“Shqiptarët do deklarohen LGBT për një banesë”, deputeti i PD nuk voton pr/ligjin

Mar 28, 2018 | 9:09
SHPËRNDAJE

Maxhoranca dhe opozita miratuan dje me konsensus në parim projektligjin për “Strehimin social”, në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. I vetmi që votoi abstenim për këtë çështje ishte deputeti i PD-së, Tritan Shehu, i cili kërkoi që nga projektligji të hiqeshin si përfitues anëtarët e komunitetit LGBT, shkruan “Panorama”.

tritan-shehu

Në nenin 15 të projektligjit është parashikuar që komuniteti LGBT të trajtohet si kategori me përparësi për t’u pajisur me banesë sociale. Por për deputetin demokrat, pas kësaj fshihet një skenar politik dhe i mbrapshtë i qeverisë.

Sipas tij, komuniteti duhet të hiqet pasi ekziston rreziku që qytetarët do të anëtarësohen në shoqatat e LGBT-ve dhe do të deklarohen si pjesë e këtij komuniteti për të përfituar banesa sociale. Për demokratin, shqiptarët nga varfëria kanë ndërruar fenë dhe emrat dhe mund të deklarohen dhe si pjesë e komunitetit LGBT.

“Duke vendosur atë gjë, ju vetëm prishni ekuilibrat dhe kërkoni në mënyrë artificiale t’i bëni njerëzit të detyrohen që të mbushin disa shoqata. Njerëzit janë të varfër dhe po u the që, po qe i regjistruar si kështu… do mund të marrësh shtëpi, ai do shkojë ta bëjë atë. Mos u mërzisni, e ndërrojnë fenë, i ndërrojnë emrat. Shqiptarët kanë bërë shumë gjëra edhe këtë e bëjnë, mos kujtoni shumë. Unë kërkoj që ajo pikë të hiqet tërësisht, të mos jetë fare sepse mënyra sesi e keni shkruar është e tepërt tashmë. S’ka pse ta vësh fare atje atë pikë. Hiqe fare dhe jemi më rehat, por mos bëni gjëra artificiale për të krijuar disa elementë politikë që doni të krijoni ju dhe disa elementë që lidhen me filozofinë tuaj të gabuar që keni”, tha dje Shehu.

komisioni-shendetesise

Por deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, i ka quajtur deklaratat e Shehut si homofobe. Ajo tha se komuniteti i gay-ve, lesbikeve, dhe transgjinorëve mund të përfitojë banesa sociale vetëm në rastet kur vërtetohen se janë të varfër dhe të dhunuar.

“Ç’është kjo homofobi në Komisionin e Çështjeve Sociale! LGBT-të nuk përfitojnë pse janë LGBT, por janë një sërë kategorish, pra janë viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit. Përsa i përket LGBT-ve një pjesë e tyre kanë kushte shumë më të mira se pjesa tjetër e shoqërisë. Në rast se një person i përket këtij komuniteti LGBT dhe deklarohet me vendim të organit kompetent që është viktimë e diskriminimit dhe që është përzënë nga familja, besoj që nuk do e lemë të jetojë nën urat e Lanës apo në rrugë që të jetë viktimë e shfrytëzimit. Në rast se një njeri LGBT ka të ardhura, nuk ka nevojë për strehim. Ndoshta ky komunitet nuk do të kërkojë të përfitojë strehim sepse është limituar shumë”, tha dje Hysi.

Por deputeti demokrat ka insistuar që të hiqet tërësisht përfshirja e këtij komuniteti në projektligj. “Ka prapaskena të tjera kjo punë. Ka të tjera arsye pse e vë”, tha ai. Mbledhja e komisionit është shtyrë për në mbledhjen tjetër, ku do të jenë të pranishëm si ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe përfaqësuesit e Entit Kombëtarët të Banesave për të mbrojtur projektligjin.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura