Shqipëria dhe akademikët në Procesin e Berlinit

Jul 3, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

kosta barjabaPROF.DR.KOSTA BARJABA

Nga ju presim kritika,- iu drejtua Kancelarja Merkel grupit të akademikëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të ftuar në Konferencën themeluese të Procesit të Berlinit, në gusht 2014. -Se blabla-të i kemi merak vetë”. Kjo frazë e Kancelares krijoi një përmasë të re të procesit të zhvillimit dhe integrimit të BP, zhvillimin e arsimit akademik dhe profesional, si një rrugë për uljen e papunësisë.

Për këtë, ideatorët e procesit thirrën në “betejë” edhe akademitë e shkencave dhe komunitetin e universiteteve të vendeve të rajonit, si aktorë të rëndësishëm të krijimit të kapitalit njerëzor dhe projektimit të zhvillimit. Synimet janë kurajoze e të vështira, por të realizueshme. Rajoni po përjeton prej shekujsh kontradiktën midis burimeve dhe zhvillimit e mirëqenies. Një nga zonat më të pasura në burime e më të bekuara të botës është ende e zhytur në prapambetje e varfëri. Për të mos folur për konfliktet potenciale, të cilat mund të shpërthejnë sapo gjejnë terren. Procesi i Berlinit është thirrur për ta ngushtuar këtë hendek dhe zgjidhur këtë kontradiktë.

1. Tre vjet më vonë, më 14-16 qershor 2017, përfaqësuesit e botës akademike dhe universitare të vendeve të BP, si edhe të Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë u mblodhën në Paris për të diskutuar sfidat që kanë përpara. Ky takim, i cili u parapriu atij të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Procesit të Berlinit, në Trieste, në fillim të korrikut, u fokusua në dy tema thelbësore për rajonin:

i) nxitja e formimit të shkencëtarëve të rinj, si një burim i fuqishëm projektimi dhe zhvillimi të rajonit;

ii) fuqizimi i sinergjisë midis arsimit e inovacionit dhe rritjes ekonomike e punësimit. Për temën e parë u konkludua në themelimin e Fondacionit për Kërkime të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbështesë shkencëtarët e rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina. Financimi nëpërmjet granteve afatgjata do të kontribuojë në krijimin në vendet tona të bërthamave kërkimore shumëdisiplinore të ekselencës, për të mbështetur zhvillimin e rajonit.

Duke i qëndruar besnik asaj që “profetizoi” Kancelarja Merkel, akademikët dhe profesorët universitarë u thirrën për të krijuar një mekanizëm tëri programimi e zhvillimi, të mbështetur në evidenca shkencore. Për temën e dytë u konkludua mbi krijimin e një Task-Force, e cila do të hartojë Planin e Veprimit për Rritjen Inteligjente të Ballkanit Perëndimor, duke synuar një sinergji funksionale midis rritjes ekonomike dhe punësimit, produktivitetit dhe vlerave të shtuara të sipërmarrjes, dijeve dhe teknologjisë bashkëkohore, reformës së programeve akademike e profesionale, ngushtimit të hendekut të aftësive, sipërmarrjeve të përbashkëta universitet-biznes dhe inovacionit të ekosistemeve.

Si një prej pjesëmarrësve të Konferencës së Parisit nuk mund të mos prekesha, por edhe inspirohesha, kur shihja presidentin e Akademisë Franceze, Sébastien Candel, dhe të Akademisë Gjermane Leopoldina, Jörg Hacker, dy ndër burrat më të mençur të kontinentit, që me përkushtim shkencor, institucional dhe njerëzor, janë vënë në shërbim dhe në udhëheqje të këtij procesi. Dhe që gëzonin si fëmijë për çdo avancim në tryezat e debateve të Konferencës, të cilat jo gjithmonë u shpëtonin sëmundjeve të vjetra ballkanike. Shqipëria është një ndër vendet potencialë përfitues prej këtij procesi. Por se sa do ta shndërrojmë këtë mundësi në një sfidë kombëtare, politike e shkencore, kjo është në dorën tonë.

Arsimi dhe shkenca janë njëra ndër kolonat e Procesit të Berlinit, krahas politikës dhe ekonomisë. Por janë edhe kolona që i përshkon dhe mundëson dy të tjerat. E tha Kancelarja Merkel: “Ju kemi thirrur të na kritikoni e rekomandoni”! Në të dyja aspektet ku u fokusua Konferenca e Parisit, ne kemi çfarë të reflektojmë dhe t’i rekomandojmë vetes dhe qeverisë së Shqipërisë. E cila, për hir të së vërtetës, duhet thënë se është ndër protagonistët dhe gjeneratorët e Procesit të Berlinit. Po si e sheh veten Shqipëria në pasqyrën e procesit të Berlinit për arsimin dhe shkencën?

2. Ne kemi ndërmarrë hapa kurajozë për nxiten e konkurrencës midis arsimit universitar publik dhe jopublik, nëpërmjet monitorimit të performancës dhe filtrimit të kapaciteteve të universiteteve. 18 universitete private, 1 universitet publik dhe 16 filiale publike që funksiononin jashtë kuadrit ligjor u mbyllën për efekt të zbatimit të reformës universitare. Po nxitet autonomia institucionale e financiare. Po fuqizohet arsimi parauniversitar, i cili furnizon arsimin universitar, duke rritur kualifikimin e mësuesve dhe botuar tekste bashkëkohore.

4 mijë mësues pa arsimin përkatës ose jashtë profilit dolën nga tregu dhe portali “Mësues për Shqipërinë” siguron rekrutimin e mësuesve me transparencë dhe mbi bazën e meritës. 600 tekste jashtë standardit dolën nga tregu dhe për 74 mijë nxënës nisi epoka e teksteve të standardeve me të larta të Bashkimit Europian, si “Oxford” dhe “Cambridge”. Po bëhen përpjekje për të shtuar burimet për kërkimin shkencor, por ato mbeten ende të kufizuara. Universitetet mbeten ende operatorë të dobët në tregun e kërkimit shkencor. Akademia e Shkencave rifilloi traditën e bukur të akordimit të çmimeve kombëtare si një mekanizëm për të nxitur arritjet e shkencëtarëve shqiptarë.

Para disa ditësh Akademia e Shkencave miratoi krijimin e Akademisë së të Rinjve si një mekanizëm për të mbështetur shkencëtarët e rinj. Akademia dhe universitetet po tërheqin në institucionet kërkimore e shkencore shkencëtarët e rinj të diplomuar në universitetet perëndimore. Aktualisht është në proces reformimi institucional i sistemit të Akademisë, nëpërmjet një bashkëpunimi me qeverinë, sipas vizionit “më shumë burime, më shumë protagonizëm, më shumë produktivitet për kërkimin shkencor”. Reformimi i sistemit të Akademisë së Shkencave do të krijojë një sinergji më të mirë midis arsimit universitar, kërkimit shkencor dhe nevojave të zhvillimit të Shqipërisë.

3. Shqipëria, si shumica e vendeve të rajonit të tregut, ka ndërtuar një model zhvillimi ekonomik, i cili është karakterizuar nga niveli i ulët i hapjes së vendeve të punës. Ekonomia shqiptare ka pasur ritme të ndryshueshme rritjeje, të cilat pas krizës globale të viteve të fundit ka shënuar rënie të dukshme. Në vitin 2013 rritja ekonomike shënoi nivelin më të ulët, nën 1%. Në vitin 2016 rritja ekonomike arriti në 3.4%. Megjithatë, Shqipëria ka aktualisht tregues shumë modestë në kontributin e ekonomisë së dijes në ekonominë kombëtare dhe GDP-në.

E parë nga pasqyra e Procesit të Berlinit, Shqipëria ka trashëguar një treg pune atipik: papunësia e fshehtë ka qenë, si rregull, më e madhe se papunësia e regjistruar; forca e punës jashtë vendit është shumë e madhe dhe e krahasuar me atë brenda vendit; vendi ka qenë vazhdimisht i mbështetur nga kurthet e papunësisë, sidomos kurthet e rënies së aftësive; ka një mospërputhje midis nevojave të tregut dhe tipologjisë e cilësisë së aftësive e shprehive që zotëron forca e punës, e cila ka rritur papunësinë strukturore. Shprehja kryeministrore “Nuk kemi profesionistë” nuk është një metaforë, por pasqyrë e një gjendjeje reale, ku aftësitë dhe shprehitë e forcës së punës janë ende prapa nevojave të shërbimeve dhe teknologjisë së re.

Vendi ka trashëguar dy asimetri midis sistemit arsimor dhe tregut të punës:

i) asimetria midis arsimit akademik/ofertës universitare dhe arsimit e formimit/ofertës profesionale. Ndërkohë që ekonomia shqiptare kërkon punëtorë e teknikë me aftësi e shprehi, ne i ofrojmë të diplomuar, por pa shprehi për të hyrë në treg.

ii) Asimetria midis ofertave universitare dhe nevojave të tregut të punës: në ofertën universitare mbizotërojnë specialitetet e shkencave humane e shoqërore, në raport me ato natyrore e teknike. Po përballemi me prirjen e largimit të rinisë prej shkencave e teknologjisë. Vlerësimet e studimit PISA (2012) treguan se produktet dhe cilësia e shkollës shqiptare ishin më të ulëtat në rajon. Sipas këtyre vlerësimeve, Shqipëria ishte në vitin 2012 rreth një vit shkollor mbrapa vendeve si Bullgaria, Rumania dhe Serbia dhe rreth dy vjet e gjysmë shkollorë pas mesatares së OECDsë. Megjithatë, rezultatet e “PISA 2015” treguan se Shqipëria realizoi përmirësime substanciale të qëndrueshme: në matematikë dhe në shkenca rritje më shumë se një vit shkollimi dhe në lexim rritje me rreth gjysmë viti shkollimi.

Por këto arritje janë të pamjaftueshme për të filluar kthesën në raportet e rinisë me shkencat natyrore dhe teknologjinë. Duhet të punojmë që teknologjia të mos perceptohet si një mjet argëtimi dhe luksi, por si një nevojë instrumentale dhe një mënyrë të punuari e jetuari. Fuqia e tregut e diplomave shqiptare është shumë e dobët dhe jokonkurruese me universitetet perëndimore dhe ajo mund të rritet edhe nëpërmjet ndërtimit të programeve të përbashkëta me universitetet perëndimore. Procesi i Berlinit është një burim e mundësi që duhet shfrytëzuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura