“Shqipëria faktor stabiliteti në rajon”/ Ministrja Spiropali: Lufta kundër korrupsionit, gur themeli për demokracinë! Mos të zhytemi në politikën e asgjësimit të kundërshtarëve

Dec 9, 2021 | 11:09
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit duke iu bashkuar nismave të Presidentit Amerikan Joe Biden në luftën kundër këtij fenomeni.

elisaspiropali

Nga Foltorja e Kuvendit, Spiropali deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa përpara, teksa e konsideron si një faktor stabilizimi në rajon.

Spiropali ka kujtuar dhe rrëzimin e regjimit komunist 31 vite më parë dhe lëvizjen studentore. Sipas saj, tashmë është e papranueshme që politikanët të zhyten në një politikë për asgjësimin e qytetarëve dhe mospranimin e një mendimi ndryshe.

“Është interesante kur merrni guximin dhe flisni në këtë foltore për trashëgiminë kulturore ku në 8 vitet e qeverisjes tuaj keni investuar zero lekë. Muzeu i fundit që keni vendosur dorë është i 1981. Në 8 vite ne kemi hapur kantieret për 6 muze dhe teatro të rinj. Mos të flasim për investimet që ne kemi bërë për rinovimin e qendrave kulturore në shumë qytete. Sot çelet Samiti për Demokracinë, iniciativë e Presidentit Biden që përfshin vendet demokratike, në zhvillim dhe nuk është rastësi që qeveria shqiptare, Edi Rama janë të ftuar në këtë samit. Mbështetja e padiskutuar, e SHBA-së për konsolidimin e demokracisë në vend, asistencën që i kanë dhënë Shqipërisë, është gur themeli për demokracinë.

Dje ishte festë për Ditën e Rinisë. Ishte përkujtim i ngritjes së shqiptarëve kundër një regjimi që i zhveshi nga identiteti individual. Shqipëria sot është një anëtare e vogël, por krenare e NATO-s. Sot jemi në prag të çeljes së kapitujve brenda BE-së. Ne kuptojmë, ashtu siç përcakton ky samit, qartë disa piketa në luftën kundër korrupsionit. Pandëshkueshmërinë, përpjekjet për të minuar demokracinë, ku Shqipëria do paraqesë prioritetet e saj. Sot edhe pse u shpall e vdekur që në lindje, sot reforma në drejtësi është ngritur me të gjitha institucionet përkatëse. Ka problemet e saj por ka dhënë shembullin se kur ka vullnet për të ndërtuar sistemin e drejtësisë, kjo mund të realizohet. Vijojmë diskutimet për luftën kundër korrupsionit dhe qasjen që kemi. Dixhitalizimi i shërbimeve është një lehtësim për qytetarët dhe redukton korrupsionin.

Ne jetojmë në një botë që është më e rrezikuar nga qasjet e dhunshme e autoritariste. Shqipëria ka treguar se është një faktor stabiliteti në rajon. E rëndësishme është të bëhemi bashkë për të treguar qasjen tonë pro amerikane dhe perëndimore. Në këtë 31 vjetor të ndryshimit të sistemit, është e papranueshme që të zhytemi në një politikë për asgjësimin e kundërshtarit. Cënimin e dënimit të tjetrit e ka parim. Ky është mandati im i dytë në Kuvend, por sytë dhe veshët tanë çfarë nuk kanë parë e dëgjuar brenda Parlamentit. Është e rëndësishme që të luftohet ky mentalitet i mospranimit të mendimit ndryshe. Demokracia nuk është një e dhënë që merret e mirëqenë. Unë jam e bindur se kemi mirëkuptimin, do punojmë sëbashku për atë që na bashkon” – tha Spiropali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura