Arian Leka dhe Gëzim Qendro përfaqësojnë Shqipërinë në Panairin e Lajpcigut, që zhvillohet në datat 12-15 mars. Autorë, përkthyes, rrjete letrare, botues dhe shtypi kritik letrar do të mblidhen në këtë ngjarje të madhe të librit.
Pjesëmarrja e Shqipërisë mundësohet financiarisht nga Ministria e Kulturës, e cila ka mbështetur Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, që përfaqëson stendën e letrave shqipe në këtë panair dhe autorët e zgjedhur.
Poeti dhe eseisti Arian Leka do të marrë pjesë në debatin me temën: “Mbi damarët mesdhetarë dhe venat ballkanike”. Organizuar nga Traduki dhe Ministria e Kulturës, në panel do të flitet për Durrësin, zbulimi i një qyteti shqiptar mesdhetar. Në programin zyrtar të Panairit shkruhet: “Shqipëria është ende vendi më misterioz i Europës. Jo vetëm për shkak të izolimit të saj të gjatë dhe veçantive gjuhësore.
Enver Hoxha dhe njëqindmijë bunkerë tashmë përbëjnë një terminologji të fiksuar për shumë njerëz. Por si duket Shqipëria përtej këtyre figurave të mirënjohura? Poeti dhe eseisti shqiptar, Arian Leka, i ka kushtuar një pjesë të madhe të veprës së tij artistike identitetit mesdhetar të Shqipërisë dhe qytetit të tij të lindjes, Durrësit. Uwe Rada, gazetar dhe autor, ka udhëtuar përgjatë bregdetit të Adriatikut në Itali, Kroaci, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Shqipëri dhe ka shkruar një histori kulturore të Adriatikut dhe të Europës (Adriatiku. Rizbulimi i një vendi malli, 2014)”.
Filmi, muzika, Nata Ballkanike janë pjesë e një programi të ngjeshur të rrjetit “Traduki”, partner zyrtar i Panairit të Lajpcigut, ku prej një viti i bashkëngjitet edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Kritiku dhe studiuesi i artit, Gëzim Qendro, do të marrë pjesë në “Natën Ballkanike” e cila krijon mundësinë e leximeve autoriale, debateve, bisedave e shkëmbimeve mes autorëve dhe shtëpive botuese.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al