Shqipëria dhe mbështetja ndaj demokracisë maqedonase

May 25, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

   Ka kaluar më shumë se një dekadë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni. Pa dyshim, shumë gjëra kanë evoluar pozitivisht në atë vend, ashtu si shumë të tjera kanë ecur ngadalë apo aspak në drejtimin e shënuar nga ajo marrëveshje. Madje disa të tjera janë zhvilluar në drejtimin e kundërt. Dhe për këto të fundit, unë e kam fjalën kryesisht për forcimin e dukshëm të grupeve oligarkë aty, pasurimin e pafund të tyre, dominimin nga ata të jetës politike e sociale të vendit. Forcimi absolut i pushtetit të sotëm, arroganca e shprehur, lidhet pikërisht me këtë fenomen tejet negativ, i cili është kthyer pa asnjë dyshim në një nga problemet më serioze të atij vendi. Kjo është simptomë e një sëmundjeje të rrezikshme që po kalon demokracia e atjeshme. Ndoshta, më i rrezikshmi, por jo vetëm i atij vendi, fatkeqësisht, tashmë në një hapësirë më të gjerë rajonale. Pikërisht për këtë arsye e fillova këtej këtë shkrim.
Përpara pak ditësh, Ali Ahmeti, në një emision të gjatë televiziv, foli edhe për zhvillimet pozitive në Maqedoni, që prej firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit. Dhe tha kështu të vërteta, ashtu siç ishte krejt racional, kur përcaktoi se cilat janë interesat e shqiptarëve aty, gjë që lidhet me domosdoshmërinë e ruajtjes së tërësisë së atij vendi, anëtarësimin e tij në NATO e BE. Unë jam krejt dakord me atë në këto pika. Po çështja është se arritjet e pjesshme të deritanishme janë vënë përpara një pikëpyetjeje të madhe edhe si pasojë e asaj që shkrova një paragraf më sipër, gjë që u bë e dukshme edhe nga ngjarjet e Kumanovës, ngjarje që nuk ishin aspak të paparalajmëruara. Flitet për shumë skenarë, nga më të ndryshmit këto. I takon drejtësisë së atij vendi që të bëjë transparencën, të sqarojë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm mbi të vërtetën, të dënojë fajtorët, pa fajësuar artificialisht kurrkënd, shtete apo grupime. Pyetjes së drejtë së çfarë kërkonin ata qytetarë të Kosovës në Kumanovë, të armatosur me shumicë, i duhet dhënë një përgjigje. Maqedonia është një shtet sovran dhe askush nuk duhet e nuk ka të drejtë të interferojë në hapësirën e saj. Kjo është më se normale, këtë askush nuk e mohon. Por pyetjet që po lindin për vetë paqartësinë e asaj situate, kompleksitetin dhe disa herë artificialitetin e ngjarjeve, dëshirojnë një përgjigje pikërisht për të mos u përdorur së prapthi si akuza ndaj shqiptarëve aty apo me gjerë, si shpërthyes i rritjes së tensioneve etnike. Dhe unë e mirëkuptoj Ali Ahmetin që evitoi të japë një përgjigje të tillë, duke ia lënë këtë strukturave të atij vendi, që duhet dhe e kanë për detyrë ta bëjnë.
Por, megjithëse, ajo përgjigje është e domosdoshme, nuk është gjithçka. Ajo është një pjesë e nevojshme e asaj që Maqedonia të vazhdojë të ecë në drejtimin e duhur. Ajo do të ishte gjithashtu edhe një indeks garancie e fillimit të korrigjimit të kurseve të gabuara, ashtu si dhe prelud i dënimit të përgjegjësve të vërteta. Ajo do të ndihmonte në orientimin real e të domosdoshëm të Shkupit drejt hapësirës euroatlantike, thelbësore kjo për të sotmen e të nesërmen e atij vendi të shqiptarëve atje, shumë e rëndësishme kjo për stabilitetin edhe të rajonit tonë në tërësi. Pikërisht për këtë del në plan të parë aktivizimi e shfrytëzimi i rolit determinues të të gjithë faktorëve progresivë aty, së bashku me përpjekjet e vendit tonë për ta ndihmuar në këtë rrugë. Për shumë e shumë elementë, Shqipëria mund të luajë një rol pozitiv në këtë proces, ashtu si në të vërtetë e ka luajtur atë në këto dy dekada.
   Në këtë kontekst duhet të jemi të qartë në diçka. Në Maqedoni sot ka forca e korrente që dëshirojnë ta mbajnë atë vend larg hapësirës perëndimore. Janë të tillë oligarkët e rinj aty, të cilëve vendosja e rregullave të lojës i shkatërron interesat e tyre të mbrapshtë, janë interferenca nga vende të tjera, që përpiqen të rikrijojnë apo të krijojnë hapësirat e tyre të influencës jashtë asaj euroatlantike, janë ekstremizma fetare, që po bëhen çdo ditë dhe më të organizuar që nga Lindja e Mesme e deri në rajonin tonë, etj. Pasojë e këtij kompleksiteti është edhe mosarritja e një kompromisi për çështjen e emrit, gjë e cila, duke u analizuar në kontekstin e shumë veprimeve e deklaratave në Shkup, mban më shumë erë mosdashje sesa mosaftësi nga pjesë e asaj shoqërie. Pa dyshim, kjo bie ndesh me interesat madhorë të atij vendi dhe të të gjithëve në rajon, përfshi dhe Shqipërinë, gjë që u manifestua edhe disa ditë më parë.
   Por në këtë lëmsh interesash e vizionesh, një gjë është e qartë, në shumicën dërrmuese, shqiptarët aty janë më pro perëndimorët, me pro europianët, më pro amerikanët dhe më pro NATO. Shqiptarët janë pa komplekse, të qartë në identitetin e tyre, pa asnjë dëshirë për të bllokuar zhvillimin e sotëm për hir të gojëdhënave dhe emrave të 2500 viteve përpara. Shqiptarët e kanë kuptuar me realizëm që është Maqedonia ajo që duhet të jetë pjesë e NATO-s e më tej e BE, dhe jo anasjelltas, pra është ajo që duhet të bëjë kompromiset kryesore, duke dalë nga mjegullnaja e iluzivitete të mijëra viteve përpara, për t’u kthyer në realitetin e sotëm. Dhe ky është avantazhi i madh i shqiptarëve, avantazh që duhet shfrytëzuar me determinim nga ata vetë në radhë të parë, në të mirën e tyre, të vendit të tyre dhe të rajonit në tërësi. Gjithashtu, kjo është një mundësi e madhe për një rol gjithmonë e më pozitiv ndihmues edhe të shtetit shqiptar.
   Për arsye të “kuptueshme etike”, Ali Ahmeti nuk ndaloi në këtë argument. Nga ana tjetër, edhe politika jonë gabon kur nuk i mëshon ashtu siç duhet kësaj pike. Akoma më keq, kur ajo prezantohet si një “elefant në një dyqan qelqurinash”, duke e neglizhuar këtë të vërtetë, për ta zëvendësuar atë me “ultimatume” joracionale dhe jodobiprurëse, në të cilat dominojnë togfjalëshat “nuk do lejojmë”, kur duhet të ishte krejt e kundërta.
  Sidoqoftë, me ose pa “etikë” publicitare, politika shqiptare në Maqedoni duhet të jetë më e vetëdijshme ndaj rolit të madh që ka për ta shtyrë atë vend në hapësirën e së ardhmes. Dhe këtë duhet ta bëjë pa drojë, e bashkuar, në mënyrë eksplicite dhe e vendosur. Ajo dhe vetëm ajo ka të drejtën të drejtojë “ultimatumet” e nevojshme të hapësirës maqedonase, për ta shtyrë atë në kompromiset e reformat e mëtejshme integruese. Dhe këtë, tashmë ajo duhet ta bëjë qartësisht e me vendosmëri, duke qenë koshiente se kështu do të luajë një rol historik në vlera, për të gjithë. Këtë gjë Ahmeti e Thaçi duhet ta artikulojnë së bashku pa asnjë ekuivok.
Ne si Shqipëri i kemi qëndruar dhe duhet t’u qëndrojmë gjithmonë në krah në këtë pozicionim dhe kontributit të tyre të madh. Por gjithmonë duke ia lënë asaj politike rolin promotor, lider, parësor se në fund të fundit flitet për vendin e tyre, një vend ky sovran që edhe për hir të “ironisë” është përpara nesh në rrugën e integrimit europian. Pozicionet tona paternaliste, deklaratat tona ultimative, veçse mund të interferojnë negativisht dhe të theksojnë kakofoninë në tërësinë e zërave të pakoordinuar që shpesh po dëgjohen përreth atyre ngjarjeve.
Shqipëria tashmë ka një pjekuri diplomatike, kontribut të pamohueshëm për stabilitetin e rajonit, një profil të saj të suksesshëm në këtë drejtim, një traditë të konsoliduar pozicionesh dhe qëndrimesh, që, veçse kanë dhënë produkte pozitive edhe përballe ngjarjeve shumë më të rrezikshme e komplekse sesa ajo e Kumanovës. Nga ky qëndrim ka përfituar shumë Shqipëria, shqiptarët në tërësi, i gjithë rajoni ynë.
Pa asnjë dyshim ne duhet të vazhdojmë të ecim në këto shtigje, që në sinkron me partnerët tanë të BE e SHBA, veçse kanë drejtuar e çuar për zgjidhjen e problemeve. Nuk ka arsye racionale që sot befasisht të shkapërdisemi në rrugë të dyshimta, të kërkojmë të marrim mbi vete jo vetëm më shumë sesa mundemi, por dhe të përpiqemi të interferojmë në mënyra të gabuara në skakierën rajonale apo dhe më tej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura