Shqipëria sipas Krist Malokit, “Oriental apo Oksidental”

Oct 31, 2018 | 12:07
SHPËRNDAJE

STEFAN TETOLLARI

Krist Maloki është një emër i njohur si kritik letrar. Mund të themi pa frikë se ai është i pari kritik shqiptar, që e përdori atë me art letrar e metodë introspektive. Ai ishte një nga intelektualët e avangardës së kësaj periudhe, një ndër emrat e shquar të mendimit ndryshe. Krist Maloki botoi në periodikë të ndryshëm në vitet ’30-’40 (“Djalëria”, “Përpjekja shqiptare”, “Shqipnia” etj.).

Ai ka dhënë një kontribut të çmuar për përpunimin e bazave teorike, konceptuale e terminologjike të kritikës letrare shqiptare. Krist Maloki ishte një intelektual me orientim perëndimor, ku vinte në pah veset orientale në jetën politike e shoqërore shqiptare. Nga pena e tij dolën mendime dhe këshilla për problemet e mprehta që kishte shoqëria shqiptare e asaj kohe, të cilat janë shumë aktuale edhe sot.1425

Që në moshë të re, ai botoi një kritikë letrare mbi poetin tonë të Rilindjes, Naim Frashërin, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së tij, në një libër të botuar nga studentët e Grazi-t më 1925. Më 1938 Krist Maloki boton te “Përpjekja Shqiptare” shkrimin “A është poet Lasgush Poradeci?”, ku kritikon dijetarin Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) që thoshte se “Lasgushi ishte i vetmi poet që mendon e shkruan shqip”.

Më 1960 do të botonte një sërë artikujsh edhe për at Gjergj Fishtën në gazetën “Dielli” të Bostonit, për të cilin kishte një adhurim të thellë dhe e merrte si model në kritikat kundër Lasgushit dhe Naimit. Gjatë viteve ’30, në Shqipëri kemi zhvillimin e debatit ndërmjet të rinjve dhe të vjetërve, ku “të rinjtë progresistë” kërkonin ndryshimin e gjendjes dhe rotacionin e brezave, kurse “të vjetrit konservatorë” kërkonin ruajtjen e statukuosë. Krist Maloki, në ndryshim nga shumë të tjerë, nuk e shikonte luftën ndërmjet të vjetërve dhe të rinjve nga mosha, por e shikonte në një plan tjetër.

Ai do të botonte më 1937 te revista “Hylli i Dritës” shkrimin e tij të titulluar “Oriental apo Oksidental”, i cili kishte në thelb progresin dhe emancipimin, kundrejt prapambetjes e shtypjes kombëtare e sociale. Krist Maloki do të shprehej se: “Në Shqipëri s’ka të vjetër e të rinj, por oriental e oksidental, ku bëjnë pjesë dhe të rinjtë dhe të vjetërit”. Krist Maloki pohonte se, brenda gjithë këtij tymi e kësaj lufte tragji-komike ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve mund të dallohen dy-tri rryma karakteristike. E para kishte një ngjyrë thjesht politike, ku objekt sulmi ishin kolltukët qeveritarë.

Ajo kishte mbishkrimin e padukshëm “Ulu ti, të hypi unë”, e cila është aktuale më shumë se kurrë sot. Rryma e dytë u kanalizua si një luftë ndërmjet gjeneratave të ndryshme. Kurrsesi kjo luftë s’ka lidhje ndërmjet pleqve dhe të rinjve nga gjeneratat në pikëpamje biologjiko-sociologjike. Kurse rryma e tretë iu përqas më mirë thelbit të problemit, ata e cilësonin luftën e tyre si një luftë mendimesh e botëkuptimesh, si luftë ndërmjet orientalizmit dhe oksidentalizmit në vendin tonë. Lufta që e pret djalërinë shqiptare, sipas Krist Malokit, është lufta e mendësisë krijuese me mendësinë destruktive. Ajo është luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errësirë, është lufta e oksidentalizmit shqiptar me orientalizmin shqiptar. Orientalizmi, shkruan ai, është një sistem mendimesh, ndjenjash dhe instinktesh, si çdo sistem jetese, me një botëkuptim dhe filozofi të tij. Bota, për orientalin shqiptar është një burim i pashtershëm mjetesh e qejfesh, të cilat i shfrytëzon në çdo mënyrë e metodë.

5558989

Ai nuk do t’ia dijë për asgjë dhe askënd dhe është i gatshëm të shesë babë e nënë, besë e nder. Idealet e tij janë kolltuku dhe llokma. Për orientalin, shkruante Krist Maloki, atdheu dhe vatani është vendi ku ai ushqehet dhe majmet. Jo sepse e do, por se e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e skrupulli. Për të nuk ka rëndësi “sepse u shkatërrua një shtet, sepse u prish një komb, sepse u rrënua një botë. Krist Maloki doli në përfundimin se, kësi orientalësh gjenden si ndër pleq dhe ndër të rinj dhe është shumë e vështirë për t’i nxjerrë nga skena pa një kompromis kolektiv.

“Është gabim i madh,- thotë Krist Maloki,- që rrënjët e orientalizmit shqiptar t’i shikojmë nga Azia apo nga populli turk. Ai i ka rrënjët në Shqipëri që nga koha bizantine, ku bizantizmi historik është po njësoj me orientalizmin shqiptar. Shpirti bizantin u fut si një epidemi rrënimtare dhe deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit, ku kristalizoi gjithë filozofinë e tij”. Krist Maloki, për të vënë në dukje mentalitetin e orientalit, na sjell një ndodhi ku nënprefekti këshillon një djalë të ri, që po bëhej kryetar komune: “Biro, ato që ke mësuar në shkollë e në libra hidhi mënjanë. Po deshe të jesh një nëpunës i mirë, të nderohesh e të lavdërohesh, mbaje popullin me premtime. Sille vërdallë nga një ditë në tjetrën, deri sa të mërzitet e mos i kryej punë…”

Ky shpirt bizantin mikrob i demoralizimit e i bastardimit të kombit shqiptar u bë murtaja e sa e sa kombeve të tjerë. Edhe vetë osmanët u prishën shpirtërisht përpara se të pushtohej Kostandinopoja më 29 maj 1453, nga fakti se u infiltrua ai shpirti bizantin, që prej luftimeve bizantino-arabe. Krist Maloki e cilëson oksidentalizmin shqiptar shumë larg oksidentalizmit të vërtetë dhe që të kuptohej nga bota arbërore, s’do të mundej as gjuha e engjëjve. “Djalëria e shkolluar,- shkruante ai,- e kupton gabim atë, pasi ai nuk përmbahet vetëm në veshje europiane, apo të ndenjurit plot kotësi nëpër sallone apo në kryerjen e ndonjë detyre pro forma. Oksidentalizmi i vërtetë duket pikësëpari në kryerjen e një detyre të ndershme fund e krye, pa u tunduar nga përfitimi material”. Krist Maloki shkruante se, lartësia morale e një oksidentali matet me gradën e vetëmohimit dhe vetëflijimit të një ideje të lartë, rreth një ideje që s’ka punë me kolltukë e llokma.

Ai na citon një shprehje të Emanuel Kant, e cila duhet të zbatohet nga të gjithë “Vepro gjithmonë në një mënyrë t’atillë, që sjellja jote të jetë shembull mbarëvajtjeje për të gjithë”. Ky është edhe neni i parë i detyrës së përditshme të një oksidentali. Anglezi e lartëson veten duke pranuar, nderuar dhe çmuar çdo njeri apriori pa qëllime e prapamendime. Këto kërkohen të zbatohen te çdo njeri i madh e i vogël, i pasur apo i varfër, i shkolluar apo jo, të cilët nuk mbështeten në premtime materialiste, por vetëm e vetëm në emër të një njerëzimi të lartë.

Karakteristika kryesore e një oksidentali,- theksonte Maloki,- është ndjenja e mëshirës dhe dhimbjes për çdo krijesë, qoftë ky njeri, zog apo edhe zvarranik, por sidomos kundrejt çdo njeriu fatkeq, kundrejt çdo populli të varfër e më së shumti, kundrejt kombit të vet në rrezik. Shpirti fisnik i tij vihet re se si ai merr pjesë në dhimbjet e brengat e botës mjerane. “Oksidentalizmi i vërtetë,- shkruante Maloki,- përmblidhet në kryerjen e plotë të një detyre të shenjtë me vetëflijimin për një ide të lartë shoqërore. Nga kjo pikëpamje xhandari, ushtari dhe bujku shqiptar janë më oksidental sesa nëpunësi e zyrtari i kafeneve me një çarçaf diplome.

Të mendosh që shkolla europiane të bën oksidental,- shkruante ai,- është gabim trashanik, pasi edhe në Europë ka njerëz, të cilët me gjithë shkollat e kryera, me diploma e tituj shkencorë, janë njerëz të poshtër, mashtrues e kriminelë të dorës së parë. Madje dhe statistikat kriminalistike na dëshmojnë se krimet më të rafinuara e më të poshtra janë kryer deri më sot nga njerëzit me shkollë dhe jo nga populli i palexuar xhahil. Në Europë, të shumtën e herës diploma universitare paraqitet si qyrk deleje oksidentale mbi trup të një ujku oriental”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura