Shqipëria, “macja e zezë” e trajnerëve të Grupit I

Nov 19, 2015 | 9:59
SHPËRNDAJE

E ka nisur me një humbje aventurën e tij me Shqipërinë, ndërsa edicionin e fundit e ka kurorëzuar me arritjen historike: kualifikimin për herë të parë në një Europian. Xhani De Biazi i ka bërë një nisje të shkëlqyer këtij edicioni kualifikues, që me triumfin në ndeshjen e parë kundër Portugalisë me gol të Bekim Balajt në Aveiro, por e tillë nuk ka qenë për rivalët e tij.

Burim Kukeli, gjate nje dyluftimi me Cristiano Ronaldo

Katër rivalët e trajnerit italian në Grupin I për kualifikueset e “Francë 2016” nuk janë më në krye të skuadrave të tyre kombëtare. I fundit kishte mbetur Morten Olsen, por pas 15 vitesh drejtim edhe ai i jep fund aventurës së tij me Danimarkën. Kush është fajtori? Shqipëria e drejtuar nga Xhani De Biazi.

Paolo Bento

Kuqezinjtë ranë në një grup të vështirë për këtë edicion kualifikues, pasi përballë kishin Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë. Ekipe që, me përjashtim të kësaj të fundit, ishin dhe janë plot e përplot me kualitete në krahasim me Shqipërinë. Ishte 7 shtator 2014, kur ish-trajneri i Portugalisë dha dorëheqjen. Humbja e pësuar në shtëpi nga Shqipëria e bëri Benton të ishte “preja” e parë e gjahtarit De Biazi që e nisi me vrull dhe me shumë “uri” sezonin e gjuetisë.

Kënaqësi e madhe në Shqipëri, por jo në kampin portugez që nuk mund ta pranonin një disfatë të tillë, fatura e së cilës iu ngarkua atij që ishte në krye të skuadrës.

Dik Advokat

Holandezi u tregua më shumë patriot se vetë serbët kur flitej për përballjen me Shqipërinë, megjithatë, pas ngjarjeve të Beogradit, ishte edhe ai që ndoqi shembullin e Bentos, dha dorëheqjen. Fakti që nuk mundi dot Shqipërinë, e bëri thuajse të pamundur qëndrimin e tij në krye të pankinës së Serbisë dhe u desh që të largohej, ekzaktësisht pas humbjes 1-3 me Danimarkën.

Një muaj më vonë, trajneri i Kombëtares shqiptare numëronte dy kolegë të shënjuar me kryq në listën e tij. Ka të tjerë?

Bernard Shalandes

“Nuk ka dy pa tre”, është një shprehje dhe i treti në këtë listë ishte trajneri që u mund në “Elbasan Arena” me gola të Mavrajt dhe Gashit. Disfata 2- 1 e 29 marsit bëri që edhe Armenia të gjente një fajtor, pasi nuk ia doli dot përballë Shqipërisë që po hidhte hapa gjigantë drejt kualifikimit për në Francë.

I pyetur shpesh nëpër konferenca të ndryshme për shtyp, De Biazi kërkonte që të mos fokusohej në këtë pikë, pasi nuk donte që të merrte epitetin e trajnerit që shkarkon trajnerët rivalë.

Morten Olsen

15 vite nën drejtimin e Danimarkës do të merrnin fund dje, kur danezët nuk ia dolën që të siguronin kualifikimin për në Europian. Shqipëria është duke shijuar ende shampanjën e hapur për kualifikimin, ndërkohë që Olsen ka mbyllur një karrierë shumëvjeçare nën drejtimin e Danimarkës. U desh kualifikimi i Shqipërisë, që skuadra e Olsen të renditej e treta në Grupin I dhe që shorti e vuri Danimarkën e Olsenit përballë një rivali që në përbërje ka një emër të frikshëm: Zlatan Ibrahimoviç.

Me largimin e tij nga posti i Danimarkës, De Biazi arrin që të koleksionojë një arritje personale: largimin e të gjithë trajnerëve nga ekipet që janë përballur me Shqipërinë. Kuqezinjtë u konfirmuan si macja e zezë e këtij edicioni dhe njëherazi si surpriza e bukur e skemës së re të Europianit, luajnë për të parën herë 24 ekipe në raundin final.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura