Shqipëria merr eurobondin prej 650 milionë eurosh për 10 vjet! Qeveria: Ky ishte një test real për ekonominë shqiptare

Nov 19, 2021 | 10:03
SHPËRNDAJE

Shqipëria emeton me sukses eurobondin prej 650 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare. Nga 700 milionë që e autorizonte ligji dhe që ishte synim i emetimit, janë emetuar 650 milionë euro me një kupon prej 3.50 për qind, me interes 3.75 për qind dhe afat maturimi 10-vjeçar.

eurobondi

Kjo ishte dalja e 5-të e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare financiare. Ky ishte një procesi që u drejtua nga zv. kryeministri, Z. Arben Ahmetaj dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Delina Ibrahimi. Investitorët treguan konfidencë duke shprehur interes në ofertat që kaluan 1.8 herë vlerën e kërkuar në rreth 1.2 miliardë euro. Emetimi i eurobondit, sipas qeverisë, vlerësohet si një test real për ekonominë shqiptare që rikonfirmon besimin e tregjeve në qëndrueshmërinë e saj edhe në kohë të vështira, pas goditjes së tërmetit dhe pandemisë.

Transaksioni shënon rikthimin e suksesshëm të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke pasuar emetimet e mëparshme të realizuara në 2015-ën, 2018- ën dhe 2020-ën.

Interesi i eurobondit të emetuar dje është thuajse në të njëjtat nivele me atë të eurobondit që u emetua një vit më parë. Në vitin 2020 qeveria shqiptare mori borxh me interes 3.62 për qind, por afati i shlyerjes së tij ishte 7- vjeçar, ndërsa këtë vit afati i maturimit të eurobondit është 10-vjeçar.

Kujtojmë që marrja e eurobondit u votua në Parlament javën e kaluar vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita e kundërshtoi marrjen e këtij borxhi, pasi sipas saj, borxhi publik ka arritur në nivele shumë të larta dhe po kthehet në një rrezik për ekonominë e vendit.

Nga ana tjetër, një pjesë e 650 milionë eurove të këtij eurobondi do të përdoren për shlyerjen e borxhit dhe investimet në infrastrukturë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura