Shqipëria, në Bienalen e Artistëve të Rinj

Apr 20, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

Shqipëria anëtarësohet në rrjetin e Bienales së të Rinjve (BJCEMBiennale des Jeunes Créateurs de l’Europe et de la Méditerranée). Ky anëtarësim vjen pas marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë midis Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Torinos, nënshkruar në Torino në vitin 2015 nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi dhe kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fassino.

 

Nga Bienalja e të Rinjve
Nga Bienalja e të Rinjve

Një mundësi pjesëmarrjeje për artistët e rinj në të gjitha aktivitetet, konferencat, rezidencat, ekspozitat etj., që ky rrjet do të organizojë. Vendet e anëtarësuara në rrjetin BJCEM, kanë votuar unanimisht hyrjen e Shqipërisë në këtë rrjet, duke e parë me shumë interes fillimin e një bashkëpunimi përfitues midis ideve, vizioneve dhe mundë- sive të përbashkëta të artistëve nga Europa dhe Mesdheu.

BJCEM, e cila organizon çdo dy vjet Bienalen e Artistëve të Rinj, ka propozuar organizimin e kësaj bienaleje për vitin 2017 në qytetin e Tiranës, pas zhvillimit të edicioneve të kaluara në Torino, Romë, Sarajevë, Athinë, Napoli, Bari dhe Shkup.

Pas anëtarësimit, Shqipëria ka marrë pjesë në takimin e radhës së Bordit të Drejtorëve të Organizatës Ndërkombëtare të Bienales së Artistëve të Rinj nga Europa dhe Mesdheu (BJCEM), që u zhvillua në Cetinjë, ku u diskutua në lidhje me organizimin e bienales së ardhshme dhe seancave të veçanta mbi shembullin dhe praktikat më të mira të BJCEM në zgjerimin e rrjeteve, misionit dhe aktivitetet që janë pjesë e këtij rrjeti.

BJCEM, Biennale des Jeunes créateurs de l’Europe et de la Mediterranee, është një rrjet ndërkombëtar i themeluar në Sarajevë, në korrik 2001, gjatë edicionit X të ngjarjes me të njëjtin emër. Në ditët e sotme, rrjeti përbëhet nga 55 anëtarë nga 17 vende, përfaqësues të institucioneve kulturore, si dhe organizatave të pavarura. Ka organizuar 17 bienale të saj që nga data e krijimit, me një përfshirje të më shumë se 10.000 artistëve të rinj.

Edicioni i fundit i Bienales- Mediterranea 17 Young Artists Biennale- është organizuar nga BJCEM dhe qyteti i Milanos, duke mbledhur së bashku më shumë se 300 artistë. BJCEM ka paraqitur dy kandidaturat e mundshme të Bienales së ardhshme 2017, të cilat janë Tirana, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe, qyteti i Seviljes në Spanjë, vendim i cili do të merret në Asamblenë e Përgjithshme, që do të mbahet në muajin qershor 2016.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura