Shqipëria nga të vetmet vende që luan Kupën pa tifozë, Shulku: Nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria

May 31, 2021 | 12:10
SHPËRNDAJE

FSHF pak ditë më parë, bëri një kërkesë në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkoi të lejohen tifozët, në një numër të reduktuar, të paktën 30% e stadiumit, për finalen e Kupës, mes Skënderbeut dhe Vllaznisë. Në media ditën e sotme ka qarkulluar lajmi se MSH ka dhënë leje, që në stadium të lejohen vetëm 1 mijë tifozë. Megjithatë diçka e tillë është mohuar nga vetë Sekretari i Përgjithshëm në FSHF, Ilir Shulku, i cili për gazetën ka thënë se nuk ka ardhur asnjë përgjigje për tifozët.

Air Albania stadiumi logo

Tjetër injorim i sportit. Nuk ka si të përkthehet ndryshe indiferenca e çdo instance shtetërore sa i përket kthimit të tifozëve. Ndonëse çdo aktivitet në Shqipëri është rikthyer në ritme thuajse të plota ose edhe me masa të rrepta, vetëm kthimi i tifozëve në ambiente të hapura dhe me mundësi maksimale për të bërë distancim social, nuk miratohet. As kur stadiumet në Shqipëri janë përdorur plotësisht për mitingjet politike apo as kur e gjithë Europa ka kthyer tifozët në stadiume si për ndeshjet finale të Europa Ligës dhe Champions Ligës, apo qoftë edhe kur në vende si Italia dhe Anglia me situata shumë herë më dramatike sesa në vendin tonë, kanë bërë kthimin e spektatorëve në kapacitet të reduktuar.

FSHF, prej gati dy javësh, ka bërë një kërkesë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ku për dijeni është vendosur edhe Komiteti i Ekspertëve apo edhe kryeministri i vendit, por “Panorama Sport” ka mësuar se në FSHF ende nuk ka pasur asnjë përgjigje nëse finalja e Kupës së Shqipërisë mund të luhet me tifozë apo jo. Indiferencë totale. Injorim i plotë. Si të mos mjaftojë kjo, ku më së paku, është detyrim ligjor për të dhënë një përgjigje për një kërkesë të tillë në mënyrë që institucioni që drejton futbollin në vend, FSHF, të bëjë organizimin për sfidën finale mes Vllaznisë dhe Skënderbeut.

MASAT – Në vendin tonë, masat po lehtësohen gradualisht, mirëpo vetëm sporti është i harruari i madh dhe i mënjanuari për çdo gjë në këtë situatë. Komiteti i Ekspertëve në vend ka miratuar hapjen e stadiumeve me praninë e 30% të kapacitetit, në periudhën kur ka mbaruar çdo ndeshje futbollistike. Një situatë deri në kufijtë e qesharakes. Ndonëse FSHF ka kërkuar disa herë lejimin e tifozëve si për ndeshjen e Kombëtares ndaj Anglisë, ashtu edhe për dashjet e kampionatit të futbollit, kjo ka rënë në “vesh të shurdhër” prej kohësh. Tanimë që ka përfunduar sezoni, miratohet kthimi i tifozëve pas datës 1 korrik. Ndonëse gjithkush do të shohë klube nate të hapura, autobusë të stërmbushur, lokale me kapacitet maksimal brenda dhe jashtë, sërish ndeshja mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, sipas instancave shtetërore, minimalisht nuk meriton as përgjigje për kthimin ose jo të spektatorëve në “Air Albania”, ku kushtet janë më të mirat në vendin tonë, aq sa edhe Ministria e Shëndetësisë ka vendosur stendat për kryerjen e vaksinimit…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura