Shqipërisë i kanë ardhur “ato”

Jun 29, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA

    Zgjedhjet elektorale vendore – qershor 2015 – i dhanë Shqipërisë nga Jugu në Veri, pothuaj si dy vite më parë, një ngjyresë politike menstruale. Cikli demokratik është thyer dhunshëm prej një trandjeje e shkundullime të panatyrshme, prej së cilës ngjyra e mavisë e ka përfshirë fundekrejt mëmëdheun, mu si një gjymtyrë të gangrenizuar. Mbetet vetëm dilema: do të ketë përmirësim vallë gjymtyra (do t’i mbijetojë gangrenës) apo do të duhet të “amputohet”?
Shqipëria është mavijosur prej një dhune të padukshme, bizare, një dhune të brendshme, që ia ka prishur ciklet e natyrshme demokratike, duke e reflektuar së jashtmi këtë dhunë me teptisjen e mavisë intensive. Shqipëria ka pësuar trandjen e ciklit të proceseve fiziologjike; thënë ndryshe: Shqipërisë i kanë ardhur “ato”… Në simbolikën e ngjyrës, mavia është “simbol diversioni”, “harmoni e kontradiksionit” (Nikola i Kuzanit), “mashtrueshmërisë së jetës tokësore, mirazhit” (Hosrov-i), ndjesi e shqetësimit – “ngjyrë e gjallë, por e pahareshme” (Goethe), “një tingull i sëmurë, diç e shuar dhe pikëllimtare, që i përgjigjet tingëllimës së fagotit dhe fyellit” (V. Kandinski) etj.

Sa përputhshëm tingëllojnë këto përkufizime simbolike me epideminë e mavisë politike që ka kapluar Shqipërinë! Me dy-tre rriska qiejsh blu në skaje, kromatika politike e Shqipërisë po shkon drejt kapitullimit dhe nuk është çudi që në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme harta jonë me blu mund të ketë mbase vetëm liqenet dhe vijën bregdetare, gjykuar kështu nga modelet e rezultateve ala-komuniste të disa qyteteve. Po përse, vërtet, çfarë nuk shkon me votuesin masiv shqiptar, që u “mavijos” kështu – nëse ka arsye ta kërkojmë shkakun te votuesi dhe e drejta e tij për të shprehur i qetë e i patrazuar vullnetin e tij të padiskutueshëm demokratik? Mund të numërojmë, nëse i hyjmë kësaj llogarie, dhjetëra shkaqe të vogla e të mëdha, e ndër to, edhe faktin se në mbi 50% të së drejtës së tij, “sovrani” ynë, i zhgënjyer e i tëhuajësuar, as që e mori mundimin t’i drejtohej kutisë së votimit. Maksimumi, ky “sovran” e ndoqi në ekran, përmes një kureshtjeje të përzier me bezdi, kacagjelimin e ndërkryer të kundërshtarëve elektoralë. Pjesa tjetër, më pak se gjysma e “sovranit”, nuk e kishte këtë “luks”: i fryrë dhe i pompuar me silikon premtimesh, parash kesh (për ditë të zezë), përsëriti pragmatikisht ritualin në kutitë e votimit, kësaj radhe pa pikë besimi në zemër, duke i hapur kësisoj udhë marshimit të zgjyrës mavi në krejt shtatin e drobitur të mëmëdheut. Sepse tanimë votuesit shqiptarë janë lodhur nga ngjyrat e rrejshme, andaj dhe nuk pranojnë më më shumë së dy ngjyra.

Madje, edhe kriteri për të zgjedhur midis sosh, përcaktohet nga forca për dominimin total. Nuk bëhet më fjalë për vlera identitare; nuk bëhet më fjalë për bindje botëkuptimore, as për ndjeshmëri të bazuara në doktrina politike, sepse për besueshmëri platformash dhe profilesh garantuese qytetare, si dorëzanë të sprovuar e të ndershëm – as që bëhet më fjalë! Po të ishte kështu, që të besohej në përvojën, aftësinë dhe sinqeritetin e kandidatit, dr. Halim Kosova do të ishte shpallur fitues në kryeqytet me mbi 80% të votave. Atëherë? Nuk duhet, pra, ta kërkojmë te votuesi shkakun e rezultatit menstrual të këtyre zgjedhjeve të mavijosura; as tek ata që votuan, as tek ata që abstenuan. Nuk kishte arsye të mbështetej masivisht gjendja thellësisht dëshpëruese e Shqipërisë së sotme të papunësisë; të listave nëpër dyqane; të taksave të larta dhe falimentimeve të pandalshme të bizneseve; të mprehjes së briskut për rrjepje të sofistikuara gjobash absurde dhe çmimesh astronomike; të spastrimit pa të sosur të administratës dhe mbushjes së saj me militantë fushatash; të monopoleve të reja dhe oligarkive kriminale nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, të mungesës së çdo shprese se në këtë vend mund të jetohet; të vjedhjeve e grabitjeve të bujshme të pasurisë së shtetit dhe qytetarëve në mes të ditës; të korrupsionit violent e të pandëshkueshëm; të trafikut të organizuar të drogës dhe të vrasjeve të porositura politike etj. etj.

Të gjitha këto e të tjera ishin një shkak i mjaftueshëm që vota e shqiptarëve, në mos ndëshkuese, të kishte qenë së paku e mjaftueshme e realiste për një ekuilibrim të pushteteve. Dhe ajo që veçojmë në këtë sfond është fakti se pse votuesi nuk e mbështeti alternativën opozitare për “ulje taksash, për punë dhe dinjitet”?
Mendoj se nuk është faji i votuesve. Mendoj se votuesi i djathtë, përkundër gjendjes së dëshpëruar të vendit, është ende në një krizë të thellë besimi ndaj opozitës së djathtë. Opozita nuk arriti ta bindë votuesin e saj, sepse që nga qershori i vitit 2013 nuk ka reflektuar sinqertë për humbjen. Nuk ndodhi analiza e premtuar për shkaqet e humbjes, ndër të cilat më të rëndësishme për këtë votues janë: shpërbërja e fizionomisë identitare të së djathtës dhe rrëshqitja në kompromise kolaboracioniste me renegatë “jo të një gjaku me të”; hezitimi për të reformuar bazën dhe riciklimi i shumë figurave tashmë të konsumuara, pa vizion, pa energji, madje do thënë: burokratë të bezdisshëm; frika gati mistike dhe okulte ndaj personaliteteve të djathta për t’i përfshirë në rigjallërimin e frymës së djathtë demokratike brenda opozitës për të rifituar identitetin e shprishur (përkundrazi, PD-ja u soll me ta në mënyrë fanatike, duke i mbajtur sa më larg, me kujtesën e dikurshme armiqësore të plenumeve komuniste).

Po më forcohet përshtypja se PD-ja njëmend nuk e njeh as botën, as psikologjinë e së djathtës. E kush ta njohë? Çunat e gocat e reja pa kujtesë, që prodhojnë degët e PD-së nëpër lagje, apo riciklimi burokratik i ish-drejtorëve dështakë, që kanë përgjegjësi për humbjen? Partia Demokratike si opozitë refuzon të bashkëpunojë me ata që e kritikojnë, duke hetuar ndër ta diversionin dhe jo shqetësimin e sinqertë për fatet e demokracisë dhe idealet e dhjetorit 1990, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk ngurron të bashkëpunojë me ish-kundërshtarë të saj botëkuptimorë, të krijojë aleanca me këta ish-kundërshtarë të anatemuar, duke zbuluar para votuesit të djathtë tiparin e saj më të pasinqertë: llogarinë për pushtet me çdo kusht e çdo çmim! Dhe rezultati negativ zgjedhor është, në një masë të madhe, peng i kësaj mungese të sinqeritetit, dekurajim dhe alienim nga një e djathtë e tillë, që nuk e respekton identitetin e zgjedhësit, duke e ftohur, alienuar atë, duke e shtyrë atë drejt abstenimit – në rastin më të mirë, apo duke e braktisur të degradojë në pazare të ulëta elektorale – në rastin më të keq.

Nuk është faji i votuesve. Ata tashmë kanë parë dhe kanë mësuar mjaft nga “aleancat fluide”, nga katapultimet e fryra mediatike të figurave të reja, që janë garanci vetëm për karrierën e tyre, të aftë të kapërcejnë ylberin politik me ofertën më të parë, sa herë t’ua dojë interesi personal. Sigurisht, prej një ndërrimi të menjëhershëm të rregullave të lojës, në lojë e sipër, edhe zgjedhësit humbasin besimin dhe bëjnë llogaritë e tyre, tashmë me rregulla të gatshme loje, të tilla, siç janë kujdesur t’ua ngulisin pashlyeshëm në memorie partitë tona politike.
Mandej dihet: nga çarja e besimi në vlerat e sinqerta të përfaqësimit, desakralizohet dhe vota; rrjedhimisht, depërton diç tjetër në këtë të çarë: llava mavi e diversionit, llava tejpërshkuese, molepsëse e dhunës, shantazhit, parave dhe premtimeve… mandej, dëgjohet si rreh tenja e ngjyrës, si shkallmon prej dy vitesh trupin e drobitur të mëmëdheut tonë, të trandur në aksin e saj demokratik.

Opozita duhet të nisë reflektimin e saj të thellë, kësaj here – të sinqertë, të ringrihet mbi baza të shëndetshme identitare, jo sektante, sepse pa një bashkim të sinqertë, moral e shpirtëror, nuk mund të shembet gracka prej vargmalesh oligarkike e financiare, në të cilën ka rënë peng sot shoqëria jonë. Opozita duhet t’i ringjallë besimin të djathtës dhe të lëkundurve, se ky vend është edhe i yni, se në këtë vend mund të projektohet e ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë dhe se kjo arrihet ndershmërisht, sipas meritës, “me punë e dinjitet”. Por më së pari PD-së dhe opozitës i duhet të bëjë “ekzorcizmin” brenda radhëve të saj, nëse ndien përgjegjësi për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Ndërkaq, Shqipëria e mavijosur elektorale duhet të kalojë trandjen e thellë tranzitore të shprishjes së natyrshme të cikleve demokratike. Sepse duket ashiqare: tash për tash, Shqipërisë i kanë ardhur “ato”…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura