Shqipëria 1936: Hera e parë në Lojërat Olimpike të Berlinit (PJESA I)

Aug 8, 2016 | 21:59
SHPËRNDAJE

NGA BESNIK DIZDARI

E pakta kam 15 vjet që mer rem me këtë temë. Dua të zbuloj dhe prapë sa nuk zbuloj, po aq dhe zbuloj. Dhe e gjitha kjo nuk është thjesht temë sportive. Është diçka më tepër se kaq. E shkruar, sidomos prej autorit të këtushëm, historia olimpike e Shqipërisë, tejet modeste, e harruar, e vonë, e shtrembëruar, e shkatërruar, e rilindur, prapë e rënë, mashtruese, sot e kësaj dite nuk i ka dhënë kombit të saj ende asnjë medalje olimpike.

besnik dizdari
Besnik Dizdari

E fryrë tejet pjesëmarrja e saj e parë, ajo e vitit 1972 që pati vetëm një personazh të lartësisë botërore, peshëngritësin e madh Ymer Pampuri, me gjithë gjakftohtësinë tonë për ta shkruar ashtu siç ishte, kjo histori prej një kategori shkruesve “guximtarë” të orëve të fundit, që kurrë nuk janë marrë me tema hulumtuese kësisoji, vazhdon të shtrembërohet, për fat të keq me rreshta të tanë të pavërtetash. Dhe natyrisht pa asnjë risi, pa asnjë të re, ndonëse historia shkruhet e rishkruhet, sepse dalin fakte të reja.

Po edhe fakti i ri “anagrafik”, nëse mund ta përcaktojmë kësisoji, teksa po prekim një 80-vjetor të rrallë si ky, në fund të fundit është një risi apo rishkrim i historisë. Qëllimi i së cilës është jo thjesht të tregojë, por prej tregimit të saj ta shohësh edhe një herë në pasqyrë për të vlerësuar të vërteta, për të flakur tej rrènat dhe për të vepruar përmes nderimit dhe vënies në vend të protagonistëve e themeluesve çka në Shqipëri ende nuk është bërë.

Në këtë kontekst hyn dhe ky Dossier që i kushtohet 80- vjetorit të dukjes apo paraqitjes së parë, për ne disi të bujshme, të Shqipërisë në një Olimpiadë. Themi kështu se Shqipëria nuk mori pjesë, nuk dërgoi atje sportistë, nuk fitoi asnjë medalje. E megjithatë, plot 80 vjet më parë ajo ishte aty, çka historiani apo gazetari profesionist, jo ai amator që shkruan thjesht se ka qejf të shkruajë apo ngaqë ka do interesa meskine vetjake, e ka pra për detyrë ta trajtojë.

Sidomos kur sheh se me gjithë përpjekjet tona askush nuk i përmend, askush nuk i citon, askush nuk përkujton dhe nderon qoftë dhe personazhet e asaj “pjesëmarrjeje” të 80 vjetëve më parë, të atij viti 1936 për fat nën shkëlqimin berlinez të Gjermanisë Naziste. E pra?…

“ZBULIMI” I FLAKËS OLIMPIKE ‘36 PRANË KUFIRIT SHQIPTAR DHE KRITIKA E FORTË E “ARBËNISË”!

Mû këto ditë pra, në prag të Olimpiadës së Rio Janieros, në përpjekjet e mia hulumtuese zbulova një dokument të rrallë. Është një dokument që vjen prej kancelerive të Olimpiadës së Berlinit 1936. Është një dokument i rrallë, disi dhe gjeografik. Nuk është gjë tjetër veçse një hartë. Një hartë për mua fantastike për kah vlerat e historisë sportive dhe jo sportive.

Po e botojmë këtu në gazetën “Panorama” për herë të parë në Shqipëri. E shihni që është një hartë që përfshin gjithë Gadishullin e Ballkanit, përballë me atë Apenin të Bregut Italian, pak më lart bashkangjitur me Europën Qendrore dhe që mbërrin deri në Berlin. Vija udhëtuese që sundon hartën në drejtimin nga jugu në veri, nuk është asgjë tjetër, veçse rruga e Flakës Olimpike që niset nga Olimpia e që mbërrin deri në Berlin. Shihet qartë që Flaka Olimpike e Olimpiadës së Berlinit 1936 nuk kaloi nëpër Shqipëri.

Harta e rrugëtimit pranë Shqipërisë së Flakës Olimpike të Olimpiadës 1936
Harta e rrugëtimit pranë Shqipërisë së Flakës Olimpike të Olimpiadës 1936

Dhe nuk ka kaluar asnjëherë deri më sot nëpër Shqipëri, ndonëse e shihni në hartë se Olimpia e lashtë prej ku niset Flaka Olimpike është shumë afër Shqipërisë. Si ka mundësi vërtet që sot e kësaj dite asnjëherë rrugëtimi i saj nuk është përshkuar në Shqipëri? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse Shqipëria kurrë nuk e ka dashtë që Flaka të kalojë në Shqipëri!

Ajo kurrnjiherë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, çka sigurisht do ta ngarkonte me punë e përgjegjësina që, me sa duket, Shqipëria nuk i dëshiron. Ngaqë kalimi apo përshkimi i Flakës Olimpike në tokën e Atdheut tënd i ka do punë, detyron do organizime, që kërkojnë jo pak kulturë e disiplinë që Shqipëria olimpike asesi nuk është e zoja ose nuk ia ka ânda t’i marrë përsipër.

Edhe sepse gjithë këto vite njerëzit e Komitetit Olimpik Kombëtar, apo të ministrive përkatëse, nuk duan telashe asisoji. Sepse jo pak prej tyre kanë vetëm një ndërgjegje, ndërgjegjen e përfitimeve vetjake!… I kthehem vitit 1936 përmes kësaj harte. Rrugëtimi i Flakës Olimpike ka nisur nga Olimpia e Greqisë – vendlindja olimpike, ka mbërritur deri në Kosan e Veria, që ndoshta nuk janë më shumë se nja 150 kilometra larg kufirit të Shqipërisë, ka nxituar për në Selanik dhe drejt e në Sofje të Bullgarisë.

Prej këtu ka hyrë në Jugosllavi, për fat pa e shkelur kurrsesi tokën e Kosovës, ka hyrë në Nish e me radhë në Jagodina, Kragujevac e drejt e në Beograd – Budapest – Vjenë – Pragë – Drezden – Berlin! Shqipëria mënjanë si gjithnjë! Ajo nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në Lojërat Olimpike.

Nuk do të mirrte pjesë as këtë herë, por me një ndryshim të madh: kësaj here ajo do të ishte aty, si të thuash, në një mënyrë apo një tjetër. Nuk ka dyshim se viti 1936 është ndër vitet më liberale që kalon Shqipëria e Ahmet Zogut. Asnjëherë si në këtë vit të qeverisë Mehdi Frashëri, sidomos shtypi, nuk është ndjerë më i lirë. Gazeta “Arbënia” e Nebil dhe Ikbal Çikës (por jo vetëm ajo) është pa dyshim flamurtare e kësaj lirie dhe kritikuese e rreptë e dukurive penguese që mbart koha.

Kështu, në numrin e 2 gushtit 1936, në faqen 4 të saj, “Arbënia” ka shkrimin e aperturës (kreut) që zë thuajse krejt faqen, me titullin “Olimpiada e Berlinit dhe Federata “Vllaznia Shqiptare”, ku më i rreptë, madje i pamëshirshëm, është sidomos nëntitulli: “Federata na vuri një njollë të zezë”. Gazeta shkruan se “Federatës “Vllaznia Shqiptare” i mungon iniciativa dhe kompetenca”. (Gati si sot, më 2016!)

Dihet që Federata “Vllaznia Shqiptare” është organizata sportive e kohës, një lloj Komiteti Olimpik i sotëm. Kritika është ndoshta më e ashpra që i bëhej një organizimi të pushtetit, sepse e tillë ishte edhe “Vllaznia Shqiptare” në gjithë vitet e Mbretërisë, teksa kujton se kryetar i saj ishte ministri i Arsimit, Dr. Nush Bushati. E jashtëzakonshme dhe e fshehur në pluhurat e arkivës është ajo çka mësojmë nga shtypi: më 1935, Komitetit Olimpik i Gjermanisë kërkon që Flaka Olimpike të kalojë për 1 kilometër edhe në Shqipëri, duke ia pasuar atë Jugosllavisë.

Befasia e madhe qëndron te fakti se një delegacion olimpik gjerman kishte ardhur posaçërisht në Tiranë dhe përmes Legatës së Gjermanisë në Shqipëri, ishte pritur në Ministrinë e Arsimit, ku u takua me kryetarin, sekretarin dhe nënkryetarin e Federatës, duke paraqitur edhe ftesën zyrtare për pjesëmarrje të Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Berlinit, deri dhe me një përbërje prej “50 djemsh, gratis pa asnjë shpenzim”!

Ndërkaq, mësojmë se Federata e paska refuzuar ftesën dhe propozimin për të pranuar të paktën shoqërimin e Flakës Olimpike në Kapshticë dhe duke e përcjellë atë përmes Bilishtit, Korçës e Pogradecit për në Jugosllavi. Ndërkohë që në Athinë, Flakën e kishte shoqëruar vetë kryetari i bashkisë dhe në Jugosllavi e kishte pritur vetë regjenti Paul. Ajo që të bën përshtypje krejt të pazakontë, është ftesa gjermane, në një kohë që Shqipëria nuk ishte anëtare e Komitetit Olimpik.

Por mos ndoshta “ishte” dhe ne kemi dalë prej tij Mbasluftës së Dytë, për t’u ripranuar më 1959?… Ky dyshim duket si paradoksal, po tashmâ, kur dimë se ende në Shqipërinë tonë vazhdon errësira mbi historinë kombëtare, thjesht për shkakun se ajo mbahet peng nga historianë të regjimit të shkuar, të cilët vazhdojnë të mbajnë monopolin e Arkivit, të Institutit, të Studimeve, e tjerë e tjerë, e drejta për të dyshuar nuk mund të na mohohet asesi. Si ka mundësi gjithë kjo ftesë për pjesëmarrje në Olimpiadë pa qenë anëtar i CIO-s (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar)?…

Dihej ndërkaq, Shqipëria kishte vetëm 12 vjet (1924-36) me shtet të rregullt të sajin, e pra shumë pak për të zhvilluar një sport kombëtar të stilit europian. Megjithatë, këto kaq pak vjet ne mund t’i përcaktojmë si 12 vitet e themelimit, apo të vënies së bazave të para të fuqishme për gjithë ecurinë e mëmbasme të sportit kombëtar. Gjashtë vjet më parë, më 6 qershor 1930, ishte themeluar Federata Sportive Shqiptare me emrin “Djelmnia Shqiptare”, e shtrirë me seksionet e saj në gjithë Prefekturat e Shqipërisë nën Patroneshën e Naltë të Sportit, N.S. Mbretënore Princesha Myzejen, për të vazhduar qysh nga 1935 me institucionin e emrit fisnik të bashkimit të popullit, “Vllaznia Shqiptare”.

E, në mënyrën më moderne, ajo ishte e ndarë në tri kategori: lojna sportive, atletikë dhe shumësportet e ndryshëm. Duke pasur në fillim kryetar Izedin Beshirin, mandej Musa Jukën dhe Dr. Mirash Ivanajn, Federata, e cila më 1936 kishte kryetar të saj ministrin e Arsimit, Dr. Nush Bushatin, ia kishte arritur t’i jepte një hop sportit kombëtar brenda një periudhe shumë të shkurtër: Ajo kishte organizuar deri në këtë periudhë 6 Kampionate Kombëtare të Atletikës së Lehtë (1929, 30, 31, 32, 33, 34); 6 Kampionate Kombëtare të Futbollit (1930, 31, 32, 33, 34, 36); 4 Kampionate Kombëtare të Notit (1931, 32, 33, 34); 2 Rrethe Çiklistike të Shqipërisë (1925 dhe 1936), ku ai i 1925-s ishte i pari në Europë për amatorët. Shqipëria ishte pranuar ndërkaq, zyrtarisht anëtare e IAAF dhe në FIFA, që janë Federata Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë dhe të Futbollit. Ajo kishte marrë pjesë rregullisht në 4 Kampionate Ballkanike të Atletikës së Lehtë (1932, 33, 34, 35). Kaq mjafton për të kuptuar se tashmâ Shqipëria kishte një sport mirëfilli të organizuar.

Dhe themelet tona sportive janë pikërisht këtu, në këtë periudhë, e cila vazhdon të injorohet në mënyrën më të pafalshme nga organizmat tona të sotme sportive, qeverisëse e shtetërore! E pra, mendimi publik shqiptar i asokohe për të shkuar në Olimpiadën e Berlinit 1936, ishte unanim dhe më se i përligjur. A do të shkonte?…

ÇKA ISHTE BERLINI 1936

Kështu, nëse më 2 gusht botohet kritika e pamëshirshme, kur Olimpiada fillon më 1 gusht 1936, delegacioni shqiptar tashmë gjendet në Stadiumin Olimpik të Berlinit! Çka tregon se shtypi nuk është i mirinformuar në kohë për praninë e Shqipërisë si shtet, si Federatë Sportive, si “Komitet Olimpik”. Por është i saktë në kritikën e tij për mospjesë- marrje në garat me sportistë.

Kjo do të dalë më në pah, kur mbas mbarimit të Olimpiadës, shtypi, madje vetë kritikuesja më e fortë ndaj Federatës, gazeta “Arbënia”, sikur ndërron kah dhe i bën jehonë jo të paktë pranisë së Shqipërisë, ndonëse pa pjesëmarrje me sportistë në gara e ndeshje. E vërteta është se Olimpiada ishte një rast ideal për ta shpalosur madhështinë e kësaj Gjermanie, si forca e botës. Dhe falë disiplinës, seriozitetit e mundësive të tyre të pashtershme, gjermanët ia arrijnë të organizojnë Olimpiadën më të mirë që kishte njohur bota qysh nga e para, ajo e vitit 1896.

KAMPIONI OLIMPIK, LEGJENDË I 1896-s, GREKU SPIRIDON LOUIS, DUKE I DHURUAR KANCELARIT TË GJERMANISË, ADOLF HITLER, DEGËN E PEMËS SË ULLIRIT NË CEREMONINË E ÇELJES SË OLIMPIADËS SË BERLINIT 1936
Kampioni Olimpik, legjende i 1896-s, greku Spiridon Louis, duke i dhuruar Kancelarit te Gjermanise, Adolf Hitler, degen e pemes se ullirit ne ceremonine e celjes se Olimpikades se Berlinit 1936

Nëse sot shikon filmimet nga Olimpiada e Berlinit, sidomos të filmit epokal të regjisores Leni Riefenstahl, ithtarja më e fortë e vetë Adolf Hitlerit, e kupton se Berlini përfaqëson Olimpiadën më moderne të kohës. Është 1936. Lufta dukej ende larg. Ndonëse Italia fashiste vetëm pak javë më parë kishte pushtuar Etiopinë. Në Francë kishte triumfuar Fronti Popullor me Leon Blumin. Në Spanjë gjenerali Franko i ishte sulur qeverisë spanjolle të Frontit Popullor të atjeshëm, duke nisur kështu Lufta Civile. Dhe një vit më parë Hitleri kishte denoncuar Traktatin e Versajës.

E në Gjermani spikat shkëlqimi më paqtor që mund të merrej me mend. Ky është dhe paradoksi historik. Gjermania kishte triumfuar unanimisht ndaj kandidaturës së Barcelonës për organizimin e Lojërave dhe Presidenti i CIO-s-, belgjiani Henri de Baillet-Latour, kishte firmosur për Gjermaninë. Janë 3956 sportistë pjesëmarrës, më shumë se asnjëherë tjetër! Janë 49 shtete, më shumë se asnjëherë tjetër! Janë 328 sportiste femra, më shumë se asnjëherë tjetër! Ajo do të ishte Olimpiada e parë në historinë e njerëzimit që do të transmetohej në televizion!

25 ekrane u vendosen në Berlin dhe rrethinat e tij, që njerëzit të shihnin Olimpiadën. Pa harruar rastin e paprecedentë të shtypjes çdo ditë të buletinit të Lojërave “Olympia Zeitung” në 300.000 kopje dhe në 14 gjuhë! Dhe ndoshta ky është rekordi i rekordeve të Olimpiadës së Berlinit, i pathyer sot e kësaj dite! Pa dyshim në gjithë këtë organizim gjigant të papamë, mbi gjithçka spikasin ekzaltimet klasike teutonike, por edhe të miteve klasike me shqiponjat që mbushin gjithë Berlinin.

Me kohë qe thënë se Adolf Hitleri nuk e dëshironte këtë Olimpiadë në Gjermani, duke e përcaktuar publikisht si “një festival i padenjë dhe i sunduar nga hebrenjtë”. Por në kohë ka ndërhyrë ministri i propagandës, Joseph Göbbels, i cili arrin ta bindë Fyhrerin se, përkundrazi, Olimpiada do të ishte “një rast i mrekullueshëm për të shpalosë para botës imazhin e Gjermanisë dhe të regjimit me këmishë ngjyrë kafe, duke e shndërruar Olimpiadën në një makinë gjigande të propagandës”.

Dhe Gjermania, e cila do të triumfonte edhe në kahun e garave sportive. SHBA shkon në Berlin, humb Olimpiadën (33 medalje ari Gjermania, 24 SHBA) dhe presidenti i Komitetit Olimpik të saj, miliarderi i njohur Avery Brundage, njeriu i cili Mbasluftës do të jetë për 20 vjet President i CIO-s, kur kthehet në Uashington, deklaron me bujë: “Kemi shumë për të mësuar nga gjermanët”. 120.000 shikues presin dukjen e Fyhrerit në “Olimpia Stadion”, nën tingujt e himnit gjerman, marshit të nderit të Wagnerit dhe himnit të Olimpiadës simbas muzikës të Richard Strauss, ndërsa në qiell fluturojnë 100.000 pëllumba të paqes, një ide befasuese e shtetit i cili mbas 2-3 vjetëve do të shpallte Luftën e Dytë Botërore!

Një biondin me emrin Fritz Schilgen i jep jetë disaditore flakës olimpike që del nga tubat e çelikta të Krupit, prodhuesi i madh i topave të luftës! Dhe fjalët sublime të çeljes që dalin nga goja e Fyhrerit, atij që mbas 40 muajve në gjithë botën, do të njihet si simbol i së keqes: “Popuj. Qofshi miqtë e vendit tonë. Juve po ju çelim dyert, fjala jonë qoftë paqja. Olimpiada, festë e Paqes!”.

Mandej shfaqet Kampioni Olimpik legjendë i 1896-s, greku Spiridon Louis, i cili ka ardhur posaçërisht nga Athina për t’i dhuruar Fyhrerit degën e pemës së ullirit, ajo që më 2004 iu vu si kurorë në krye, medalistëve të Athina 2004! Foto Hitler-Louis që botojmë këtu bën rrethin (xhiron) e botës tash 80 vjet! Ajo ishte olimpiada e 4.5 milionë spektatorëve nga e gjithë Gjermania, në dispozicion të të cilëve ishin vënë 1000 trena! Ishte dhe Olimpiada e zezakut fenomenal, Jasmes “Jesse” Owens, katër medalje ari (100, 200, 4×100 dhe së gjati), sfidë kundër epërsisë së racës së bardhë ariane!

Dhe Adolf Hitleri, i cili braktis katër herë tribunën për të mos qenë i pranishëm në fitoret e racës së zezë mbi atë të bardhë! Kjo ishte olimpiada, flaka olimpike e së cilës gati e preku edhe tokën shqiptare…

NJË GAZETAR – SHQIPTARI I PARË I AKREDITUAR NË NJË OLIMPIADË: ANTON MAZRREKU

Dhe prapë e merr fjalën dokumenti autentik, provë e vërtetësisë historike që gjithashtu po e ribotojmë këtu. Ky është dokumenti krejt i thjeshtë që vërteton praninë e parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike 80 vjet të shkueme. Është edhe ky një dokument zyrtar, autentik i kancelerive të Olimpiadës.

Gjendet brenda “Official report”, “Raporti zyrtar i Olimpiadës” dhe është ky dokumenti që vërteton akreditimin e një përfaqësuesi shqiptar për herë të parë në një olimpiadë. Kishte ndodhur pra, në vitin 1936, Olimpiada e 11-të, çast kur në analet e saj për herë të parë është regjistruar zyrtarisht edhe emri shtetëror “Albania” (Shqipëria). Vështroni dokumentin tonë. Është faqja që tregon gazetarët e akredituar për lojërat (“Press Quotas According to Nations”) siç lexohet, të ndarë simbas shteteve. Në kolonën e shteteve gjen të shkruar “Albania”, që, simbas alfabetit, vjen menjëherë mbas Afganistanit e para Argjentinës. Dhe paralel me “Albania” është numri “1”.

Anton Mazrreku, shqiptari i parë në histori i akredituar në një Olimpiadë
Anton Mazrreku, shqiptari i parë në histori i akredituar në një Olimpiadë

Që do të thotë se Shqipëria ka akredituar “1” gazetar. Ishte 1 midis 593 gazetarëve. Nuk di a kemi sot në Olimpiadën e Rios 2016 të paktën 1 gazetar?!… Siç pata shkruar me kohë, e gjitha kjo dukej si një fakt i vogël, sidomos kur sheh se ballkanikët e tjerë kanë pasë shumë më tepër se Shqipëria: Bullgaria 11 gazetarë, Greqia 8, Rumania 10, Turqia 12, Jugosllavia 13 gazetarë.

Po për hir të së vërtetës, për ne ky është një fakt i madh sepse na zbulon që më 1936 një shqiptar ka qenë i akredituar në Lojërat Olimpike. Çka nënkupton se Shqipëria zyrtarisht është përfaqësuar në Olimpiadë. Dhe nëse është përfaqësuar vetëm me gazetarin dhe gazetarinë, prapë ky është një përfaqësim, ndonëse disi “sui generis”, kur kujton ndërkaq se asnjë sportist shqiptar nuk ka qenë në Berlin! Cili ishte ky njeri?

Askush tjetër përveçse Anton Mazrekut, futbollisti i dikurshëm i “Studente Shkodra”, por sidomos i Skënderbeut të Korçës, drejtori dhe themeluesi i gazetës “Sporti Shqiptar”, më 28 nëntor 1935, kryetari i Federatës Sportive Shqiptare (1945), botuesi i gazetës “Sporti” (1945), zëvendëskryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar (1958), zëvendëskryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (Mbasluftës), inspektori i FSHF, radiokronisti i madh, madje themelues i radiokronikës së parë, qysh më 1938.

Në kohën e sotme me nderimin përmes Çmimit “Anton Mazrreku” të themeluar prej autorit të këtij shkrimi dhe mikut të tij të paharrueshëm, Tonin Paloka. Më duhet të rikujtoj pra se kjo do të thotë që Shqipëria e ka filluar edhe në këtë rast me gazetarinë, mu me atë gazetari profesioniste të sprovuar, që na mungoi në Olimpiadën e Londrës 2012 e na mungon edhe në këtë të Rio De Janeiro-s!

Ky është paradoksi “olimpik” shqiptar i shekullit XXI i mundur keqas prej shekullit të shkuar XX”! Në paradoks me Shqipërinë e tij, shkruante Anton Mazrreku nga Berlini: “Prej Rrethit të Dytë të Shqipnis n’Olympiadën e përbotëshme të Berlinit: nji varg i gjatë parafytyrimesh e mbresash kalojnë si në një film cinematografik përpara mendes s’eme: tokohen, shndrrohen, përzihen.

Shoh një Owens të çuditshëm e kujtesa prap pushon mbi zotësin e ethet e Kërrëkut, kam parasysh një Stöck madhështor e nuk vonojnë të më dalin përpara tubolarit e çpuem të Gurashit, shijoj botën e Univesitarve italjan, deri diku paset e japonezve e mendoj prap fatkeqësin e Myftarit e të Kaçaçës, vërej kualt e Argjentinës që dërmojnë Anglin në Polo e më shkon mendja te Ljarja gjakftohtë, jam në Berlin e më duket sikur sot po nisem me çiklistat nga Berati…”…

Mbas pak ditëve, ai kulmon me shkrimin e fundit problematik, përimtues (analitik) me titullin “Mësimi i mosvalvitjes së flamurit t’onë në Olympiadën e Berlinit”. Thotë penda e tij: “… Kur flamujt e të pesë kontinenteve tundeshin në erë të gëzuar e faqebardhë afër njëri-tjetrit, atmosfera e evenimentit të pashoq m’i lagu mollëzat e faqeve me dy pika lot. Dy pika e jo më tepër, po të mjafta për të tërhequr vërejtjen e një biondeje të ndodhur rastësisht pranë meje.

Gjermania e tëra bionde: bionde në leshrat, bionde në sytë, bionde në mveshje, bionde dhe në zë po të duash, nuk ndenji dot pa më pyetur: “Warum weinen Sie?” Pse qani? Nuk mori përgjigjen e vërtetë. Po e merr sot: “Nuk jemi duke u përgatitur si duhet në fushën sportive”. Kështu apo ndryshe, na pëlqen apo nuk na pëlqen, Shqipëria pra ka qenë për herë të parë në Lojërat Olimpike jo më 1972, por më 1936, plot 80 vjet më parë, në Lojërat Olimpike të Berlinit.

Dhe ka qenë përmes gazetarisë! Ose e thënë më qartë: përfaqësuesi i parë shqiptar në Lojërat Olimpike ka qenë një gazetar. Emri i tij është Anton Mazrreku. Një befasi e madhe? Natyrisht! Ndonëse mbas kësaj do të kishte edhe befasi të tjera më të mëdha shqiptare që do të mbërrinin deri tek Adolf Hitleri…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura