“Shqipëria lë në mes të katër rrugëve studentët në Bullgari”, Ish-deputeti i PD: Kampusi është mbyllur dhe ambasada refuzon t’i evakuojë me autobuzë

Mar 18, 2020 | 17:08
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në një reagim në facebook ka përcjellë shqetësimin e 100 studentëve shqiptarë që ndodhen në Bullgari.

universitet

Boçi thotë se kampusi ku ata rrinin për studime është mbyllur dhe mësimi do të vazhdojë online, ndërsa studentët duhet të largohen në vendet përkatëse.

Ish-deputeti i PD-së shkruan se ata i kanë kërkuar ambasadës shqiptare atje që t’i ndihmojë për kthimin në familje, madje janë shprehur se do të vetëkaratinohen për 14 ditë, por ambasada i është përgjigjur në mënyrë evazive, duke mos i ofruar asnjë mbështetje dhe asnjë garanci për kalim në doganat shqiptare.

Reagimi i plotë:

APELI I STUDENTËVE TË BRAKTISUR

Qeveria shqiptare ka braktisur dhe ka lënë në mëshirë të fatit mbi 100 studentë të cilët gjenden me studime në Bullgari.

Ndërsa Mali i Zi dërgon avion të posaçëm për studentët e vet, Shqipëria i le në mes të katër rrugëve.

Kërkesës së tyre, ambasada i është përgjigjur në mënyrë evazive, duke mos i ofruar asnjë mbështetje dhe asnjë garanci për kalim në doganat shqiptare.

Ndërkohë, kampusi është mbyllur dhe pjesa tjetër e mësimit do të vazhdojë online. Studentët duhet të largohen në vendet përkatëse.

Pas email-t të datës 14, në takimin me ambasadën, atyre i është ofruar si zgjidhje vetëm rruga nëpërmjet Turqisë, me avion që kushton shumë, përtej mundësisë financiare të familjeve të tyre.

Kërkesës së studentëve që shteti t’i evakuojë me autobuzë, ambasada i është përgjigjur në formë refuzuese.

Studentët bëjnë apel për krijimin e mundësisë së kthimit të tyre dhe shprehin gadishmërinë e karantinimit 14 ditor, sapo të mbërrijnë.

Kjo është fytyra e vërtetë e një qeverisje të papërgjegjshme që ka braktisur çdo detyrim dhe përkujdes ndaj shtetasve të vet.

Studentët duhet të kthehen në Shqipëri!

sofie

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura