Shqiptarët i fshijnë pikturën murale, artisti italian: Më erdhi keq që gratë e panë si fyerje

SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Gruaja, si “shtojcë” e burrit. I bashkon një dorë plastike, zgjatim i një zgjedhe lidhur në qafën e saj. 

Ishte kjo simbolika e përdorur, si ftesë për reflektim ndaj diskriminimit femëror, në një pikturë murale në zonën e Tiranës së Re. Autori, është një artist italian i njohur me emrin e artit “NemO’s”, e vepra e tij, e cila u fshi sot, ishte kthyer në objekt debatesh në kryeqytet.

71350455_480573756126826_3462177363553419264_n

E realizuar në kuadër të edicionit të dytë të “MurAL Fest”, ende pa u përfunduar banorët nisën të shprehin pakënaqësi. Sipas tyre, një vizatim i tillë në faqen e pallatit ngjallte trishtim, si dhe trembte fëmijët. Në mural burri paraqitej me një shikim kërcënues, e gruaja, një hap pas tij, me një portret të përvuajtur. Ankesat e denoncimet verbale të muralit, u pasuan pak ditë më pas nga një akt vandal.

Një grup të rinjsh, dhunojnë këtë copëz të artit të rrugës,duke qëlluar me bojë në drejtim të saj. Poshtë muralit mbin mbishkrimi “Shame on you Rama-Veliaj” (T’ju vijë turp Rama – Veliaj).

72119344_1315750848631358_3228221161976365056_n

Pas kësaj, artistët pamorë pozicionohen në krah të kolegut. Gentian shkurti përkrahës i veprave të tilla, kur realizohen jashtë autoritetit shtetëror  u shpreh se :”Jetojmë në çmendinë! Shteti bën murale tipike për artistë ‘underground’ dhe që i fshihen atij, e mileti i dëmton duke marrë rolin e shtetit që i përndjek ata! Anapolla si në botën e Lizës”. Pikërisht për faktin se ky mural është mbështetur në kuadër te Festivalit nga Bashkia e Tiranës, për vandalizmin e fotografuar, të tjerë shprehen mosbesues.

Ndërsa, artisti Ergin Zaloshnja doli kundër sulmit ndaj artit që ka një qëllim në vetvete, e u shpreh se shqetësimi duhet të lindte për muralet e tjera, që përtej çlirimit të ngjyrave nuk kanë asnjë funksion social. “Irritohen nga një vepër që demaskon patriakalizmin shoqëror dhe nuk shqetësohen nga një dekorim banal!”, shprehet ai, duke ju referuar shqiptarëve, për rastin në fjalë.

72656121_423064728629243_609208615215038464_n

Fotoja e vajzës së re, duke qëlluar në drejtim të çiftit simbol të patriarkalizmit,ka tërhequr edhe vëmendjen e vetë autorit.“Më erdhi keq, që njerëzit, veçanërisht gratë e panë si fyerje. Në mënyrë paradoksale janë indinjuar më shumë për një vizatim, sesa për realitetin që ato vetë jetojnë”, u shpreh ai pak ditë, pas realizimit të murales për “Panoramën”.

“NemO’s”, kjo është hera e parë që ju vini në Shqipëri, cila është përshtypja që keni krijuar rreth këtij vendi?

Koha që unë kam kaluar aty është e pakët, për të dhënë një gjykim preciz. Mirëpo, përshtypja që unë krijova për aq sa e pashë këtë vend, është ajo e një shteti pak të mbyllur në disa kontekste, si edhe me një diferencë sociale shumë të lartë. E kam fjalën për ndryshimet mes të pasurve dhe të varfërve. Unë kam shumë miq shqiptarë që jetojnë në qytetin tim, të cilët më kanë folur për po të njëjtat fenomene, si dhe kanë konfirmuar përshtypjet e mia. Sigurisht që po përgjithësoj për atë pak që kam parë. Nga ana tjetër, në Shqipëri, kam takuar disa njerëz shumë të disponueshëm, të cilët më kanë ndihmuar.

Pikturat tuaja murale janë në vende të ndryshme të botës. Na thuaj diçka më tepër rreth procesit kreativ. Këto vepra janë të mirëmenduara apo spontane?

Shpesh, kur udhëtoj, informohem rreth vendit ku shkoj, duke u përpjekur që edhe në pikturat e mia murale të përfaqësoj një aspekt të realitetit lokal.

Në Shqipëri, u ndalët tek fenomeni i patriarkalizmit. Përse një zgjedhje e tillë?

Vizatimi që kam bërë flet për diskriminimin e gruas në Shqipëri. Një fenomen, që si në shumë vende të tjera për fat të keq është i pranishëm edhe aty. Ditët e para të qëndrimit tim, pata rastin të bisedoj nga afër me disa vajza, të cilat më përshkruan këtë situatë, duke më dhënë edhe shembuj të ndryshëm. Po gjatë këtyre ditëve zbulova se disa bare nuk kanë tualete të përshtatshme për femra, por vetëm disa urinatorë të varur në mur për meshkuj. Kjo pamje, ishte një metaforë e fortë që më nxiti edhe më tepër të flas për një problem real dhe bashkëkohor që merr forma të ndryshme.

Përdora simbolin e çiftit, ku gruaja vjen si një shtojcë e mashkullit, dhe ku ky i fundit i lejon vetëm simbolin e një dore plastike të lidhur në zgjedhën e saj. Nuk ishte qëllimi im që të ofendoja askënd, por thjesht të flisja për këtë temë me një simbol të fortë.

Shumica prej kolegëve shqiptarë e kanë vlerësuar punën tuaj, mirëpo tek disa persona duket se ka ngjallur zemërim, duke tentuar edhe ta dëmtojnë përmes sulmit me bojë. E prisnit një reagim të tillë?

 

Në momentin që unë e kam përfunduar, piktura ime murale, është shndërruar në njerëz që e shikojnë dhe e jetojnë. Pra, nëse njerëzit duan ta modifikojnë,ta përmirësojnë, ta shkatërrojnë apo ta fshijnë, janë të lirë ta bëjnë. Siç e ceka mësipër, unë e kam vizatuar këtë subjekt për të hapur një diskutim,që mund të çojë në përballje dhe opinione edhe kundërshtuese. Më erdhi keq, që njerëzit, veçanërisht gratë e panë si fyerje. Në mënyrë paradoksale janë indinjuar më shumë për një vizatim, sesa për realitetin që ato vetë jetojnë.

Megjithatë, po… E prisja që do të kishte hapur një polemikë!

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.