Shqipëria me një trilogji nga Lufta e Ftohtë në Venecia

Apr 21, 2015 | 19:45
SHPËRNDAJE

Armando Lulaj

Me një trilogji, copëzash historie nga Lufta e Ftohtë, Shqipëria përfaqësohet në edicionin 56 të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia.

 Këtë vit, Shqipëria përfaqësohet nga artisti Armando Lulaj, i cili u përzgjodh nga një konkurs i hapur, shpallur nga Ministria e Kulturës. Pavijoni shqiptar parashikohet të jetë një ishull i veçantë në hapësirën artistike të Bienales së Venecias, e cila starton më 9 maj deri në 22 nëntor, duke u paraqitur me një moment specifik, tërësisht shqiptar, nën titullin “Albanian trilogy”. Kjo vepër është konkluzion i disa viteve kërkime mbi periudhën e Luftës së Ftohtë në Shqipëri; një rrugëtim dedikuar temave si kujtesa kolektive dhe eksperiencat historike.

Puna e parë e kësaj serie titullohet “It wears as it grows” (2011), e dyta titullohet “Never” (2012) dhe është një vepër e njohur tashmë në nivel ndërkombëtar, ndërsa e treta “Recapitulation”, është krijuar enkas për Bienalen. Projekti i kuruar nga Marco Scotini është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Boris Groys, Kathrin Rhomberg, Adrian Paci, Alberto Heta. Edicioni i këtij viti i Bienales së Venecias titullohet “All the World’s Futures”, kuruar nga Okwui Enwezor.

Aktiviteti do të hapet për publikun më datë 9 maj dhe do të qëndrojë i hapur deri në 22 nëntor. Ceremonia e hapjes së pavijonit shqiptar, i cili do të jetë i vendosur në zonën arsenale, do të zhvillohet në datën 6 maj.

PAVIJONI SHQIPTAR

Sipas kuratorit Scotini, “Albanian Trilogy” do të propozohet si një lloj makine muzeale me relikte e trofe të çuditshëm, ku fiksioni dhe dokumentet ndërthuren së bashku. “Vepra e Lulajt luan më së shumti me hendeqet e historisë: tregon terrene të rrëshqitshme, atje ku pritet të gjenden përfaqësime të fuqishme, të pagërvishtshme. Do pyesni se ç’bën një skelet origjinal balene mesdhetare, e gjatë 11 metra brenda një hapësire kushtuar historisë politike? Ç’lidhje kanë fotografitë private të fëmijëve përballë malit Shpirag? Pse pozojnë aty dhe jo diku tjetër?”, shprehet për “Arttribune” kuratori Scotini.

Sipas tij, qëllimi nuk është që të ofrohet një imazh i Luftës së Ftohtë në Ballkan. Kuratori thotë se projekti ka të bëjë më shumë me histori të vogla, detaje margjinale, mbetje kujtese. “Është një reflektim mbi transparencën dhe errësinë e gjërave, mbi mënyrën se si ato shfaqen në një periudhë dhe se si jemi gati t’i shohim në një mënyrë tjetër në një moment tjetër”, shton kuratori.

“Trilogjia” e Lulajt përbëhet nga tri vepra filmike, që tregojnë tri histori të ndryshme, në vende të ndryshme, si Tirana, Berati, Gjirokastra. Por edhe tregime nga tri kohë të ndryshme; kapja e një aeroplani armik në vitin 1957, një incident nënujor mes kundërshtarëve politikë në 1963; nënshkrimi i një mesazhi politik në rang vendi në vitin 1968. Sipas Scotinit, këto ngjarje të së shkuarës rikthehen në të tashmen si fantazma. “Të gjitha rrotullohen rreth figurës së fryrë të liderit socialist, Enver Hoxha”, thotë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura