Shqipëria në Sarajevë me një film për LGBT

| 17:32
SHPËRNDAJE
 

Poster SkaNdal
Në 63 minuta përshkruhen 5 vjet histori. Historia e ca djemve dhe vajzave që u duhet të dilnin përmbi “turpin” dhe paragjykimet e të tjerëve. Bëhet fjalë për lëvizjen LGBT, përpjekjet e së cilës kanë frymëzuar dy regjisorë të rinj, për të realizuar filmin dokumentar “SkaNdal”. Një film, i cili është pranuar në garën zyrtare për dokumentarin më të mirë, në edicionin e 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë, që do të zhvillohet në datat 15-23 gusht. Dokumentari do të shfaqet më 17 gusht dhe do të shoqërohet edhe me një debat në “DocuCorner” mes publikut të ri dhe regjisorëve. Filmi mban regjinë e Elton Baxhakut dhe Eriona Çamit, me skenar të Xheni Karajt dhe Kristi Pinderit. Ideja nistore, frikërat e fillimit, mbështetësit e parë, historitë personale, përballjet e së përditshmes me njerëzit që nuk e pranojnë “të ndryshmen”, lufta për të drejta të barabarta, fushatat dhe dalja publike, qëndrimet pro dhe kundër. Të gjitha në një dokumentar prej 63 minutash. “Dokumentari ‘SkaNdal’ është edhe një formë e bukur përmes së cilës ne komunikojmë jo vetëm me komunitetin LGBT, por edhe me prindërit, me miqtë, me të afërmit, me aleatët dhe me gjithë publikun. Në shumë raste kemi parë se si njerëz që kanë mundur ta shikojnë dokumentarin, kanë reaguar në këtë formë: kjo është e jashtëzakonshme, ju keni kaluar gjithë këto gjëra dhe ne nuk kemi ditur asgjë?!”, thotë Kristi Pinderi, një nga drejtuesit e Lëvizjes LGBT dhe bashkëskenarist i dokumentarit. Ndërsa për Xheni Karajn, qëllimi është që mesazhi që përcjell ky dokumentar të shkojë përtej kryeqytetit, atje ku mentaliteti është edhe më ndrydhës. Ajo shpreson që ky film të jetë frymëzues. “Na është dashur bashkë me Erionën që të punonim për këtë dokumentar me një temë plot me të papritura. Dokumentari nuk nisi thjesht si një zbatim rigoroz i planit të punës, por si një proces i gjatë diskutimesh, qëndrimesh, punë kërkimore në arkiva etj., për të sjellë para publikut jo vetëm problematikën e komunitetit LGBT, por edhe çështje të tjera të aktivizmit të këtij komuniteti, për të cilin në Shqipëri askush nuk ka dijeni”, është shprehur Elton Baxhaku, i diplomuar për Shkenca politike në UET e më pas për Regjisurë në Akademinë Marubi. “Sigurisht që bashkëpunimi me komunitetin në realizimin e këtij dokumentari ka qenë një nga mbështetjet dhe nxitësit, pa të cilin ky dokumentar nuk do bëhej i mundur”, thotë regjisorja Eriona Çami. Dokumentari “SkaNdal” konkurron jo vetëm për trofeun kryesor që është “The Heart of Sarajevo”, por edhe për disa çmime të tjera të rëndësishme, si “Human Rights Award”, për EDN Talent Grant etj.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.