Shqiptarët dhe Fjalori i Akademisë Malazeze

Jun 23, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

gurakuqiROMEO GURAKUQI

Sot, Parlamenti i Shqipërisë do të duhet të marrë vendimin për ratifikimin e protokollit të Marrëveshjes për anëtarësimin e vendit fqinj, Shtetit të Qytetarëve të Malit të Zi, në NATO. Është një vendim që Shqipëria zyrtare duhet ta certifikojë, për një vend me një pozicion të veçantë karshi botës shqiptare:

në atë shtet banojnë 60000 shqiptarë etnikë, të shkëputur nga historia e trazuar 1878-1921, prej trungut të shtetit shqiptar;

është rasti i një vendi që sot, në një mënyrë të stërholluar, ka copëtuar përfaqësinë politike shqiptare në Podgoricë, ka eklipsuar krijimin e Komunës së Pavarur të Malësisë;

një vend ku akademikët e tij fyejnë, me paratë publike, një pjesë të bashkëqytetarëve të tyre të nacionalitetit shqiptar, përmes ca zërave me përmbajtje false; një vend që nuk regjistron lehtësisht në regjistrat civilë kombëtarë të shtetit, fëmijët e emigrantëve të nacionalitetit shqiptar dhe me shtetësi malazeze;

një vend, që në rastin e shtetasve të nacionalitetit shqiptar, nuk njeh qartësisht të drejtën e pronës, individuale dhe komunitare (pronësia 2.5 km e vijës bregdetare Ulqin; Liqeni i Rikovecit, pronësia fushore e Grudës etj).

Por, nga ana tjetër, Mali i Zi është edhe rasti i një vendi të dalë nga ish-Jugosllavia, që ka mbajtur një qëndrim të posaçëm pozitiv ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj dhe ka raporte shumë të mira me Tiranën zyrtare, një kryeqendër kjo tradicionalisht e pandjeshme për shqiptarët e Malësisë, Ulqinit, Tivarit, Plavës etj.

Në qoftë se më duhet të ndërtoj një tezë përkufizuese se çfarë përfaqësojnë sot territoret shqiptare në Mal të Zi (duhet të kujtoj posaçërisht situatën në Plavë, Guci dhe Rozhajë), nisur nga Hoti, Gruda, Trieshi Koja, Shestani, Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, më duhet të them që këto territore dhe popullsia shqiptare që banon atje, ndodhet:

1. në pikëpamje të burimeve humane, në një proces shpopullimi, që rritet në intensitet, nga Ulqini drejt Trieshit e Kojës; një proces krijimi zbrazëtirash pronësore, abandonim të objekteve themelore të identitetit nacional, kulturor dhe religjioz, që përcaktojnë qartësisht autoktoninë; është një bashkësi me burime të kualifikuara intelektuale gjithnjë e më të munguara, kapacitete politike totalisht të përçara dhe të përçara, deri edhe të kthyera në shtojca servile të politikës centrale malazeze, politikë që kontrollon plotësisht çdo prirje për përfaqësim të njëmendtë europian të popullsisë së kësaj krahine, duke arritur deri në eliminimin e plotë, së fundmi, të nxjerrjes së një kandidati shqiptar si kryetar i komunal të Tuzit.

2. Në pikëpamje të organizimit territorial, hapësira e lartpërmendur është e ndarë në mënyrë asimetrike, në komuna me statuse të ndryshme juridike brenda organizmit territorial të Republikës së Malit të Zi (nuk lejohet të krijohet Komuna e Pavarur e Malësisë, megjithëse atje banojnë 12000 banorë dhe nxirren deri 2.5 milionë euro të ardhura, ndërkohë që më 2013- n lejohet të krijohet Komunat e Petnicës me 2500 banorë dhe me zero të ardhura për shtetin).

3. Në pikëpamje të pozicionit aktual politik dhe të të drejtave formale dhe elementare, hapësira ka pësuar një përmirësim falë procesit integrues europian, të Republikës së Malit të Zi, Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

4. Në pikëpamje të përfaqësimit politik, shqiptarët janë të përçarë në shumë parti politike, me liderë të vjetër, që janë, ose bishta të politikës dhe interesave joshqiptare dhe joeuropiane, ose mbetje, në proces terminal të vdekjes politike. Ata shquhen për një ligjërim dhe komunikim patetik të rremë nacionalist, që fshehin para popullit, një padije të thellë, një mungesë të plotë vizioni për të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në një Ballkan Europian pa kufij dhe barriera.

Ata nuk kanë arritur dot të bëhen drejtues të popullit, nuk kanë arritur të jenë as teknicienë të zakonshëm skrupulozë, që punojnë për zhvillim përmes shfrytëzimit të fondeve që qeveria e Malit të Zi jep në ndarjen e buxhetit të shtetit; nuk kanë asnjë skuadër hartuese projektesh zhvillimore të gatshme; nuk kanë ndërtuar asnjë planifikim për mbrojtjen juridike të pronësisë së shqiptarëve në hapësirën e rrezikuar të Malësisë, Shestanit, Krajës, Tivarit, nuk kanë ndërtuar asnjë departament për mbrojtjen e monumenteve kulturore dhe religjioze shqiptare në këtë hapësirë.

Çdo mbrojtje e derisotme është arritur falë ndërhyrjeve individuale të njerëzve vullnetmirë, brezit të ri më të emancipuar politikisht dhe kulturalisht, dhe diasporës në SHBA. Kjo situatë shpjegon sot guximin e akademikëve malazezë për t’i dhënë edhe një goditje të falsifikuar dhe fyese autoktonisë dhe identitetit nacional shqiptar në Shtetin e Qytetarëve të Malit të Zi, dhe posaçërisht në Malësi, me zërat denigrues në Fjalorin Akademik. Cilat janë nevojat korrigjuese të jetës shqiptare në Malin e Zi, fqinj dhe mik të Shqipërisë? Korrigjimet do të më duhet t’i ndaj në dy plane:

1. Korrigjimi brendashqiptar

2. Korrigjimi i qëndrimit të qasjes së politikës centrale malaziase ndaj hapësirës territoriale dhe humane që bashkon nga jugu në veri, Republikën e Malit të Zi me Republikën e Shqipërisë.

1. Për sa i përket korrigjimit të politikës shqiptare: Ka ardhur koha e ripërtëritjes së të gjithë udhëheqësisë politike shqiptare në Mal të Zi. Shqiptarët në Mal të Zi kanë nevojë për parti politike që në programin e vet kanë kontributin në procesin serioz europianizues, integrues dhe demokratizues të popullit shqiptar në Republikën e Malit të Zi;

procesin reformator juridik të këtij shteti, procesin e zhvillimit të burimeve njerëzore, procesin e ndaljes së kolonizimit dhe dekulturizimit të Malësisë, Shestanit, Plavës, Gucisë dhe Rozhajës, procesin e mbrojtjes së pronës private dhe komunale në Ulqin e gjetkë, procesin e regjistrimit të çdo shqiptari të diasporës në regjistrat e Gjendjes Civile të këtij shteti; një parti politike që përbëhet nga departamentet me titullimet që thashë më sipër:

Kur them parti politike, nuk nënkuptoj eliminimin e pluralizmit, por nënkuptoj një udhëheqësi politike pluraliste, të konfederuar, që bën një pakt për mbrojtjen e interesave shqiptare, pa cenuar të drejtat malazeze, dhe angazhohet për unitet dhe kundër përçarjes. Një parti, urë bashkuese mes shqiptarëve dhe qeverisë qendrore të Malit të Zi, që vendos në eficiencë shërbimin komunal të bashkive shqiptare dhe mbron komunitetin shqiptar.

Qytetarët shqiptarë në Mal të Zi ndodhen para nevojës urgjente për të ngritur në standarde të pranueshme europiane statusin e përfaqësimit të bashkëkombasve. Përfaqësimi më i kualifikuar në aspektin politik dhe arsimor, jo vetëm do t’i shërbejë më mirë ecjes përkrah rrjedhave integruese rajonale, por do të shpëtojë popullin tonë në këtë pjesë të Ballkanit, nga shpërbërja, shpërngulja dhe përhapja pa kthim.

Shqiptarët në Malin e Zi janë para emergjencës komunitare për t’u ngritur në statusin e faktorit që merr pjesë aktive në zgjidhjen e problemeve të së ardhmes së vet.

Përforcimi i sistemit arsimor në gjuhën shqipe, përmes përcaktimit në ligj të plan-programeve në gjuhën shqipe, ndryshimi i teksteve bazë të historisë, gjeografisë dhe artit, në Malësi, Anë të Malit, Ulqin, Tivar, Plavë, Guci, Rozhajë dhe Shestan, mbrojtja e të drejtave të pronësisë, mbeten prioritete me rëndësi vendimtare për mbijetesën identitare; ndalja me urgjencë e procesit të kolonizimit të Malësisë, ndalja e zaptimit të pronës dhe mbrojtja e hapësirës së pjesëmarrjes në drejtimin e administratës, sistemit arsimor, organeve të punëve të brendshme dhe rendit publik në hapësirën shqiptare, janë po ashtu vendimtare.

Shqiptarët e Malit të Zi kanë një grupim intelektual të rëndësishëm, që po të angazhohet në përfaqësim, mund të sjellë një strategji të re në shkollimin efikas të shqiptarëve, një ndihmesë të rëndë- sishme në ristrukturimin administrativ dhe asaj çfarë dëshirohet nga të gjithë, ngritja e Komunës së Pavarur të Malësisë, në të gjithë hapësirën gjeografike të Malësisë së mirë- filltë, duke përfshirë edhe Kojen dhe Trieshin, dhe njohjen e njëmendtë të statusit të popullit shtetformues.

2. Korrigjimi i qëndrimit të qasjes së politikës centrale malaziase: Asnjë proces integrues në Europë nuk mund të kryhet pa respektuar të drejtat e punësimit, të drejtat civile, të drejtat arsimore, dhe kulturore të Hotit, Trieshit, Kojës, Grudës dhe Malësisë. Është momenti që politika qendrore malazeze ta transformojë njëmendësisht lirinë e parë formale, në një liri funksionale, zhvillimore, të vërtetë.

Si e shpjegojnë autoritetet qeveritare të një vendi që anëtarësohet në NATO dhe BE, që të jesh shqiptar në Malin e Zi, do të thotë të jesh i papunë?! Kjo duhet të jetë e papranueshme. Autoritet e Podgoricës duhet të kuptojnë që shqiptarët nuk mund të mbahen të kontrolluar përmes hijeve të mëkateve të djeshme të disa individëve të tyre, as përmes metodave të institucioneve që i përkasin botës së vjetër komuniste shqiptare dhe jugosllave.

Çdo kamuflim i metodave të vjetra të kontrollit të lirisë sot, tashmë është i pavlefshëm. Një vend aspirant për të qenë anëtar i BE-së, një vend që pret nga Shqipëria votën për anëtarësimin në NATO, nuk duhet të ketë frikë nga një nukël pro europianist dhe proamerikan i shqiptarëve në tërësi.

Aq më tepër që edhe Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë në të njëjtën rrugë dhe marrëdhëniet në mes dy vendeve janë në ditët më të mira të mundshme. Cilat janë opsionet që kanë përpara deputetët e Parlamentit shqiptar sot, më 23 qershor 2016, që edhe të sillen si joballkanike, e si europianistë, por edhe të kërkojnë një sjellje reciproke respekti ndaj kolegëve të tyre në Podgoricë dhe ndaj Shtetit të Malit të Zi, për shtetasit malazezë të nacionalitetit shqiptar?

Opsioni i parë më i drejtpërdrejtë i parlamentarëve shqiptarë do të duhet të jetë angazhimi për ratifikimin e protokollit në një moment të dytë dhe shtyrja e përkohshme e ratifikimit, derisa qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, të ndërmarrë bisedime mirëkuptimi me autoritetet gjegjëse malazeze, në lidhje me një tërësi çështjesh:

A. reformimin e zgjerimi kualitativ i sistemit arsimor në gjuhën shqipe në territoret e banuara nga popullsia shqiptare në vendet e lartpërmendura; njohjen e të drejtës së plotë të pronësisë së individëve shqiptarë dhe komuniteteve respektive, bazuar në dokumentet kadastrale të shekullit XIX dhe XX, në këto hapësira;

Korrigjimin e Ligjit për të Mirat Detare, përmes trajtimit të barabartë të Komunës së Ulqinit, me komunën e Tivarit, Budvës, Kotorrit: rikthimi i vijës 2.5 kilometra komunës së Ulqinit dhe rikthimi i të ardhurave të kësaj komune;

të zgjidhet problemi i Krypores së Ulqinit dhe t’u njihet pronarëve shqiptarë e drejta e pronës; mbrojtjen e monumenteve historike dhe religjioze në Shas, Shestan (Kisha Katolike shqiptare e Rumisë nuk mund të transformohet në identitet), Malësi, Krajë (Kisha Katolike e Shën Marisë në Ostros është pjesë e identitetit shqiptar të Krajës), Kllezen, e gjetkë;

heqjen nga qarkullimi i zërave fyes për shqiptarët, në fjalorin e Akademisë malazeze; krijimi i kushteve ligjore për reformimin administrativ dhe njohjen e të drejtës së Malësisë shqiptare, për të pasur njësinë e vet bashkiake të pavarur e të veçantë, me qendër në Tuz;

njohjen e të drejtave të regjistrimit të shqiptarëve të emigracionit dhe pasardhësve të tyre në Gjendjen Civile të shtetit; ndaljen e kolonizimit të trevave shqiptare. Mjaft më me heshtje të Tiranës zyrtare, ndërkohë që Malësia, Kraja, Shestani, Plava, Gucia vuan, ndërsa Rozhaja po jep frymën e fundit, dhe ju po bëheni gati të firmosni anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, pa asnjë kusht të mbrojtjes së jetës së shqiptareve atje.

Opsioni i dytë është ai formali, që të lë faqen e zezë mbas: atë të harresës së detyrës së mbrojtjes së popullit tand: heshtja dhe ratifikimi pa asnjë fjalë. Zgjidhni dhe merrni, të nderuar deputetë dhe qeveritarë të Tiranës së shekullit XXI!

*Drejtor i Shkollës Doktorale, Universiteti Europian i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura