Shqipëria mund të shpëtohet nga “pandemia” e varfërisë

Jul 4, 2020 | 11:21
SHPËRNDAJE

tabaku joridaJORIDA TABAKU

Në një deklaratë të drejt përdrejtë të pak ditëve më parë, Misioni i FMN-së i rikujtoi qeverisë Rama se tentativat e saj për të prishur ekuilibrat makroekonomikë të vendit, nuk mund t’u shërbejnë shqiptarëve, por interesit personal të një njeriu, Edi Ramës. Arsyeja e qartë pas kësaj deklarate mbetet keqpërdorimi që Rama dhe qeveria e tij i kanë bërë fuqisë së shtetit. Rrjedhojë e kësaj sjelljeje është edhe kriza e thellë, që ka prekur ekonominë e vendit këto 7 vite dhe që kulmuan këtë vit. Ndihma e cunguar karshi biznesit dhe qytetarëve, mungesa e likuiditetit në treg, ndërsa nga krahu tjetër, vazhdimi i pagesave për PPP-të e oligarkëve dhe zgjerimi i këtyre pagesave në rrugë imagjinare 3D, janë një rrezik, i cili për nga natyra e tij përbën shqetësim edhe për një institucion serioz si FMN.

Për të justifikuar keqpërdorimin e buxhetit të shtetit në projekte kriminale dhe me rritjen e borxhit publik në mbi 85% të PBB-së, Ramës i duhet të propozojë absurditete. Kështu, i bindur se shqiptarët do të gënjehen edhe një herë prej tij, ka vendosur të kopjojë keqazi tezat dhe parimet, me të cilat PD ka vite që prevalon në diskutimin publik.

Ndërkohë që vijon me këto përpjekje të pashpresa për të mbuluar krizën e thellë, treguesit realë të klimës së biznesit janë më të ulëtit në rajon. Sondazhi i zhvilluar nga EUROBAROMETRI tregon se ne renditemi të fundit në rajon në lidhje me besimin në ekonomi. Banka Botërore raporton se 50% e shqiptarëve do të kenë të njëjtin nivel varfërie si në vitin 2005.

Këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut të një ekonomie, që është futur në dishezën e krizës, e cila do ndihet gjithnjë e më shumë në muajt e ardhshëm.

Nën trysninë e një parashikimi me një rënie ekonomike sa 9% e PBB-së, zgjidhja e qeverisë nuk është aspak miqësore për biznesin e ndershëm.

Në këto kushte, përballë krizës që ka prekur vendin, Rama, si një autokrat tipik, propozon një përjashtim të pazbatueshëm nga taksat dhe njëkohësisht propagandon nismën e Amnistisë Fiskale.

Të dyja nisma të kritikuara po njëlloj nga FMN, e cila i konsideron të rrezikshme për stabilitetin fiskal kopjen e keqe të heqjes së tatimfitimit. Një klithmë elektorale, kur nga ana tjetër taksa dhe tarifa vendore janë tre apo pesëfishuar. Kopja e keqe nuk do ta shpëtojë nga ngelja në klasë.

Ndërkohë, alternativa që Partia Demokratike u ofron shqiptarëve ka në bazë thjeshtësinë dhe lehtësinë e të bërit biznes. Ajo që ne ofrojmë ka në qendër qytetarin dhe mirëqenien e tij. Taksa për biznesin e vogël me normë 0.5% mbi xhiron vjetore ku përfshihen dhe taksat lokale, do t’i hapë mushkëritë e bllokuara atij sektori, që ka 70% të të punësuarve në vend, duke e bërë këtë në mënyrë të ndershme e të drejtë.

Vendosja për pjesën e mbetur të bizneseve të taksës së sheshtë prej 9%, do t’i incentivojë ato që të riinvestojnë fitimin e tyre në pagat e punonjësve apo në zgjerimin e biznesit. Njëkohësisht, vendosja e Tatimit mbi të Ardhurat Personale për të punësuarit me pagë nga 30 mijë lekë e sipër, në normën 9%, është një tjetër plus për të incentivuar konsumin.

Bindja jonë është se qytetari i menaxhon më mirë të ardhurat sesa një shtet i madh e burokrat, që abuzon më kollaj me taksat e shumta.

Shqipëria e 18 taksave, që krijon kaosin e madh dhe në të cilën kontabilistët angazhohen më së shumti për t’ua gjetur anën, do të jetë ndryshe nën qeverisjen tonë. Ne do të thjeshtojmë edhe më tej këto grupe taksash, duke eliminuar ato që janë të padobishme apo duke bashkuar në një, disa taksa të ndryshme.

Ne besojmë tek energjia pozitive e shqiptarëve, besojmë te dija dhe kapaciteti i secilit prej tyre. Prandaj, politikat tona fiskale dhe ekonomike do të incentivojnë përherë këto karakteristika. Ndajmë plotësisht të njëjtin shqetësim me FMN për rrezikun që u kanoset shqiptarëve nga kjo qeveri.

PD po punon çdo ditë për të shmangur këtë rrezik, duke u përpjekur që t’u ofrojë shqiptarëve një model të ndryshëm në qeverisje, normalitet dhe prosperitet për veten dhe familjet e tyre. Jemi në rrugën e drejtë për t’iu rikthyer atyre shpresën dhe punën. Zgjidhja dhe zgjedhja e vetme për ta nxjerrë atë nga “pandemia e varfërisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura