Shqipëria kaotike, nga kalaja e Prezës

Dec 7, 2017 | 10:50
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Se si e kemi keqndërtuar Shqipërinë në këtë tranzicion, e tregon pamja tronditëse në aksin kryesor urban të vendit, autostradën  Tiranë-Durrës, ku në përmbytjen e fundit, rrëketë e turbullta, balta, lyzhdra, gurët dhe cungjet e zhbënë rrugën në pak minuta. Pa kanale funksionuese askund. Dhe të mendosh që e gjitha ndodhi vetëm 5 kilometra nga sheshi “Skënderbej” dhe selitë qeveritare. U përmbytën biznese, përfshi dhe një nga krenaritë e kryeqytetit, “City Park”.

Për 24 orë, Qafa e Kasharit u kthye në qafën më problematike të vendit, për të vazhduar me përmbytjet shkatërrimtare që pasuan natën e 30 nëntorit e në vazhdim në Fushë-Krujë, Kurbin, Fier, Vlorë, Berat etj. Ashtu si vite më parë në Shkodër e Lezhë, ku nuk mund të ecej pa varkë dhe në mes të qytetit. Kur ndodhin katastrofa të tilla natyrore, mendja të shkon më e pakta te tradita jonë e moçme për t’i ndërtuar shtëpitë në vende të ngritura. Na tregojnë se pleqtë e Lezhës, njëherë e një kohë, kur ndodhnin përmbytje, dilnin në kodrën e kalasë dhe shihnin se cilat vende në fushën e madhe nuk ishin përmbytur dhe kishin mbetur si ishuj të vegjël, me qëllim që në të ardhmen të ndërtonin aty.

Kurse ne qëlloi që u ngjitem në një tjetër kala, atë të Prezës, për të kundruar fushën e përmbytur të Tiranës, e zënë fund e krye me ngrehina të llojllojshme, një katrahurë e paimagjinueshme ndërtimesh, më keq se hangarët e dikurshëm uniformë të kooperativave bujqësore. Pa dron, nga lartësitë e Prezës mund t’i rrokësh me sy fushat e pamata deri afër Zadrimës, apo ato nga ana e Durrësit, kënetë e gjallë si dikur Tërbufi. Më mirë të mos i shohësh në gjendjen që janë, se të dhembin sytë. Një pamje që fundja nuk e sheh vetëm nga këndej, por nga cilado lartësi, sado e vogël që mund të ngjisësh.

Gjëja e parë që mendon është se Shqipëria është “përmbytur” prej kohësh nga ndërtimet kaotike, po përmbytet kaq lehtë nga shirat dhe stuhitë! Darëzeza e Fierit dhe Novosela e Vlorës kanë qenë prej shekujsh aty, por asnjëherë Vjosa nuk është “tërbuar” si kësaj here ndaj tyre, duke përmbytur shtëpitë e zhveshur banorët nga çdo pasuri. Fat që nuk pati viktima në njerëz, për çka sigurisht meritojnë mirënjohjen e të gjithëve Forcat e Armatosura, Emergjenca Civile, Policia e Shtetit etj., por është e dhimbshme të shohësh bagë- ti të ngordhura nga vërshimi i ujërave.

Është një bilanc më të vërtetë i rëndë për shqiptarët dhe ekonominë e tyre, në tri ditë, mbi 3300 banesa të përmbytura, 40 biznese, mbi 10 mijë hektarë tokë nën ujë, 28 ura të dala jashtë përdorimit, 58 shkolla të dëmtuara etj. Ku vemi kështu? Se natyra nuk do t’i rreshtë as në të ardhmen shirat dhe rrebeshet, furtunat me erëra të forta dhe dëborën “përmbytëse” në qytetet dhe fshatrat e bjeshkëve.

Kaosi ka ndodhur pas ‘90-s, kur duhej të lulëzonte ndërtimtaria moderne, ekonomia e tregut dhe jo informaliteti galopant. Mjafton të shohësh se si është (zh)bërë nga ana urbane Bathorja e Kamzës, zona e ish-Kënetës së Durrësit, Kodërmarlekaj e Lezhës etj., lagje të tëra që nuk ke sa nga iu vete me investime rrugësh, ujësjellësish, shkollash, linjash elektrike etj.

Dhe jo vetëm në periferi, por dhe në zemër të kryeqytetit, ku është penguar ndër shumë të tjerë, projekti i rikonstruksionit të rrugës “Kujtim Spahivogli”, pasi disa banorë me muret e avllive të tyre e kanë përgjysmuar rrugën nga katër – në dy metra! Gjithë këto vite problemi më i madh kanë qenë lejet e ndërtimit jashtë çdo rregulli e norme. Si mund të kenë besim njerëzit te zyrat e shtetit kur një lagje e tërë në Tiranën e re të “Kasharit” ka me qindra pallate shumëkatshe, por askund vend të lirë për kopshte, shkolla, çerdhe, qendra shëndetë- sore, fusha sportive etj?

Ndaj nuk ka ndërtim që bëhet sot në kryeqytet që nuk shoqërohet me debate, protesta etj., si ai për (mos)ndërtimin e një pallati buzë Lanës te Pallati me Shigjeta, ku më e çuditshmja në rastin e tij është loja e kungulleshës, hidh e prit, mes bashkisë së “re” dhe asaj të “vjetër”. Qytetarët janë të parët që duhet të shprehen, sepse janë përdoruesit e asaj që ndërtohet, kurse arkitektët dhe urbanistët (si rregull, gardianë të doktrinës së tyre) janë përgjegjës dhe para brezave të ardhshëm e historisë. Dështimet vijnë një ditë e të bëjnë me turp. Kemi ndërtuar ura model si ajo e Zogut në vitet ’20, por kemi dhe një urë hekurudhore në Mirditë, Ura e Tarazhit, në ishhekurudhën Milot – Rrëshen – Klos, që nuk përfundoi asnjëherë.

Sot nuk u jep dot shpjegim turistëve se si dhe pse është ashtu ajo urë, rreth 800 metra e gjatë e dyzet metra e lartë, në formën e germës S, pa lumë poshtë saj, përpos ndonjë përroi dimëror. Është ura më e gjatë hekurudhore në vend dhe do të zinte poshtë cilindo lumë të Europës, pse jo dhe vetë Danubin a Vollgën. Ende mbi fasadat e saj janë parullat e kohës së monizmit, si dëshmi e një dështimi të madh. Fotografia e urës së “vdekur”, që nuk u përfundua asnjëherë, në aparatet e turistëve të huaj, e bën dhe më absurde historinë e saj.

Jo vetëm kaq, që nuk kemi arritur të ndërtojmë si duhet, por kemi shëmtuar e bërë të papërdorshme dhe vetë urën emblematike të Shqipërisë së shekullit XX, atë të Zogut mbi lumin Mat, së cilës i është prerë njëri krah nga kalimi mbi të i Rrugës së Kombit! Diçka krejtësisht e papërligjur! Në emër të një monumenti të ri infrastrukturor, nuk ka logjikë të shkatërrosh një të vjetër.

Tranzicioni e mbushi Shqipërinë plot ngrehina abuzive buzë detit e ngado nëpër qytete që presin tritolin, për t’iu hapur rrugë ndërtimeve me standarde. Se si e kemi katranosur këtë punën e ndërtimeve, ndreq sot e prish nesër, e tregon sheshi “Skënderbej”, me 4 – 5 forma shfytyruese nga vitet ’70 e këndej. E bënte njëra qeveri si e bënte, vinte tjetra dhe e prishte, duke e bërë sipas mides së vet.

Apo, edhe sot pas 8 vitesh, disa ura të rëndësishme të Rrugës së Kombit në afërsi të Morinit nuk kanë përfunduar. Ndërkohë që nuk i ka rënë një “tullë” qendrës së Tiranës, godinave qeveritare, ndërtuar nga italianët në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Nuk janë vetëm kompanitë që keqndërtojnë me licencimin dhe bekimin e shtetit! Janë dhe vetë banorët, që me paratë e bijve të emigracionit shpesh nuk bëjnë gjënë e duhur, por ngrenë vila të stërmëdha nëpër fusha e kodra, si për t’i bërë karshillëk shoqi-shoqit, që nesër iu mbeten bosh, pasi të ikurit nuk kthehen të jetojnë më aty?

Në një fshat të Lezhës, njëri nga banorët donte ta shiste “pallatin” në anë të rrugës me asfalt për t’u ngjitur te kulla e vjetër andej nga Vela, pasi e kishte kuptuar trendin e kohës, atë të turizmit familjar. Ama, ishin hedhur gjithë ato para kot për vite e vite! Një “luks” i panevojshëm për një vend të varfër. Dhe mbi të gjitha, pa kurrfarë kujdesi për pjesën publike, duke filluar nga mungesa e kanalizimeve etj.

Aq e rëndë është situata e përmbytjeve, që po përsëritet një herë në dy vjet, sa duket se nuk do të ketë shpëtim pa një “ribonifikim” të Shqipërisë. Nuk mund të dilet nga kjo gjendje me arnime argjinaturash, urash e pastrim kanalesh aty-këtu. Emergjencë kombëtare nuk është dalja nga kriza e momentit, e përmbytjes së radhës, por ndërhyrja me themel e qeverisë, veç të tjerash, në sistemin e ndërtimeve, që u kanë zënë frymën lumenjve, rrugëve, shkollave, mjedisit urban, gjithçkaje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura