Shqipëria, drejt imunitetit natyror? Bie në 12 për qind shkalla e infeksionit

Apr 6, 2021 | 7:38
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI /Me apo pa vaksinat duket se vendi po shkon drejt imunitetit natyror. Prej disa javësh kurba e infeksionit ka pësuar rënie të dukshme, ndërsa shkalla e infeksionit thuajse është përgjysmuar.

Tendenca rënëse nisi që prej gjysmës së dytë të muajit mars dhe vijon e tillë edhe përgjatë ditëve të para të këtij muaji.

TË INFEKTUARIT

Dje janë raportuar vetëm 264 raste të reja, nga 2092 testime të kryera. Ç’ka do të thotë se rreth 12 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Deri në javën e parë të marsit, shkalla e infeksionit ishte mbi 25 për qind, pra më shumë se 25 për qind e të testuarve konfirmoheshin të infektuar. Rënie ka pësuar edhe shifra totale e të infektuarve aktivë. Aktualisht me këtë status janë 30 090 persona. Rritja e rasteve aktive nisi të vërehet që prej muajit shkurt, ndërsa kulmoi në javën e parë të marsit me mbi 35 800 të infektuar aktivë. Çfarë vjen më pas janë një rënie graduale e shifrave që ka ecur paralelisht me reduktimin e rasteve të reja. Por cila ka qenë situata në muajin mars? Pas shkurtit, që u mbyll me shifra rekord të infektuarish dhe viktimash si pasojë e COVID-19, muaji mars shënoi një përmirësim të situatës me një ulje të ndjeshme të rasteve të reja dhe të shtrimeve në spital. Duke iu referuar të dhënave zyrtare për muajin që lamë pas, rezultojnë 17 575 të prekur. Ndërsa në krahasim me shkurtin, rastet e reja ranë me gati 40 për qind. Duhet thënë që në javët e fundit, autoritetet shëndetësore “kanë mbledhur dorën” sa u takon testimeve, megjithatë rënia e shkallës së infeksionit është tregues për rrjedhën përmirësuese që po merr pandemia.

HUMBJET E JETËS

Por ndërsa shifrat e infeksionit janë reduktuar ndjeshëm, shtrimet në spital po ashtu, fatalitetet vijojnë të jenë të larta. Në 24 orët e kaluara janë raportuar 9 humbje jete si pasojë e COVID-19. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 9 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 4 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Shkodra, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Pogradeci, të moshave 55-83 vjeç”, bëhet me dije nga Ministria e Shëndetësisë. Muajin e kaluar u regjistruan 425 humbje jete, ndërsa prej fillimit të pandemisë raportohen 2274 viktima. Por kjo është vetëm ajo çka duket apo ajo çka është komunikuar nga autoritetet shëndetësore. Të dhënat e INSTAT nxjerrin në dritë një tjetër fakt shqetësues që ka të bëjë me vdekjet shtesë përgjatë periudhës janar 2020-mars 2021. Për të njëjtën periudhë numri i vdekjeve shtesë, sipas Institutit të Statistikave, është mbi 8 mijë. Kjo e parë në raport me mesataren e 5 viteve të fundit. E thënë kështu, përgjatë vitit pandemik janë regjistruar mbi 8 mijë humbje jete më shumë në raport me vitet e tjera. Prej tyre vetëm 2274 kanë si shkak të njohur koronavirusin. Për pjesën tjetër shkaku i vdekjes mbetet mister.

VAKSINIMI

Prej muajit mars janë intensifikuar edhe vaksinimet kundër COVID-19. Por me gjasë, rënia e shifrave më shumë se vaksinimit mund t’i atribuohet imunitetit natyror. Edhe pse nga të dhënat zyrtare rezulton që vetëm më pak se 127 mijë persona e kanë kaluar koronavirusin në harkun e më shumë se një viti, apo rreth 4.5 për qind e popullsisë, realiteti që shfaqet mbart tjetër sfond. Por nëse nuk jemi në gjendje të themi se sa është përqindja reale e infeksionit, kjo është për shkak të testimeve që kanë qenë me pikatore. Nëse do t’i shtonim vaksinimet, të cilat kanë arritur në shifrën e 200 mijë dozave të injektuara, pra doza të para dhe të dyta, atëherë përqindja e imunitetit do të ishte më pak se 12 për qind. Edhe në gjykimin e ekspertëve, raportet ditore të Ministrisë nuk përkojnë me situatën reale, ndaj edhe me rënien e shkallës së infeksionit dhe shtrimeve spitalore dhe duket dita-ditës më e besueshme teza e Akademisës së Shkencave se jemi një hap larg imunitetit natyror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura