Shqipëria ndihmohet me 600 mln euro/ Delegacioni i BE: Financimi i ri nuk do ketë nevojë për shlyerje, ja sektorët që përfitojnë

Sep 16, 2022 | 12:16
SHPËRNDAJE

Parlamenti shqiptar ratifikoi marrëveshjen e BE-së për shtatë vitet e ardhshme të ndihmës financiare të BE-së, e cila do të mbështesë reformat e Shqipërisë  në lidhje me procesin e zgjerimit me rreth 600 milionë euro.

shqiperi be

Në njoftimin e delegacionit të BE në vendin tonë thuhet se “Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë, decentralizimi, qeverisja vendore dhe shoqëria civile”.

Kjo asistencë e para-anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe vendet kandidate të mundshme për miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.

Ambasadorja Christiane Hohmann, Shefe e Delgacionit të BE-së në Shqipëri, tha: “Hapja e negociatave të anëtarësimit këtë verë ishte një moment historik në marrëdhëniet BE-Shqipëri, por lidhja jonë ka qenë gjithmonë shumë e fortë. Për vite me radhë, BE-ja ka qenë mbështetësi më i madh i reformave në Shqipëri duke ofruar pothuajse 100 milionë Euro në vit për programe në fusha si reforma në drejtësi, bujqësia dhe shumë fusha të tjera që prekin jetën e qytetarëve shqiptarë. Ky ratifikim e vazhdon këtë partneritet të fortë me një paketë të re dhe më të madhe mbështetjeje për ta ndihmuar qeverinë në procesin e zgjerimit në vitet në vijim, si dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura