Shqipëria, me rënien më të madhe të eksporteve të mallrave në rajon në 2015

Apr 29, 2016 | 9:05
SHPËRNDAJE

Eksportet e mallrave nga Shqipëria shënuan një rënie prej 17.3% me bazë vjetore në 2015-n, ecuria më negative në të gjithë rajonin, sipas të dhëna të Komisionit Europian, të publikuara në raportin e fundit tremujor të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate në BE.

1Me rënie të këtij treguesi, përveç Shqipërisë, është dhe Mali i Zi, me -9%, ndërsa Kosova ka një rritje minimale prej 0.2%.
Ecurinë më të mirë në rajon e ka Maqedonia, eksportet e mallrave të së cilës u rritën me 9.4%, me bazë vjetore në 2015-n. Edhe Serbia ka shënuar ecuri pozitive me 7.7%, e ndjekur nga Bosnja me 5.3%.

Shtetet e rajonit, sidomos Maqedonia dhe Serbia po i orientojnë eksportet e tyre drejt produkteve me vlerë të shtuar të lartë, si pjesët e makinave apo pajisje teknologjike, ndërsa Shqipëria në 80% të eksporteve varet nga shitja e lëndës së parë dhe krahu i lirë i fuqisë punëtore (industria me material porositësi).

Në krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit (me përjashtim të Malit të Zi), Shqipëria ka pozicionimin më negativ, si në treguesin e eksporteve të mallrave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ashtu dhe në gjeografinë sipas shteteve. Me shitjet jashtë vendit, që janë sa 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pavarësisht përmirësimit në vite, Shqipëria renditet shumë më poshtë se Maqedonia, Serbia e Bosnjë-Hercegovina.

Në Indeksin e Konkurrueshmërisë të publikuar nga Forumi Ekonomik Global, Shqipëria renditet e 72-a në botë në treguesin e eksporteve të të mirave dhe shërbimeve në raport me PBB-në, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit.

Ndryshe nga Shqipëria, që lundron e pasigurt drejt shtetit përtej detit, të goditur nga kriza e borxheve (drejt Italisë shkuan 52% e totalit të eksporteve në 2015-n) fqinjët kanë gjetur një mburojë më të sigurt, Gjermaninë, që është motori ekonomik i Europës.

Në Maqedoni, Gjermania është partneri i parë për eksportet me rreth 30% të totalit, ndjekur nga Serbia me 14%, më pas renditen Bullgaria, Italia etj.
Gjermania është partneri i parë për eksportet edhe i Serbisë, me 11% të totalit, po të njëjtën peshë zënë dhe eksportet drejt Italisë, ndërsa Bosnja është partneri i tretë, me rreth 9%.

Edhe në Bosnjë, Gjermania dhe Italia kryesojnë listën e eksporteve, me 15% të totalit secila.
Gjermania është një ndër destinacionet kryesore të eksporteve edhe për Bullgarinë e Rumaninë, ndërsa përveç Shqipërisë nuk është në listën e pesë të parave as në Malin e Zi.

Fqinjët kanë avancuar dhe në sofistikimin e shumëllojshmërinë e produkteve që shesin, kryesisht në Europë. Në Serbi, kryesojnë produkte të tilla si automjetet, gomat, hekuri dhe çeliku, veshjet, gruri, frutat e zarzavatet, metalet, pajisjet elektrike, armët etj. Në Maqedoni mbizotërojnë produktet ushqimore, pijet, duhani, tekstilet, industria përpunuese, hekuri, çeliku, pjesët e automjeteve etj.

Në Shqipëri, shitja e pasurive natyrore ka dominuar në 2015-n. Produktet minerale (lëndët djegëse, xeherorët, gëlqere, çimento) përbënin gati 30% të totalit të eksporteve. Metalet bazë (bakri, nikeli, zinku, giza, çeliku), me një nivel relativisht të ulët përpunimi, zunë rreth 14% të totalit. Pesha e tyre ra në 2015-n, si rrjedhojë e rënies së çmimeve, duke lënë zbuluar eksportet në total, që ranë me rreth 5% vitin e kaluar.

Tre muajt e parë të 2016-s nxorrën më tej në pah dobësitë strukturore të eksporteve tona, teksa ato ranë me 8.6% me bazë vjetore, si rrjedhojë e rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe falimentimit të prodhuesit të çelikut, Kurum.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura