Shqipërisë i mungojnë sipërmarrjet e mëdha

Jun 22, 2016 | 12:29
SHPËRNDAJE

Sipërmarrjet e mëdha në Shqipëri, që do të ishin konkurruese dhe do të arrinin të amortizonin goditjet e krizës së konsumit, numërohen me gishtat e dorës.

Sipas të dhënave të përpunuara nga lista e tatimeve me 15 mijë bizneset më të mëdha në vend, sipas xhiros për vitet 2013-2014 rezulton se vetëm 14 prej tyre kanë një qarkullim vjetor më të madh se 100 milionë euro.

Ndihma ekonomike
Ndihma ekonomike

Janë 21 biznese që xhirojnë midis 50 dhe 100 milionë euro në vit. Në total janë vetëm 35 biznese që kanë qarkullim vjetor mbi 50 mln euro.

Në kufirin nga 10-50 milionë euro, numri i kompanive rritet dhe arrin në 144.

Edhe nga këto sipërmarrje të mëdha, një pjesë e mirë u përkasin kompanive të naftës, që kanë një rritje artificiale të qarkullimit vjetor, pasi nafta shitet dhe blihet disa herë, pa ndonjë efekt direkt në ekonomi, si për taksat e paguara, ashtu dhe punësimin.

Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha përfshihen 27 të tilla (sh.a., që tregtojnë me shumicë dhe sh.p.k., që shesin me pakicë), që kanë realizuar një qarkullim vjetor prej 238 miliardë lekësh (rreth 1.7 miliardë euro), me një rritje prej 33% me bazë vjetore, sipas të dhënave të dorëzuara te tatimet.

Këto kompani realizuan gati 25% të qarkullimit total të 200 VIP-ave, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe fakti që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese, ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shitblerjes disa herë të saj).

Pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha përfshihen në intervalin 1-10 milionë euro, me numrin e tyre që i afrohet 1400 dhe në atë nga 0.1-1 milionë euro, me rreth 6,000.

Në total, xhiro mbi 8 milionë lekë (rreth 57 mijë euro), kufiri ku ndahet biznesi i vogël nga ai i madh, në Shqipëri kanë më pak se 10 mijë sipërmarrje (9620).

Për krahasim, në Shqipëri, kompania që arrin qarkullimin më të lartë vjetor nuk i kalon 400 milionë eurot në 2015-n dhe është në fushën e tregtimit të naftës, ndërsa në Maqedoni, sipërmarrja më e madhe Johnson Control (në fushën e industrisë automotive) kishte një xhiro afër 1 miliard eurosh.

Në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, industria e rëndë tradicionale – kompanitë e naftës, gazit dhe energjisë – po humbin dalëngadalë terren, megjithëse ato ende dominojnë renditjen e më të mëdhave. Ecuria e tyre është ndikuar negativisht nga çmimet e ulëta në tregjet globale, luhatshmëria e shpeshtë dhe gjithnjë e më shumë kushtet e pafavorshme të motit.

Prodhimi i makinave dhe pjesëve të makinave ndërkohë po fiton terren në listën e 100 më të mëdhave të Europës Juglindore (EJL), me rritjen që po nxitet nga rimëkëmbja e shpejtë në tregjet më të mëdha të eksporteve, sipas një raporti të renditjes rajonale të publikuar nga See News. Ato po shfrytëzojnë avantazhet konkurruese më të mira të rajonit – kosto e lirë e fuqisë punëtore, taksat e ulëta, pozicionin strategjik dhe infrastrukturën e përmirësuar, shpesh duke u mbështetur në ekspertizën e kaluar në industrinë lokale. Priten lajme më të mira për industrinë e automjeteve, duke konsideruar normën e ulët të zotërimit të makinave në rajon dhe të dhënat për shitjen e veturave të reja si në Bashkimin Europian, ashtu dhe në Europën Juglindore.

Në Shqipëri, kjo përqasje mungon tërësisht, ndërkohë që dhe kompanitë përpunuese vendase nuk po arrijnë të jenë konkurruese as në tregun e brendshëm. Ndërsa vendet fqinje po tërheqin investitorë me emër dhe po zënë vendin e tyre në industrinë e Europës Juglindore, Shqipëria mbetet zbuluar përballë rënies së çmimeve të naftës, “e paaftë” të zëvendësojë këto humbje me industri më të qëndrueshme.

Numri i kompanive të mëdha, sipas xhiros
mbi 100 milionë euro 14
50-100 milionë euro 21
10-50 mln euro 144
1-10 mln euro 1373
0.1-1 mln euro 6032
0.57-0.1 mln euro 2036
Numri total i bizneseve me xhiro mbi 8 mln lekë (57 mijë euro) 9620

Burimi: Përpunime të ‘Monitor’, sipas të dhënave nga Tatimet

“Sa pak biznese të mëdha.
Sipas të dhënave të përpunuara nga lista e tatimeve me 15 mijë bizneset më të mëdha në vend, sipas xhiros për vitet 2013-2014 rezulton se vetëm 14 prej tyre kanë një qarkullim vjetor më të madh se 100 milionë euro. Janë 21 biznese që xhirojnë midis 50 dhe 100 milionë euro në vit.”

MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura