vendi të panjohur.

Johanna Neumann
Johanna Neumann

Johanna Neumann është sot një grua e moshuar, jeton në Amerikë, por asnjëherë nuk e ka harruar mikpritjen që iu bë asaj dhe familjes së saj, kur iu desh të largoheshin nga Hamburgu për t’u strehuar në Shqipëri. Në gjashtë vitet e fshehjes, familja Neumann ndërroi 17 vende qëndrimi në përpjekje të vazhdueshme për të mbijetuar.

Johanna zuri shoqe ngado ku shkonte, madje arriti të mësojë edhe shqip. Ajo nuk ka se si të harrojë që shtëpia e fundit ku u fshehën e kishte të zonjën gjermane, e megjithatë, e ndikuar nga “besa” e të shoqit, i mbrojti deri në fund, duke rrezikuar jetën e saj e të fëmijëve. Këtë bënë të gjithë, ngado ku shkuan e kudo ku futën kokën.

Në të gjitha rastet besëdhënësit ishin myslimanë, prandaj edhe ajo, sot e gjithmonë, ka ndikuar në mbrojtje të tyre duke ngritur zërin. “Që një terrorist të jetë mysliman, nuk do të thotë që edhe të tjerët janë të tillë. Ata i kanë mbrojtur hebrenjtë me gjakun e tyre, kanë rrezikuar jetën. Mund të mos i njihni, por unë kam jetuar me ta në Shqipërinë e largët”.

Me këto e të tjera mbresa, Johanna Neumann kthehet në kohë për të treguar ato 6 vite, gjatë të cilave jeta i ndryshoi rrënjësisht e megjithatë, i kujton me respekt. Kur vjen fjala te vendet europiane, ku hebrenjtë duruan Luftën II Botërore, Shqipëria (Albania) është e para e alfabetit, edhe pse nuk të vjen shpesh në mendje.

Ende, historia se si vendi mysliman i Europës e mbajti Holokaustin “në krahë”, edhe pse ishte i pushtuar nga nazistët, është një nga gjërat që Johanna Gerechter Neumann, do të kujtohet. “Unë them shpesh se Shqipëria e vogël ka shpëtuar moralin e botës”, thotë Neumann, tashmë me shumë vite mbi shpinë.

Ajo ka lindur në vitin 1931 në Hamburg, ndërsa tani jeton në Maryland. Por, që nga viti 1939 e deri në 1945 ka jetuar në Shqipëri. Historia se si Neumann, familja e saj dhe më shumë se 2000 hebrenj të tjerë që morën rrugën drejt Shqipërisë për t’u shpëtuar trazirave të luftës, është në kontrast me pjesën tjetër të hebrenjve që qëndruan nën territorin e kontrolluar nga gjermanët.

Pak ditë më parë është shfaqur një film rreth shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë. “Besa: Premtimi”, ndjek fotografin Norman Gershman, ndërsa udhëton në Shqipëri për të fotografuar shpëtimtarët dhe të shpëtuarit. Mes tyre, përfshin edhe historinë e Neumann. Pjesa më e mirë e fotografive u ekspozuan në JCC Yom Hashoah.

Johanna Neumann gjatë kohës kur jetonte në Shkozet
Johanna Neumann gjatë kohës kur jetonte në Shkozet

* * *

Përpara se nazistët të fuqizoheshin në Gjermani, vetëm disa qindra hebrenj jetuan në Shqipëri. Vendi-sinagogë, pothuaj ishte rrënuar gjatë Luftës I dhe nuk ishte rindërtuar ende. I vendosur mes Greqisë dhe Jugosllavisë, Shqipëria ishte një nga vendet më të prapambetura të Europës.

Johanna Neumann do donte shumë të mund të pyeste prindërit e saj, Siegbert dhe Alise Gerechter, se si e zbuluan që Shqipëria mund të ishte shtegu i tyre për t’i shpëtuar Gjermanisë së kohës. Jo se ata e gjetën zgjidhjen pa mundime! Në fillim, Hitleri u duk se i shpërfilli.

Babai i saj, siç tregon, ishte patriot i Gjermanisë. Ai kishte qenë në radhët e para të “Luftës së Madhe”, në të cilën, vëllai i tij më i vogël, u vra. Ndër të tjera, ai kishte marrë edhe një medalje nga Hitleri, bashkë me veteranët e tjerë të frontit, në 1935-n. Mamaja e saj ishte nga një familje e nderuar e hebrenjve të Hamburgut, gjurmët e të cilëve datojnë që në 1763. Edhe pse dy hallat dhe xhaxhai i saj emigruan në New York, familja e Johannës qëndroi. Por, pas kësaj nisën rreziqet e para dhe babait të saj iu desh të pranonte se nuk kishte më vend për ta në Gjermani.

Neumann ishte fëmija i vetëm i familjes dhe të gjithë kërkuan një mundësi për të ikur gjithashtu në Amerikë, por meqenëse babai i saj ishte nga ajo pjesë e Prusisë që u bë pjesë e Polonisë, dhe kuotat e emigracionit polak ishin përmbushur, nuk ishte e mundur. Kështu që, prindërit hapën atlasin dhe piketuan Shqipërinë.

Edip Pilku me një fotografi të të atit, Njaziut, i cili mbrojti Neumann gjatë luftës
Edip Pilku me një fotografi të të atit, Njaziut, i cili mbrojti Neumann gjatë luftës

* * *

Shqipëria drejtohej nga Mbreti Zog, i cili ishte zgjedhur Kryeministër në 1925-n dhe kishte marrë Monarkinë në 1928-n. Mbreti ishte mysliman, siç ishte edhe katër të pestat e popullsisë së vendit. Në fillim të 1930-s, Mbreti tentoi të inkurajojë hebrenjtë të emigrojnë masivisht në vendin e tij, të cilin donte ta modernizonte.

Si fillim, kjo nuk funksionoi, por ai instruktoi ambasadat e tij në Gjermani dhe Austri, për t’i dhënë vizë çdo hebreu që e kërkonte, pa e pyetur për motivet. “Mamaja shkoi në Berlin dhe mori vizat, pas kësaj u larguam menjëherë, në fund të shkurtit të 1939-s. Nuk dinim asgjë, as se ku po shkonim e as se çfarë na priste. Nuk dinim asgjë as për vendin e as për njerëzit, nuk njihnim askënd. Më 1 mars mbërritën në Portin e Durrësit. Për çudinë tonë, që në mol, gjetëm njerëz që flisnin gjermanisht. Së pari planifikuam të qëndronim pak muaj, deri sa të gjenim mundësinë për t’u larguar në Amerikë. Në fakt, nuk e lamë Shqipërinë deri pas luftës, kohë kur ikja në Amerikë, në 1946- n, u bë e mundur.

“Për një vajzë të vogël duket si aventurë, por tani e gjej veten shpesh duke menduar se si mund të jenë ndier prindërit e mi. Duhet të ketë qenë shumë e vështirë për ta të linin gjithçka për të shkuar drejt një vendi të panjohur në të gjitha pikëpamjet, qoftë nga gjuha, nga rrethanat… nuk dinin asgjë!”, tregon Neumann për kohën e Shqipërisë kur luante me litar me vajzat shqiptare.

Ajo bëri shumë shoqe dhe arriti të mësojë gjuhën. “5 javë pasi mbërritën në Shqipëri, italianët e pushtuan vendin dhe Mbreti Zog u largua. Edhe pse Musolini ishte aleat me Hitlerin, pushtimi i italianëve pothuajse nuk na shqetë- soi fare. Italianët ishin të dhembshur. Ata e dinin që ishim hebrenj, madje krijuam edhe miqësi me disa prej ushtarëve. Ne dhe refugjatët e tjerë patëm mbështetjen e ‘American Jeeish Joint Distribution Comittee’ deri sa lufta ndërpreu vazhdimësinë e financimit. Prindërit e mi hapën një lavanderi të vogël për t’u larë rrobat shoferëve italianë të kamionëve. Ishte shumë e vështirë, shumë degraduese. Në Hamburg, im atë kishte një fabrikë për prodhimin e dorezave të lëkurës, ndërsa këtu po pastronte rrobat e palara”, kujton Neumann.

Neumann bashkë me fëmijë shqiptarë
Neumann bashkë me
fëmijë shqiptarë

Ndërsa vitet kalonin, familja u zhvendos 17 herë në qytete të ndryshme. Iu desh të linin Durrësin në 1940-n, kur Italia nisi pushtimin e Greqisë nga Shqipëria; të gjithë të huajve iu desh të largohen nga ushtria përmes Portit. Në prill të 1941-shit, Gjermania pushtoi Jugosllavinë dhe rreth 2000 hebrenj e lanë Jugosllavinë për të ardhur në Shqipëri.

“Qeveria shqiptare hapi kufijtë dhe lejoi të vinin aq sa hebrenj të mundeshin. Gjenerali gjerman në Beograd e dinte se kush po largohej dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të kthente njerëzit brenda 48 orësh”. Ministrit të Punëve të Brendshme në Shqipëri iu deshën dy ditë që të shpërndante refugjatët nëpër familjet shqiptare. Ai u tha gjermanëve se kishte kërkuar, por nuk kishte gjetur asnjë nga hebrenjtë. Ata hebrenj që shqiptarët nuk arritën t’i strehonin menjëherë nëpër shtëpitë e fshatrave, u vendosën në një spital që ishte përcaktuar si karantinë për ethet e tifos. Asnjë nga hebrenjtë nuk dorëzuan”, thotë Neumann.

Në vitin 1943, Gjermania pushtoi Shqipërinë dhe kërkoi menjëherë për një listë hebrenjsh. Edhe në këtë rast shqiptarët thanë se nuk ishin në dijeni për asnjë hebre, se njihnin vetëm shqiptarë.

“Vetëm fakti që patën kurajën ta thoshin këtë gjë, është e pabesueshme. Ata e dinin të gjithë që ne ishim hebrenj. Asnjë i vetëm prej nesh nuk u denoncua apo raportua. Do kishte qenë gjëja më e thjeshtë t’u thoshe gjermanëve ‘e sheh atë gruan atje, është hebreje’. Në vend të kësaj ata u treguan kurajozë, u treguan të guximshëm të mos e pranonin atë që u kërkohej. Ata mund të ishin dënuar në vend për këtë që po bënin”.

Nga ana tjetër, shqiptarët njiheshin pikërisht për këtë tipar të karakterit të tyre nëpër botë: besën. Kjo fjalë do të thotë premtim dhe për shqiptarët ishte një premtim që do të mbahej, pavarësisht gjithçkaje. Lidhur me këtë, në vazhdim, kjo do të thoshte edhe mikpritje e strehim.

“Një i huaj në shtëpinë e tyre do të mbrohej me çdo kusht. Arrinin deri aty sa të pranonin se nëse i ndodhte diçka mikut, edhe sikur të ishte jashtë banesës, por gjithsesi në territorin e shtëpisë së tij, ata ishin përgjegjës dhe do të ktheheshin në turpin e të gjithë fshatit”. Kur mbërritën gjermanët, babai i Neumann u fsheh te fermerët në fshat. Johanna dhe e ëma jetuan në një familje shqiptare në kryeqytet, Tiranë. I zoti i shtëpisë, Njazi Pilku, ishte një mysliman shqiptar që kishte studiuar inxhinieri në Gjermani, ndërsa e shoqja ishte gjermane.

“Që në fillim ne u pranuam në shtëpi si miq. Ajo ishte pa asnjë diskutim pro Hitlerit. Mbante një portret të madh të tijin në dhomën e ndenjjes, por pavarësisht kësaj, ne ishim të mbrojtur. Ushtarët gjermanë erdhën për ta vizituar dhe ajo na prezantonte si të afërmit e saj, që kishin ardhur për ta vizituar nga Gjermania. Nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë kuraja e saj. Nëse dikush do t’u thoshte ushtarëve se kjo gjë nuk ishte e vërtetë, ata do të kishin vrarë jo vetëm atë, por edhe fëmijët e saj, pa u menduar fare”, kujton e prekur Neumann.

Në të 17 stacionet që jetuan, Neumannët qëndruan gjithnjë në familje myslimane. Madje patën edhe ftesa prej tyre që të vizitonin xhamitë gjatë Ramazanit. “Na ftonin gjithnjë gjatë vakteve të Ramazanit”. Në vitin 1941 jetonin në shtëpinë e një polici dhe mikpritësit i kërkuan babait të zonjës Neumann nëse mund të bashkohej me ta në rastin e një feste Pashkësh. “Ai pranoi, po mendoj se në atë ditë, im atë as që mund t’u shpjegonte se çfarë po ndodhte brenda tij”.

Pas tri vitesh e gjysmë, partizanët u kthyen nga malet dhe morën gjysmën e Tiranës prej gjermanëve. Familja Neumann u dërgua në fshat për t’u shpëtuar të shtënave që kishin nisur. “Im atë i tha mamasë në gjermanisht se mund të shtriheshim. Një vajzë partizane i dëgjoi dhe i arrestoi menjëherë si spiunë. Ajo na çoi në fushën më të afërt, ku ishte edhe oficeri që takuam për Pashkë”.

Pas luftës, në shtator të vitit 1945, familja u dërgua në një kamp në Itali. Atje mësuan edhe për tmerret e Holokaustit, ndërsa po takonin të mbijetuarit e Aushvicit. “Sado e çuditshme që mund të duket, ne nuk dinim asgjë se çfarë po ndodhte gjatë luftës në vendet e tjera”. Johanna Neumann ka punuar me Yad Vashem për të nderuar shqiptarët që mbrojtën familjen e saj. Ajo beson se historia se si myslimanët shpëtuan hebrenjtë do të ketë rëndësi në çdo kohë.

“Po gabojmë rëndë në kohët e sotshme, duke thënë se meqenëse një mysliman bën një akt terrorist, myslimanët e tjerë janë të tillë. Mënyra se si po paragjykohen këta njerëz sot në Amerikë është e frikshme. Përpiqem vazhdimisht që t’u shpjegoj këtyre njerëzve se askush nuk duhet paragjykuar. Qeniet njerëzore janë qenie njerëzore. Jemi krijuar nga i njëjti Zot. Midis nesh patjetër që ka të mirë dhe të këqij, por kjo nuk ka asnjë lidhje me fenë. Njerëzit duhet të jenë në dijeni të faktit se në botë ekzistojnë myslimanë të mirë dhe të guximshëm që shpëtuan të tjerët, duke vënë në rrezik veten dhe familjet e tyre!”, përfundon Johanna Neumann.

(Marrë nga jewishstandard.timesofisrael.com)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura