Shqipëria në festivalin “Ballkan Trafik” në Bruksel

Apr 5, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Me muzikën xhaz, pop dhe popullore Shqipëria dhe Kosova do të marrin pjesë edhe këtë vit në edicionin e 10-të të Festivalit Ndërkombëtar Kulturor “Ballkan Trafik” në Bruksel, që do të zhvillohet në datat 14–17 prill.

“Keli Band” dhe Vikena Kamenica
“Keli Band” dhe Vikena Kamenica

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe në bashkëpunim me Ambasadën në Bruksel, Shqipëria do të përfaqësohet në këtë edicion me “Keli Band” dhe një nga zërat më potentë shqiptarë, Vikena Kamenica, dhe grupi i njohur popullor “Ali Pasha”. Ndërsa Kosova do të përfaqësohet me grupin “Zig Zag” dhe këngëtarin Dren Abazi.

Ansambli i të rinjve të Shoqatës së njohur kulturore shqiptare “Vatra” në Bruksel do të jetë i pranishëm si dhe vjet me një program të pasur me këngë e valle popullore nga të gjitha trevat, duke shtuar atmosferën festive edhe me kostumet e tij shumëngjyrëshe tradicionale. Do të jetë gjithashtu dhe grupi folklorik “Rinia” nga Maqedonia dhe disa instrumentistë shqiptarë me banim në Belgjikë.

Aktorja Anila Dervishi, me banim në Belgjikë, do të recitojë fabula dhe legjenda shqiptare në frëngjisht, të përzgjedhura nga publicisti Safet Kryemadhi me regji të Zenel Laçit. Po në kuadrin e këtij festivali do të shfaqet filmi “Shok” dhe do të zhvillohet një konferencë mbi zhvillimin e artit dhe kulturës në Ballkan.

Vikena Kamenica & “Keli Band” dhe “Ali Pasha” do të japin një koncert në 16 prill pasdite, në sallën e madhe të muzikës në Pallatin e Arteve të Bukura “Bozar”, si dhe një shfaqje të lirë në sallën “Vino Zirkus” në mbrëmjet e datave 14, 15 dhe 16 prill.

Më 16 prill, artistët tanë do të kenë një takim me fëmijë të sëmurë, ku do t’u tregojnë mbi vlerat tona kulturore dhe do të japin disa pjesë artistike të shkurtra në spitalin “Saint Luc”, në Bruksel.

Në përfundim, grupi ynë do të jetë i pranishëm më 17 prill pasdite në Manifestimin e Madh kulturor dhe artistik në sheshin “Grand Place” me rastin e mbylljes së këtij festivali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura