Shqipëria i jep leksion edhe Francës, ja notat e heronjve kuqezinj

Jun 14, 2015 | 18:05
SHPËRNDAJE

E kush mund ta kishte menduar në fillim të edicionit?! Në fillim gjunjëzohet Portugalia, në shtëpinë e vet. Ndërsa dje, ishin “gjelat” e Francës që dolën kokulur.

Kombetarja ne ndeshjen kunder Frances

Këtë herë në Elbasan, në mes të ditës dhe në një stadium kuqezi. Nëse dikur fati ishte një element shumë i rëndësishëm kur fitonim me ekipet e mëdha, Shqipëria e De Biazit nuk ia ka edhe aq shumë nevojën. Një ekip që funksionon si një orë zvicerane, me mbrojtje kompakte, qartësi, shpejtësi dhe sulm efikas.

Plani i Xhani De Biazit ishte sërish perfekt. Lojtarët e Didier Deshampit, pavarësisht madhështisë së emrit, e zbehën ndjeshëm shkëlqimin e tyre. Aksionet nga krahët, dyluftimet në mesfushë dhe presingu i vazhdueshëm detyruan organizatorët e “Euro 2016”-ës që t’i nënshtrohen lojës së kuqezinjve. Një perlë e Ergys Kaçes mjaftoi për të vulosur fatin e takimit, por Lenjani mund ta kishte zhbllokuar më herët rezultatin.

Ndërsa Etrit Berisha, pavarësisht garancisë dhe pritjeve dinjitoze, duhet të falënderojë edhe mbrojtjen, që i dha luksin të mos përjetojë një ndeshje stresuese. Ajeti kaloi me sukses testin për të qenë pasardhësi i Mavrajt, ndërsa Aliji rezultoi një debutues me të ardhme të garantuar në Kombëtare…

Etrit Berisha 7
Nuk gabon asnjëherë. I sigurt në dalje dhe bën një akrobaci mbresëlënëse në gjuajtjen e Valbuenës në pjesën e dytë. Një hakmarrje e ëmbël edhe kundrejt Pogbasë dhe Evrasë për Kupën e Italisë që i morën pak javë më parë.

Naser Aliji 6.5
Herë merret me Zhirudin dhe herë me Lakazet, por asnjëherë nuk stonon. Agresiv në fazën mbrojtëse, por pak i paqartë në fazën sulmuese. Mungojnë krosimet “alla Agolli” dhe ndonjë driblim me klas, por mos prisni që t’i bënte këto që në ndeshjen e parë. E ardhmja kuqezi është edhe ai.

Migjen Basha 7
Çfarë rikthimi! Qetësi, vertikalizime dhe ndërhyrje pa mëshirë e pa masë. Kukeli duhet të shqetë- sohet… Lidh mirë pjesën e sulmit me fazën ofensive dhe ofron siguri në posedimin e topit. Bie disi në pjesën e dytë.

Sokol Cikalleshi 6.5
Shumë punë dhe shumë sakrificë, por zero gola. E megjithatë vlerësohet maksimalisht sepse askush si ai nuk sakrifikohet për ekipin. Mbron, përpunon topin dhe pason si të mundet. Gjuan sa herë që ka ndonjë çerek mundësie, por mrekullitë janë ende larg. Shumë cilësi, por pak i shërbyer. (Nga min 87′ Fejzullahu – pa notë).

Elseid Hysaj 7
Galopime të shpejta, saktësi dhe vizion, në pjesën e parë është i jashtëzakonshëm. Në të dytën paguan disi impenjimin e pafund me Empolin. Aty në të djathtë zor se mund t’ia marrë dikush vendin. Shkodrani tani është një pedanë e rëndësishme. 

Arlind Ajeti 7
Gjysmë note më shumë sepse ishte në debutimin e tij real. Kishte luajtur pak minuta edhe më parë, por dje tregoi se mund të luajë në vend të Mavrajt. I saktë, kurajoz dhe agresiv në markimin një për një. Nuk e neglizhoi asnjëherë kundërshtarin dhe sa herë mundet, përpiqet që pasimet t’i japë të saktë. Kemi fituar një qendërmbrojtës.

Ergys Kaçe
8
Njeriu i ndeshjes. Mbron, pason, shtyn dhe gjuan si të mundet dhe sa të mundet. Merr një të verdhë që në pjesën e parë, por kjo nuk e pengon aspak të luftojë dhe të jetë lider në mesfushë. Fiton një goditje dënimi që e shndërron në gol. Dhe çfarë goli…! De Biazi kot bën modestin, tani duhet t’i bëjë llogaritë mirë para se ta lërë në stol…

Sabien Lilaj 6.5
Ka shumë klas korçari dhe për asnjë moment nuk çalon. Grintë, saktësi dhe qetësi. Shumë i pjekur dhe kandidat serioz për një vend titullari. Një nga përfaqë- suesit e denjë të kampionatit shqiptar, duke konfirmuar disi edhe rritjen e cilësisë në Superiore. 

Lorik Cana 7
Solid si shpeshherë. Ndihmon Ajetin që të ndihet komod dhe përpiqet të lexojë sa më mirë francezët. I vetmi në prapavijë që e fut këmbën dhe kokën edhe atje ku e di se mund të dëmtohet rëndë. Shumë i vlefshëm për ëndrrën europiane të kuqezinjve. 

Ledian Memushaj 7
Vlonjati e ka në gjen afrimitetin me topin dhe vizionin për lojën. Shumë pak ka si ai që edhe të mbrojnë mirë edhe të pasojnë mirë dhe të sulmojnë mirë. E tepron me ndonjë gjuajtje nga distanca, por gjithsesi është në formë.

Ermir Lenjani 6
Shumë dëshirë, por pak takat. Humb dy raste të pabesueshme për gol dhe asnjëherë nuk ia del me Zhaletin. Sigurisht nuk ishte e lehtë, por edhe një sezon i tërë në stol jep efektet e veta…

Arbnor Fejzullahu 7
Rikthim dinjitoz. Ka probleme me shënjestrën dhe duhet të bëjë përmirësime, por në driblim djaloshi nuk ka rivalë. Duhet të përmirësohet edhe në fazën mbrojtëse. Ndryshe nga Lenjani, nuk ka qejf të kthehet kur humb topin.

Odise Roshi 6.5
Ta themi troç: nuk është si Pogba, por ama dje luajti më mirë sesa Pogba dhe e mundi atë. Futet në lojë me fragmente, por sa herë i shkrep në kokë për të bërë atë që do, arrin ta bëjë. Nëse nuk besoni, pyesni Patris Evranë…

Armando Sadiku 6
Shumë potencë, por merr pak pasime. Nuk e bën dot sulmuesin e krahut dhe Cikalleshi ndoshta duhej të ishte spostuar pak më tepër në krah. E megjithatë ai është aty, gati për t’i futur të “dridhurat” Balës, Cikalleshit dhe Salihit.

Andi Lila –
Vrap, grintë dhe muskuj. Por vetëm për 17 minuta… Më pas dëmtohet)

Xhani De Biazi 7
Syzet në versionin “rock star” nuk e pengojnë ta lexojë mirë lojën në çdo sekondë. Shqipëria e tij luan si e barabartë me Francën dhe e mund atë. Shqipëria e tij ka mundur Portugalinë, ka barazuar me Danimarkën dhe u futi tmerrin serbëve. Shqipëria e tij është cinike, e fortë dhe e pamëshirshme. Shqipëria e tij është pretendente sepse është e qartë në fushë, sepse ka alternativa, sepse ka besim dhe ka forcë. Mund të bëhet trajneri i parë shqiptar që e kualifikon Kombëtaren në një kompeticion të rëndësishëm…

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura