“Shqipëria, atdhe rezervë për hebrenjtë”/ Ja mesazhet që u përcollën në Forumin Kundër Antisemitizmit

Oct 29, 2020 | 8:39
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, organizuan dje Forumin e parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, 2020.

forumi

Për shkak të kushteve që ka imponuar pandemia e COVID-19, forumi u mbajt online, por pati një pjesëmarrje të nivelit të lartë ndërkombëtar, që nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Michael Pompeo dhe Presidenti i PEsë, David Sassoli. Si pritës të këtij eventi, Kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, theksuan rëndësinë që ka ky event për të përçuar vlerat që ka pasur populli shqiptar në drejtim të tolerancës fetare, por edhe të mbrojtjes së hebrenjve.

RUÇI

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij gjatë Forumit të parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit tha se për hebrenjtë Shqipëria ka qenë një atdhe i dytë. Por ai shtoi se ai mision i nisur nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet të vazhdojë edhe sot me luftën kundër antisemitizmit. “Të gjitha kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit. Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit. Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, ngrohtësia njerëzore mbi përndjekjen, vuajtjen e dhimbjes në vend të shkaktimit të saj të tjerëve. Ne, shqiptarët, historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë dhe humanizmin. Lidhjet kulturore e njerëzore midis hebrenjve e shqiptarëve kanë mbi dy mijë vjet histori. Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBAsë dhe BE-së, në luftën kundër antisemitizmit, ne aktualizojmë atë që kanë bërë brezat para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat ndodhën gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta. Antisemitizmi nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por si një distilim i njerëzimit prej së keqes, mund të kërcënojë të gjithë kombet; antisemitizmi nuk i takon vetëm së kaluarës, por nëse ne nuk jemi vigjilentë, mund të kërcënojë të ardhmen. Duke përfunduar, dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do ta çojë deri në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit”, tha Ruçi.

BALLA

Ndërsa Taulant Balla, si nismëtar i këtij eventi, tha se për shqiptarët ka qenë një nder mbrojtja e hebrenjve dhe tashmë ka ardhur koha që në Europë të ketë një qasje të re në drejtim të tolerancës fetare. “Historia e komunitetit hebraik të Shqipërisë ilustron më së miri vlerat mbi të cilat është ngritur vendi ynë. Shqiptarët, të bashkuar, qëndruan përkrah bashkatdhetarëve të tyre hebrenj. Hebrenjtë e Shqipërisë jo vetëm mbijetuan, por numri i tyre u rrit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pasi shumë hebrenj u strehuan nga vendet fqinje dhe europiane. Populli shqiptar bëri një zgjedhje historike duke iu bashkuar aleancës më progresiste të kohës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sjellja unike e shqiptarëve ndaj hebrenjve ka konfirmuar një cilësi të shkëlqyer të pikëpamjeve të tyre mbi botën dhe një virtyt popullor që është pjesë e imazhit të një vendi të përparuar. Ky kapitull i shquar dhe kryesisht i patreguar i historisë së Shqipërisë nuk është një episod i rastësishëm. Ndjenja e nderit, besimit dhe respektit mes shqiptarëve, pavarësisht fesë apo besimit, është rrënjosur në strukturën etike dhe morale të Shqipërisë. Kjo është pjesë e një kodi shekullor të njohur si “besa”, një kod nderi. Ndaj, shpëtimi i vëllezërve tanë hebrenj nga tmerret e nazizmit nuk ka qenë thjeshtë një akt i veçantë heroizmi gjatë kohërave më të errëta të njerëzimit. Ka qenë çështje nderi kombëtar, krenarie për atë çfarë do të thotë të jesh shqiptar! Bota e sotme është bërë e ndërlidhur. Po jetojmë sfida të vështira. Europa sot është një komunitet pa kufij, multietnik, multikulturor dhe shumëgjuhësh. Toleranca fetare dhe etnike mes shqiptarëve ka qenë historikisht e pandashme. Europës sot i duhet një thirrje aktuale për frymën e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Ndërsa më duhet ta përfundoj, jam shumë krenar që Kuvendi i Shqipërisë ka hedhur një hap të rëndësishëm të enjten e javës së kaluar me miratimin unanim të përkufizimit të IHRA-s, gjë që mund të shërbejë si model për t’u ndjekur nga parlamentet e tjera të rajonit”, u shpreh Balla.

Rama: Luftë antisemitizmit për të ardhmen e përbashkët

Për Kryeministrin Rama lufta kundër antisemitizmit duhet të jetë si kauzë për të ardhmen e përbashkët. Duke folur në Forumin e parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, kreu i qeverisë tha se për Shqipërinë bashkëjetesa, bashkëpunimi dhe luftimi i ideve që përjashtojnë komunitet është në bosht të planit për zhvillimin e gjithë Mesdheut. Sipas Ramës, duhet të kihet një vëmendje e veçantë ndaj rrjeteve sociale në përhapjen e antisemitizmit dhe aty duhet të përqendrohet beteja e agjencive ndërkombëtare. “Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë e bashkëjetesës sonë mesdhetare në rrjedhën e qindra viteve. Nuk është vetëm e shkuara, është po ashtu dhe e tashmja, e cila vlen shumë për ne, si një e tashme ku duhet të vijojmë e të luftojmë çdo formë antisemitizmi si kërcënim jo thjesht për hebrenjtë apo për Izraelin, por si kërcënim për vetë civilizimin tonë, për vetë vlerat tona e parimet në të cilat vendet jetojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Pak muaj më parë, ne me shumë krenari inauguruam një memorial dedikuar kujtesës së Holokaustit në Tiranë. Së fundmi, do të doja po kështu të përfitoja nga vëmendja juaj për të theksuar kërcënimin që vjen nga e gjithë veprimtaria që shfaqet në rrjetet sociale. Le të mos harrojmë se programet e para dhe përpjekjet për gjenocid kundër hebrenjve e kanë zanafillën qysh nga Lindja e Mesme nëpërmjet kriminalizimit të çdo akti që kryente ky komunitet dhe lajmi i rremë për ritualet e tyre. Këtu është zanafilla, dhe forma e re e përhapjes përmes kësaj bote të jashtëzakonshme dixhitale, duhet të na shqetësojë. Realisht duhet të na bashkojë për të gjetur një zgjidhje dhe një rrugëdalje. Nuk ka dyshim që ka shumë shpresë në shoqërinë dixhitale dhe një progres gjithëpërfshirës për njerëzimin, që në fakt nuk duhet të kthehet në një makth të dalë jashtë kontrollit për askënd prej nesh. Për këtë, unë jam fort i bindur që Fuqitë e Mëdha, demokracitë e mëdha duhet realisht të veprojnë përpara se të jetë vonë. Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot më shumë se kurrë një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, deklaroi Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij gjatë forumit.

Pompeo: Të identifikojmë e luftojmë shfaqjen e çdo forme të antisemitizmit

Zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara, në fjalën e tij e cilësoi këtë organizim nga Kuvendi i Shqipërisë si një moment shumë të rëndësishëm në betejën kundër antisemitizmit, sidomos në kohërat që po jetojmë.

Pompeo, pasi shprehu konsideratë për atë që populli shqiptar ka bërë për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët, theksoi se ky forum duhet të shërbejë për të hedhur bazat për të intensifikuar luftën ndaj çdo forme të shfaqjes së antisemitizmit. Sipas tij, duhet të identifikohen sa më shpjet shfaqjet e antisemitizmit dhe duhet që sa më shpejt të ketë një përkufizim unik për antisemitizmin, që ai të përdoret në të gjitha vendet e botës.

“Kam kënaqësinë të bashkohem në këtë forum ballkanik kundër antisemitizmit. Është e udhës që ky aktivitet të zhvillohet në Shqipëri, pasi Shqipëria është një vend mik i madh SHBA-së. 75 vite pas Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit, Shqipëria ishte vendi që ofroi një ndihmë shumë të rrallë dhe shumë të lavdërueshme për hebrenjtë. Dhe falë heroizmit të shqiptarëve të thjeshtë, ju ishit streha për hebrenjtë për t’i shpëtuar ata nga nazizmi. Shqiptarët refuzuan t’i dorëzonin hebrenjtë dhe i ofruan atyre strehë. Iu dhanë edhe dokumente false që ata të mbijetonin. Dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur forcat aleate fituan, ka pasur më shumë hebrenj në Shqipëri, se sa kishte para fillimit të luftës. Memoriali për përkujtimin e viktimave të holokaustit në Tiranë i bën nder Shqipërisë, po gjithashtu edhe rezoluta e votuar nga Kuvendi dhe organizimi i këtij eventi, i cili bashkon përpjekjet në luftën kundër antisemitizmit. Po, ne nuk jemi këtu për të folur për historinë, por për të ngritur zërin kundër antisemitizmit, sepse ne kemi përgjegjësi për ta luftuar antisemitizmin. Së pari, duhet ta identifikojmë këtë kërcënim dhe të gjejmë mënyrë për ta luftuar. Siç tha edhe Presidenti Trump, është e rëndësishme që të bëhet një përkufizim të antisemitizmit për ta pasur një emërtim të barabartë për të gjitha shtetet në botë. Kemi parë faktikisht një përhapje të antisemitizmit dhe kjo gjë është shumë shqetësuese dhe në vendet me shumicë myslimane. Duhet të flasim që në ato vende të promovohet toleranca. Pra, duhet të ketë vendosmëri për të mbrojtur të drejtat e çdo njeriu, le të garantojmë sigurinë e çdo personi që të gjithë bashkë të jetojmë krah për krah në paqe. Faleminderit për këtë organizim të shkëlqyer. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo në fjalën e tij gjatë Forumit Ballkanik kundër Antisemitizmit.

PËRFAQËSUESI I OKB

Ndërkohë, gjatë Forumit Ballkanik kundër Antisemitizmin, foli edhe përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Aleancën e Qytetërimeve, Miguel Moratinos. Ai e konsideroi këtë nismë të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë si historike, pasi vjen në një kohë kur rastet e antisemitizmit janë rritur. “Kjo është iniciativë historike. Dua të falënderoj kreun e Kuvendit të Shqipërisë dhe mikun tim të dashur, Edi Ramën. E kam vizituar Tiranën disa herë, sot është takim virtual, por ne po ndajmë kurajën për qeverinë shqiptare. Kjo është thirrje rajonale në Ballkan që të luftojmë antisemitizmin, për të luftuar këtë plagë. OKB-ja është pionier i luftës kundër antisemitizmit ‘online’. Mesazhe të ndryshme janë shpërndarë në internet dhe ne po shikojmë këtë fenomen të errët, për ta luftuar”, tha Miguel Moratinos.

Presidenti i PE: Të reagojmë sa herë antisemitizmi e racizmi ngrenë kokë

Presidenti i Parlamentit Europian, Davide Sasoli, gjatë fjalës së tij në Forumin e Antisemitizmit, vlerësoi rolin e shqiptarëve si një prej popujve që i strehoi e ruajti hebrenjtë, ndërsa shtoi se pikërisht shembulli që dha Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet ndjekur edhe nga vende të tjera të Botës. Sassoli theksoi se ka ardhur koha që Europa të ngrejë një front të përbashkët kundër këtyre fenomeneve që të mos ndodhin më.

“Ky është një aktivitet, për të cilin kemi nevojë në këto kohë të vështira, lufta kundër antisemitizmit është më e rëndësishme se kurrë. Uroj të mos kemi kurrë më persekutime të minorancave, të mos ketë më nazizëm, urrejtje dhe luftëra. Në Europë duhet të ketë një jetë pa shqetësime, t’i jepen fund incidenteve diskriminuese ndaj hebrenjve, të lëmë pas krahëve historinë e 75 viteve më parë. Të reagojmë sa herë antisemitizmi dhe racizmi ngrenë kokën, duhet t’i shohim siç janë: sulm ndaj të drejtave të njeriut. Shqipëria ka bërë hapa para me definimin e antisemitizmit, kjo është pjesa e historisë tuaj krenare që i mbrojtët hebrenjtë dhe duke i fshehur ata. I gjithë ky është shembull i qartë i humanizmit tuaj. Shembulli i Shqipërisë duhet ndjekur nga kombe të tjera. Antisemitizmit duhet t’i krijojnë një front të bashkuar”.

Ndërsa, kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yariv Levin, në fjalën e tij tha se leksionet që ka dhënë dhe jep Shqipëria në mbrojtjen e hebrenjve duhet të merren edhe nga vendet e tjera. “Shqipëria ka një histori të gjatë kundër antisemitizmit, nuk është e rastësishme që sot ka marrë rolin e liderit për të diskutuar për këtë çështje. Të gjithë e dinë përpjekjen e shqiptarëve që strehuan hebrenjtë duke e bërë të vetmin vend me popullsi më të lartë hebrenjsh në vitin ’45. Leksionet e asaj kohe vijnë sot më të forta në veshët tonë. Antisemitizmi nuk është larguar kurrë por është nxitur në disa forma, ata mund të fshihen pas lëvizjeve të ndryshme sociale, të tjerë e bëjnë duke përgëzuar nazizmin që solli historinë më të tmerrshme, përmes platformave në internet”, tha ndër të tjera kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yariv Levin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura