Shqipëria nuk është “Duty Free Shop”

Nov 24, 2019 | 10:09
SHPËRNDAJE

ARDIAN LEKAJ

mitrovic-euml-italian-euml-t-interesohen-p-euml-r-investime_hd

Tani që po shkruaj, mendoj se ekonomia botërore ndodhet në fazën e fundit të ciklit ku jemi. Kjo, ngase, sipas të dhënave statistikore të vitit 2019, rritja ekonomike është ngadalësuar për shkak të rregullave rigoroze të institucioneve financiare, rritjes së tensioneve ndërkombëtare në fushat tregtare dhe ndryshimit të strategjive të zhvillimit ekonomik, në disa shtete aziatike si Kina, India apo Koreja e Jugut (pra, kalimit nga ekonomi të bazuara tek investimet në infrastrukturë, në ekonomi që e kanë bazën te konsumi). Sot diskutohet për një krizë të re ekonomike, mendohet nga fundi i 2020-s apo 2021-shit, që mund të quhet ndryshe edhe si “kriza amerikane”.

Viti që po lëmë pas është edhe viti kur Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i mbaron mandatin, dhe ndoshta, pas tetorit, mund të kemi për herë të parë një rritje të interesit bankar. Sidoqoftë, asgjë nuk është e qartë dhe e sigurt. Babai i krizës së 2008-s ishte Alan Greenspan, ose, thënë ndryshe, personi që frynte flluskat, që e nxorën sistemin financiar nga binarët. Mario Draghi s’bëri gjë tjetër, veçse imitoi paraardhësin. Në 2008-n, sistemi u fry në mënyrë të paimagjinueshme (s’e di a ju kujtohet “To Big to Fall) dhe qeveritë s’mund të lejonin që kompanitë e mëdha të binin.

Sipas ekonomistëve, zgjidhja e vetme pas krizës do ishte një sistem me banka të vogla. Por çfarë ndodhi? Bank of America u bashkua me Merrill Lynch, JP Morgan përlau Chase Manhattan, bankat kineze janë nga më të mëdhatë në botë. Ndërkaq, në treg sot, me minus %-je interesi, mbizotëron një uri e paparë për të rritur rendimentin e parasë, një tendencë kjo që nuk shihet vetëm në sistemin bankar, por thuajse në gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë.

Por, në ç’fazë ndodhet Shqipëria në këto momente? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, m’u kujtua viti 2006, kur, gjatë një trajnimi nga Universiteti i Helsinkit si “Future Leader”, një grup prej rreth 20 vetash nga vende të ndryshme të botës na morën dhe na lanë pa telefona, kompjuterë dhe orë dore, në një pyll të Finlandës, diku në kufi me Rusinë. Hartat që na kishin dhënë ishin shumë të sakta e të qarta, por në mes të natës, s’merrnim vesh gjë. Ishte hera e parë që kuptova se sado e saktë të jetë një hartë, kur nuk ia ke idenë ku ndodhesh, është e kotë.

Harta s’ka vlerë. Filluam të diskutonim e të fantazonim se cili mund të ishte drejtimi i duhur për te çadra ku do kalonim natën dhe e nisëm me të qeshura e përfunduam të acaruar me njëri-tjetrin. Konkluzioni i së tërës është më se i qartë: Nëse s’e humbet ndonjëherë rrugën, s’je në gjendje të kërkosh destinacione të reja. Për ne sot është mjaft e rëndësishme të kuptojmë që “ndryshimi është i domosdoshëm”.

Të dëgjosh çdo ditë “ekonomia është e dobët, fukarallëk, treg i vogël, s’ka lekë, s’ka investime, njerëzit po largohen, nuk ka punë, nuk ka të ardhme”, është patjetër e lodhshme dhe depresive. Nga ana tjetër, kuptohet, tema si të zhvillojmë ekonominë s’është dhe aq argëtuese, por është e domosdoshme, sidomos kur bazohet në shifra.

Nuk është e lehtë të zgjedhësh destinacionin ku do ta shpiesh vendin apo kompaninë. E rëndësishme është të fokusohesh në filozofinë tënde, në mënyrën tënde të punës. Rruga që duhet të ndjekësh është shtruar në njëfarë mënyre përmes historisë dhe kulturës ndër vite, por ajo u duhet përshtatur me se s’bën kohërave dhe asgjë nuk duhet t’i lihet rastësisë. Jo më kot, Charles Darvin shkruante: “Nuk janë speciet më të forta ato që mbijetojnë, as ato më inteligjentet, por ato që u përshtaten ndryshimeve”. Deri më sot, ekonomia ka pasur një ligj fare të thjeshtë: atje ku ka kërkesë, ka edhe lëvrime. Ndërkaq, në ekonominë e sotme, ekonomistët e rinj inteligjentë kanë hedhur tezën e re se “nuk ke pse të presësh sa të të vijë kërkesa. Krijoje vetë”. E nëse shteti shqiptar, përmes instrumenteve të marketingut, e arrin një gjë të tillë, do ta quaja mjeshtëri ekonomiko-politike. Mendoni për pak çaste sloganin ekonomik të Shqipërisë: “Albania the Gateway to the Ballkan”.

Pa dyshim që do të zgjonte kureshtjen për të mësuar më shumë për vendin tonë. E në këtë pikë unë jam racionalist. S’kemi pse të bëhemi të gjithë si “Duty Free shop”, ku nuk e dallon nëse je në Amsterdam, Paris, Barcelonë, Dubai apo New York kur je brenda. Para pak kohësh, shtypi dhe televizioni servirën zhgënjimin e radhës për Shqipërinë: Europa nuk na i hapi dyert. Secili e komentoi sipas mënyrës së vet, për të përfituar maksimalisht nga situata, por të bësh komente është e thjeshtë, të japësh rrugëzgjidhje do njohuri e t’i zbatosh në praktikë do kurajo dhe eksperiencë. Ajo që është e rëndësishme në këtë kohë, është një analizë e paanshme mbi arsyet pse disa shtete na i refuzuan çeljen e negociatave. Dhe jo për të nxjerre fajtorin apo gjetur macen e zezë, siç e kemi zakon ne shqiptarët, por për të caktuar rrugën që do të ndjekim nesër, në të ardhmen. A e kemi kuptuar ne vallë Europën?

A na kupton Europa ne, çfarë duam të realizojmë dhe çfarë ëndërrojmë? Duhet jemi të sinqertë me veten: sot që po flasim, nuk është se Shqipëria po lulëzon. Për ta realizuar këtë, kemi ende një rrugë të gjatë e të vështirë përpara. Ka një ndryshim shumë të madh mes ëndrrës dhe jetës. Por nuk do të thotë që kur ëndërron diçka, të mos jetosh derisa ëndrra të realizohet. Njeriu është një qenie shumë e çuditshme, që kërkon të besojë me se s’bën te diçka, te dikush apo të udhëhiqet. Herbent von Karajan thoshte: “Zotësia e një dirigjenti duket kur ai e lëshon shkopin dhe orkestra vazhdon të luajë sërish muzikë”.

Titulli i autorit: “ALBANIA THE GATEWAY TO THE BALLKAN” We are not “Duty Free Shop

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura